LAJMI I FUNDIT:

Reportazh nga Shkodra – dashnorja e shekujve (Foto/Video)

Reportazh nga Shkodra – dashnorja e shekujve (Foto/Video)

“Shkodra ka plot dashuri”. Por, këtu dashuria nuk është veç një fjalë. Është frymë që i jep shpirt një qyteti që rënia s’e mund, sepse i vjen ringjallja – nga njerëzit e ditur e të guximshëm…

ËNDRRAT DHE PUSHTIMI


Shkodra është qytet ku të çojnë ëndrrat. Mund të jetë qytet i shëmtuar me një natyrë të bukur. Mund të jetë qytet i vuajtjeve që s’iu ndanë. Por, nuk mund të harrohet. Sepse, toka e lakmuar nga çdo pushtues, të bën për vete. Pushtimi nis brenda Shkodre. Nga njerëzit, pra…

Gjuhadoli (Foto: Albert Vataj)

“Përherë shoh ëndrra se jam këtu”, thotë Alban Gjata, një zotëri që një pjesë të fëmijërisë e ka kaluar në këtë qytet, ku edhe ka diplomuar për Mësuesi në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Ai ka mbaruar edhe arkitekturën në Itali, e sot punon në një nga institucionet më të rëndësishme shkencore italiane. Teksa ecën rrugëve që kanë ruajtur tiparet origjinale, Albani ka dëshirë të citojë Pier Paolo Pazolinin që thoshte: “Varfëria i mbron monumentet e kulturës“. Ndoshta kjo thënie i ka hije edhe Shkodrës…

Alban Gjata, në “studion” e Marubit

E, duke dëgjuar këtë citim prej gojës së Alban Gjatës, kalojmë në Lagjen e Gjuhadolit, të rindërtuar më së shumti pas vitit 1905, kur një tërmet shkatërrues goditi Shkodrën. Atëherë, pjesa e zgjuar dhe përparimtare e shkodranëve, angazhuan një nga shqiptarët më të veçantë në histori, Kolë Idromenon (piktor, arkitekt, urbanist, fotograf, kompozitor…), të projektojë shtëpitë e reja. Idromeno u përcaktua të anashkalojë stilin e mëparshëm shkodran të shtëpive. Ai projektoi dy rrugë të gjata e të gjera, ku shtëpitë do të ishin të ngjitura me njëra-tjetrën e ku kati i parë do të shfrytëzohej si dyqan, me kopshte e oborre nga ana e mbrapme.

Në Gjuhadol, në rrugën që lidh Dugajtë e Reja me Kishën Katedrale të Shën Shtjefnit, vijnë e zbresin pingul rrugicat e Pistullorëve, Gurazezëve, Shenkollëve, Gurakuqëve, Fretënve, Murgeshave etj. Vetëm në rrugicën e Gurakuqëve kishin banuar – përveç Luigjit – edhe Ernest e Mikel Koliqi, e madje për njëfarë kohe edhe Bajram Curri. Më vonë, në këtë rrugë e ndër këto rrugica kaluan banorët më të rinj: Frederik Rreshpja, Kel Naraçi, Pjetër Gjini, Pjetër Meshkalla, Kolë Ashta, Tef Palushi, Gjon Shllaku, Rozar Dodmasej, Filip Daija, Zef Zorba, Pjetër Gaci, Paulin Selimi, Primo Shllaku… Kjo rrugë kishte më shumë intelektualë se rajone të tëra shqiptare. Sikur të shënoheshin emrat e tyre nëpër pllakat e gurta të kësaj rruge, njerëzit do të ecnin të gjithë kryeulët. Kjo ishte, “Republika” e Gjuhadolit!


