“Revolucion” në futboll: FIFA hap derën që ndeshjet e kampionatit të luhen jashtë Europës

FIFA po përgatit rregulla të reja që do t’u mundësonin ligave europiane të zhvillojnë ndeshje jashtë vendit, por nën kufizime të rrepta.
Sipas propozimit, çdo ligë vendore do të lejohej të zhvendosë një ndeshje të kampionatit të elitës në sezon në një shtet tjetër.
Edhe vendet pritëse do të kishin kufizime, pasi në territorin e tyre do të lejoheshin maksimumi pesë ndeshje në sezon të kampionateve të huaja
Ky hap vjen pas përpjekjeve të dështuara të La Ligës dhe Serie A për të zhvilluar ndeshje jashtë vendit, përfshirë edhe disa përballje të planifikuara ku ishin të përfshira skuadra si Barcelona dhe Milan.

Sipas kornizës së re, çdo ndeshje ndërkombëtare do të kërkonte miratim nga disa institucione, përfshirë federatat kombëtare, konfederatat përkatëse dhe vetë FIFA-n, e cila do të kishte fjalën e fundit dhe të drejtën e vetos.
Shqetësimet për mirëqenien e lojtarëve, ngarkesën e udhëtimeve dhe ndikimin te ligat lokale do të jenë faktorë kyç në procesin e vendimmarrjes.
Po ashtu, do të ketë kërkesa që të sigurohet ndarja e të ardhurave në të gjithë ekosistemin e futbollit dhe që tifozët e klubeve të përfshira të akomodohen siç duhet.
Propozimet janë ende në shqyrtim, por FIFA synon që sistemi të hyjë në fuqi që nga sezoni i ardhshëm./Telegrafi/




















