Nexho Shabani, me mikun e tij, humoristin tashmë të ndjerë Paulin Selimi, kanë shkruar 16,000 vargje humoristike më 1997 – aq sa ka vargje Iliada “e” Homerit

Në Gjuhadol ndihet mirë edhe skulptori Alfred Kedhi, që me vite të tëra jeton dhe vepron në Itali. Kedhin mbase e kthejnë ëndrrat në Durrësin e tij, apo te veprat që la nëpër Shqipëri, që nga “Gjelat mbi pus” (1987). Por, në Shkodër kërkon diçka tjetër: humorin! Për këtë “përgatitet” me fletore, që “të mbajë shënime”. Mirëpo, e qeshura rrezaton edhe nga ai. Mjafton ta kujtojë Nexho Shabanin – të fundit të humorit tipik shkodran, se si e do “vendlindjen” – për t’i ngjallë dhuntitë e heshtura.

Skulptori Aldred Kedhi në Shkodër, para veprës së kolegut të tij, dekanit të Fakultetit të Arteve të Bukura në Tiranë, Ardian Isufi, të punuar me mbetje të granatave të kohës së komunizmit

MITI I SAKRIFICËS…

Shkodra është një ndër qytetet më të lashta në Evropë. Që në antikitet ishte qendër e rëndësishme e labeatëve, me në krye Gencin. Lashtësinë e qytetit e dëshmon Kështjella e Rozafës. Me kështjellën lidhet një mit që pavetëdijshëm mban peng shqiptarët edhe sot.

Sipas legjendës, tre vëllezër të martuar ndërtonin një kështjellë. Çka ndërtonin ditën, prishej natën. Një ditë, një plak u thotë ta lidhin besën dhe të mos ia thonë kujt këtë “plan”: ajo nuse që nesër do t’ua sjell ushqimin, ajo duhet të muroset e gjallë në kështjellë. Dy vëllezërit e mëdhenj paralajmërojnë gratë, ndërsa e vogla, Rozafa, bie në grackë nga burri naiv: muroset. Jashtë thuhet se kërkoi t’i mbetet njëri gji, që t’i japë qumësht të birit që la jetim. Kështu, ajo i dha jetë një qyteti, një historie…!

Pamje nga hyrja në Kështjellën e Rozafës

Por, Rozafa u tradhtua dhe tradhtia e meskinëve dhe cytja në sakrificë e naivëve do t’i ndjekë shqiptarët përherë. Ajo në fakt u vra, por siç do të thoshte Gjekë Marinaj i Malësisë së Shkodrës, në poezinë e tij “Rrëfimi i Rozafës” – një si shpjegim i tendencës gjenetike shqiptare për të fshehur të vërtetën që dhemb: “Nën pretekstin se të gjithë patën të drejtë/ edhe unë murosa brenda vetes fjalën ‘vrasje’”! Ndërsa, i persekutuari nga regjimi komunist, Frederik Rreshpja, në poezinë “Kthim në vendlindje” – duke zbërthyer edhe realitetin e hidhur të krijuar nga e keqja e shqiptarit – thoshte: “Ja u ktheva përsëri në Shkodrën e mbretërve/ ngritur gurë-gurë/ mbi supet lakuriq të një gruaje/ nga vëllezërit tradhtarë”!

Triada, sipas koncepteve të pitagorianëve të antikitetit – të mbështetësve të koncepteve filozofike dhe matematikore të Pitagorës – kishte të bënte me urtësinë, besimin, maturinë, miqësinë, paqen dhe harmoninë. Por, aktorja Julinda Emiri, që në Shkodër punonte në shfaqjen “Jashtë derës”, pasi hasi në tre punëtorë që bënin restaurime në Kala, qëndroi në distancë. Sepse, shqiptarët i “rrëzojnë” rregullat e Pitagorës! Në mitin e murosjes me tradhti, nuk ka tre-unitet (trinitet). Kështjella si gërmadhë, ndoshta është dëshmi e kësaj.

“Rozafa” (Juinda Emiri), pranë “tre vëllezërve”

Më 168 p.e.s., romakët ngadhënjyen mbi ilirët dhe e pushtuan Shkodrën. Më vonë pushtimi bartet te Bizanti, perandori kjo e cila lejoi dyndjen e sllavëve në rajon, që në shekullin VII. Vendi do të pushtohej më 997 nga Samueli i bullgarëve e në shekullin XI nga Jovan Vladimiri i Duklës, nga Bodi francez e nga Nemanjiqët e Zetës. Në shekullin XIV qyteti kthehet nën sundimin e Balshajve, e më 1396 nën Venedikun që rindërtoi Kështjellën. Në atë kohë në qytet zbatohej ligji civil i njohur si Statutet e Shkodrës. Më 1453 bie Konstantinopoja, e më 1479 Sulltan Mehmedi i II-të pushton edhe Shkodrën. Për 434 vjet qyteti do të jetë nën sundimin otoman. Mirëpo, derisa otomanët Kishës Ortodokse ia dhanë fuqinë e miletit autonom, e njëjta nuk vlente për Kishën Katolike. Kishat katolike u shkatërruan ose u shndërruan në xhami.

Kisha e shndërruar në xhami, brenda Kështjellës së Rozafës

SHEKULLI I RINGJALLJES

Pas pushtimit të Shkodrës, pjesa e pasur e popullatës mësynë Italinë. Një pjesë e shtresës së mesme zuri vend diku kah Dalmacia e sotme, deri në Xarë (Zarë). Ndërsa, pjesa më e varfër u tërhoq e u izolua nëpër male. Kështu, qyteti njëherë pothuajse i braktisur e i rrënuar, nisi të dominohej nga besimtarët islamë. Duhet cekur se katolikët s’i kishin të drejtat e barabarta me të tjerët, madje meshat i mbanin nën qiellin e hapur.

Gjërat nisën të ndryshojnë nga viti 1720 (në Shkodër atëherë ishin shtatë selitë e konsullatave të Fuqive të Mëdha të Evropës), kur nga malet në qytet u rikthyen banorët e krishterë. Atëherë ndodh një “paradoks”: katolikët vendosen në anën lindore (në tokat e lëna, të varfra e të thata) e myslimanët ishin në anën perëndimore të qytetit, bri ujërave të liqenit.

Në atë kohë – pas betejës së vitit 1577 e fitores së shqiptarëve kundër turqve – Shkodra kishte të drejtën të qeverisej nga vendasit, që e bënë qytetin të ketë fuqinë më të madhe ushtarake në rajon. Por, shndërrimi i qytetit në vatër të dijes e kulturës shqiptare, do të ndodhë tek në shekullin XIX.

Tavani i Katedrales së Shkodrës (1858), i punuar nga Kolë Idromeno

Përmes Kultusprotektoratit, Perandoria Austro-Hungareze merr përsipër mbrojtjen e katolikëve të veriut të Shqipërisë. Kështu, më 1861 hapet shkolla françeskane e Shkodrës, ku për herë të parë gjuhë bazë ishte shqipja (kjo shkollë vuri themelet e shkollave të mëvonshme publike në trojet shqiptare). Po ashtu, jezuitët më 1877 hapën Kolegjën Saveriane. Ndërsa, një vit më vonë, Motrat Stigmatine hapën shkollën për edukimin e vajzave.

Në Katedralen e Shkodrës është edhe një “simbol” që ngjall kërshërinë e adhuruesve të teorive të komplotit, të prirë të ndërlidhin gjërat me lozhat e masonerive sekrete. Në këtë pjesë, nën “trekëndëshin mason”, shkruan ”Dio Vede Tutto” (Zoti sheh gjithçka)

Meritë tjetër e françeskanëve është se dhanë kontribut edhe në rilindjen kombëtare, duke studiuar gjuhën, eposin, kanunin dhe përrallat shqiptare. Në anën tjetër, jezuitët që kishin ideologji më kozmopolite, pra përtej kombit, sollën në qytet vlerat e botës, si p.sh. teatrot, muzikën, futbollin, shkencat etj. Aq shumë zhvillohet kultura sa që qyteti do të ketë shpejt shtatë skena teatri. Duhet theksuar se në shkollat e sipërpërmendura fëmijët i dërgonin edhe shqiptarët myslimanë. Në Shkodër p.sh. u shkollua Faik Konica, Qemal e Veli Stafa nga Elbasani, Muzafer e Arshi Pipa nga Libohova, e shumë nga Vrionasit e njohur të Beratit e të Fierit.

Muzeu “Marubi”, te “Pedonalja” e Shkodrës, e mbushur çdo ditë me turistë të huaj

Një gjë tjetër e mirë i ndodhë qytetit në shekullin XIX. Një mbështetës i Garibaldit u largua nga Piançenca e Italisë, ku thuhet të ishte përfshirë në vrasjen e kontit të qytetit. Ai kërkoi strehë në Korfuz, që ishte nën kontrollin britanik, të një perandorie që nuk e donte bashkimin e Italisë e as elementet që ishin pro këtij bashkimi. Kështu, largohet e kërkon strehë në Vlorë – qytet ky i vogël e i pazhvilluar. “Shko në Shkodër, se atje e gjen veten”, i tha dikush atij.

Pamje nga Muzeu “Marubi”

Dhe, u nis, bashkë me një jurist, një mjek e një muzikant. Ky është Pjetër Marubi, themeluesi i studios së parë fotografike në Evropën Juglindore (1856). “Qyteti kishte mir’prit’ kráh’háp nji magjistar, qi ndezte flakë do pluhna dhe lângje e mândêj t’népte në dorë nji copë letër të trashë ku ishe pikrisht ti”, shkruanin kronikat e kohës. Nga ai u fiksua në përjetësi pamja e shqiptarit të parë në “dritëshkronjë” (fotografi), Hamzë Kazazi. Marubi, që ishte edhe piktor, ishte mik i Arsen Idromenos. Me propozimin e tij, për studime në Itali shkon i biri i tij, Kola.

Shkodra po bëhet atraksion për të huajt. Shembull është shtëpia e rilindësit Filip Shiroka, e ndërtuar më 1694 dhe e restauruar me kujdes nga Gjon Dukgilaj. Nga ky objekt historik, i shndërruar në hotel, organizohen guidat drejt natyrës përrallore të rrethinës së Shkodrës

ZADRIMA E ZOTIT DHE KOMBIT

Thuhet se Shkodrën e begaton rajoni dhe njerëzit që lindin në rrethinë të këqij qyteti. Kështu, Zadrima, një vend me trashëgimi të madhe kulturore, njihet edhe si vendlindja e priftërinjve që dhanë kontribut të madh për kombin. Nga ky rajon ishte Frang Bardhi (1606-1643) – leksikografi, folkloristi e etnografi i parë shqiptar. Nga ky rajon ishte edhe Gjergj Fishta – shqiptari i parë i kandiduar për çmimin Nobel për Letërsi – që Zadrimën e quante “Zonja hijerandë, krenare dhe qëndrestare”. Nga Zadrima është edhe Dom Marjan Lumçi që njeh përmendësh krijimtarinë e Fishtës. Fishta ishte françeskan dhe ky rend njihej për jetën modeste, mes popullit dhe në shërbim të popullit. Dom Marjani shërben në Tiranë, dhe përpiqet që me gjithë klerikët e tjerë shqiptarë, qoftë katolikë, myslimanë, ortodoksë apo bektashinj, të punojë për paqe, unitet e të mirën e të gjithëve.

Autori i shkrimit dhe Dom Marjan Lumçi

Është një barsoletë se si një nënë interesohet në kishë se si mund të bëhet djali i saj prift. Prifti ia shpjegon: “Nëse dëshiron të jetë prift dioqezian, duhet të studiojë tetë vite. Nëse dëshiron të jetë françeskan, duhet të studiojë 10 vite. Por, nëse dëshiron të jetë jezuit, duhet të studiojë 14 vite”. Nëna, pasi mendon pak, thotë: “Regjistroje për jezuit, se është i ngadalshëm”! Fishta, si nacionalist që ishte, akuzohej shpesh në Vatikan se është patriot më shumë se ç’ia lejonte petku i klerit. Këto akuza bëheshin kryesisht nga jezuitët të cilët edhe letërsinë e tij e përdornin si argument për etiketime. Çuditërisht, shumë prej akuzave vinin nga albanologu i njohur, Zef Valentini. Por, Fishta, që nuk i donte llafet e kota – për çka hoqi dorë nga posti i deputetit nga Shkodra, sepse nuk mund t’i duronte “këto parla-parla-parla të parlamentarëve tanë!” – nuk ua linte mangët me humorin e tij të hollë. Njëherë ai goditi këtë “jetën studioze” të jezuitëve, si më poshtë:

“Çoj Selia e Shenjtë një vizitatuer me pa se si e kalojshim ditën na Fretnit dhe Jezuitët. Ma së pari ai vojt ndër Jezuit dhe nisi me i pyet tuj marrë shënim:

– Naden, kur çoheni ça bani?

– Lutena.

Po mandej? Shkojmë në kishë. Po mandej? Hamë sillën. Po mandej? Lutena. Po mandej? Xâmë dhe mësojmë. Po mandej? Lutena. Po mandej? Hamë drekën. Po mandej? Xâmë dhe mësojmë. Po mandej? Lutena. Po mandej? Xâmë dhe mësojmë. Po mandej? Lutena. Po mandej? Hamë zemrën. Po mandej? Lutena. Po mandej? Shetisim. Po mandej? Lutena. Po mandej? Flemë.

Vizitatori mori shënim dhe u nis të nesërmen te Fretnit. Aty nisi me pyet At Provincialin:

– Ça bâni nadje, kur zgjoheni?

– Fill e në nevojtore.

– Po mandej?

– Prap aty.

– Po mandej?

– Aty e aty.

– Mâ xhanëm tri herë rresht?

– Ishte e dijtun. Po si kujtove ti? Kur jezuitët mos të shkojnë asnjëherë, na duhet ne me e plotësue këtë nevojë…”!

Tre kolosë: Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta dhe Ndre Mjeda (Foto: Marubi)

RRETHIMI, ARTI DHE BAKU

Shkodra në shekullin XX përjeton tmerrin. Në vitin 1912, qyteti rrethohet nga forcat malazeze për afro 190 ditë. Rrethimi nisi më 8 tetor 1912, ndërsa zgjati deri tek dorëzimi i dyshimtë nga Esat Pashë Toptani – më 25 prill 1913. Me presionin e Austro-Hungarisë, malazezët detyrohen të tërhiqen dhe ta lëshojnë Shkodrën në duar të Komisionit Ndërkombëtar të Admiralëve. Më 13 qershor 1913, në kështjellën e qytetit lartësohet flamuri kombëtar shqiptar.

Pas Luftës së Parë Botërore, qyteti rimerr veten, siç do të thoshte Martin Camaj te poezia “Aty si tash para se me ardhë fiset”: “U zgjove e përgjakun sa herë/ u kqyre në pasqyrën tande/ Me emën grueje u lave ndër ujna t’lumejve/ dhe ndeje me petka të reja në shkamb/ e ndritun ballë diellit mbi fusha”! Kështu, Shkodra vazhdon të jetë vend i kulturës, i teatrove, i kinemave, i orkestrave, i studiove të shumta të fotografisë, i shoqatave letrare… Në qytet hapen edhe fabrikat e para, ndërsa më 1920 nis së ndërtuari Kafja e Madhe, sipas projektit të Kolë Idromenos.

Para Kafes së Madhe (më 1938): Gaqo Tashko, Lola Gjoka, Ernest Koliqi, Dom Nikoll Koliqi, Tefta Tashko, Aleks Stavre Drenova (Asdreni), Lasgush Poradeci, Gjergji Canco dhe Koço Tashko

“Aq shumë i qe përhapur fama Kafes së Madhe aso kohe, sa tregonin për një malësor që kishte kursyer gjithë jetën për të ardhur një herë si zotëri me pi një kafe te Kafja e Madhe. Kur mendoi se i kishte bërë të hollat e mjaftueshme për këtë, u la e u pastrua, veshi petkat e reja, kashagiti kalin dhe u nis për në Shkodër. Kur arriti përdrodhi edhe njëherë mustakët, lidhi kalin diku jashtë te trotuari, fryu gjoksin e u ul këmbë mbi këmbë. Kur erdhi kamarieri dhe mbasi porositi kafen e pyeti si me zë të ulët se sa bënte kafja.

– Dhjetë lekë, – i tha kamareri.

– Dhjetë lekë?!!!! – malësori nuk po u besonte veshëve, se i shkreti qe përgatitur për shumë më tepër. – A po m’ia mbushë, pra, një kovë edhe kalit?” (Çapaliku, S. (2016). Secili çmendet simbas mënyrës së vet. Shkodër: Gjergj Fishta)

Kafja e Madhe (sot)

Kafja e Madhe sot është e braktisur. Lokali që mblidhte dikur emrat e mëdhenj, që buçiste nga tingujt e haresë e muzikës, është buzë shkatërrimit. Gjendja e saj është pasqyrë e degradimit kulturor të shqiptarit.

Baku i Idromenos

Në gjendje jo të mirë është edhe një vepër tjetër me vlerë. Te Kafja e Madhe, në hyrje, është gdhendur Dionisi (Baku), që dyshohet se është autoportreti i Idromenos.

Altorelievi i Bakut, vepër e Mjedës

Bakun e kishte gdhendur edhe një prej mendjeve më të ndritura shqiptare, Ndre Mjeda. Ajo si foto mund të shihet në Kukël të Zadrimës. Kisha dhe qela aty janë projektuar nga Mjeda dhe në këto hapësira ai ka shkruar “Andrrën e jetës”, një nga poemat më të bukura e më prekëse të letërsisë shqiptare: “Molla t’kputuna nji degët/ dy qershia lidhë n’nji rrfanë/ ku fillojnë kufijt’ e Geget/ rrijnë dy çika me nji nanë..”!

Qela e Mjedës

SHEKULLI I MARRËZISË

Por, në shekullin XX, Shkodra përjeton goditjen më të rëndë: diktaturën. Me ardhjen e komunistëve në pushtet, përndiqen dhe vriten intelektualët. Një foto e Kelë Marubit bëri bashkë shumë françeskanë – ndër intelektualët më të shquar të kohës – në mesin e të cilëve ishte edhe mendimtari dhe krijuesi Pater Anton Harapi. Fatkeqësisht, ata do të vriten menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.

Françeskanët e persekutuar

Atëherë nis edhe falsifikimi i historisë. Shqiptarët e citojnë shpesh fjalën e urtë turke që thotë: “I pari mos dil, i fundit mos rri, e në mes mos bëjë shumë kallaballëk”! Pra, “jeto pa u vënë re”, siç do të thoshte intelektuali i Gjuhadolit, Zef Zorba (“modernisti i parë genuin dhe njiherit hermetiku i parë i poezisë së re shqiptare”, sipas Hans-Joachim Lankschit). Por, kjo nuk vlente në komunizëm. Prandaj, Alfred Kedhi, i inspiruar nga Shkodra, e tha një barsoletë: “Në mes as në foto nuk është mirë të jesh”!

Alban Gjata, Stefan Çapaliku dhe Alfred Kedhi pranë fotos origjinale që u falsifikua gjatë komunizmit (fshihet imazhi i Gjergj Fishtës)

Gjatë një vizite që një poet i Kosovës bën në Rumaninë komuniste, ai mahnitet me nivelin e poezisë në këtë vend. “Kur bilbilit ia verbojnë sytë, ai këndon më bukur”, i thotë atij një poet rumun, si shpjegim për rrethanat e rënda në të cilat ata jetojnë dhe se arti është strehë ngushëllimi. Zorba, një intelektual i rrallë, ishte përndjekur nga regjimi komunist. Kur vajzës së tij i humb shikimi, më 1975 ai shkruan poemën “Baladë dritash për Lalin”. Me një dhunti e erudicion të rrallë, Zorba zbërthen dashurinë dhe dhembjen e tij për të bijën dhe verbërinë kolektive të kohës: “Por vetëm drita s’ka mbarim/ Si ajo drita përmbi kënetë aso ditësh gushti/ kur mbushte qiellin anë për anë/ me pala të pakufishme/ të një flamuri gjigand/ e gjithfarë ngjyrash/ Veç drita s’ka mbarim”!


Kënga “Kaçurrelat e tu”, interpretuar nga Frederik Ndoci dhe Alisa Baraku

I përndjekur ishte edhe shkodrani tjetër, Gac Çuni, autori i një prej këngëve më të bukura të dashurisë, “Kaçurrelat e tu”. Këtë këngë e ka shkruar në burg. Në mars 1956, pak muaj para se të lirohej, pati një sulm apendiciti. Drejtori i burgut e la të vdiste pa e çuar në spital. Këngën e tij ai kurrë nuk e dëgjoi të interpretuar.

Lekë Tasi, autori i shkrimit dhe Leopold Shkreli

Në mesin e shumë të përndjekurve nga regjimi komunist është edhe Leopold Shkreli. Ai u burgos me dy vëllezër të tjerë, pasi u tradhtua nga “miku” që tha se do t’i ndihmonte të iknin nga Shqipëria (familja i trazohej, meqë vëllai i tyre i madh, mjek në Itali, ishte pjesë e Bllokut Indipendent Shqiptar, një organizatë që punonte për bashkimin e elementëve antikomunistë në diasporë, me qëllim rrëzimin e komunizmit në Shqipëri dhe shpalljen e zgjedhjeve të lira në vend). Leopoldi i mitur, pas arrestimit mbahet për gjashtë muaj në qeli, në errësirë. Drita ndizej kur futej hetuesi. Por, ai nuk u thye dhe i ruajti mentë e kresë.

“Besimi më ndihmonte të jem më i fortë se ata që i kisha i vetëm përballë. Kjo më mbajti”, thotë burri që çdo ditë, në mëngjes, dërgon lule te monumenti i Nënës Tereze në Shkodër.

Monumenti i Nënës Tereze, i mbushur me lulet që i vë Leopold Shkreli

Pasi i vdes vëllai disident në Itali, Leopold Shkreli bëhet trashëgimtar i një prej koleksioneve më të mëdha të pikturave të shkodranit Lin Delija, një piktori me talent të rrallë, i cili shkon në Itali për studime dhe mbetet atje deri në fund të jetës. Italia dy herë ka edituar pullat postare me pikturat e Linit. Ndërsa, punimet e tij sot ekspozohen kudo nëpër botë. Madje, në Osimo dhe Antrodoko ka muze që i kushtohen jetës dhe veprës së tij.

Autografi i piktorit boem

Besimi e mban të fortë edhe piktorin Lekë Tasi, i vetmi i moshuar që nuk u “infektua” nga eksperienca e socrealizimit. Leka e njeh veprën e Linit. Madje, u ndje mirë që takoi Leopoldin, këtë koleksionist që ruan edhe lugën e burgut.

“Më thanë se nëse nuk e marrë lugën me vete, më kthejnë prapa në burg”, qeshet Leopoldi, ndërsa Lekë Tasi – të cilit në tetor iu hap ekspozita me piktura në galerinë private të artistit të njohur Adrian Paci, “Art House” (ekspozitë kjo ku kurator ishte profesori i Universitetit të Arteve në Tiranë, Zef Paci) – ia kthen me shaka: “Pas njëzet viteve si çelisti i parë në Orkestrën e Operës, më internuan për 15 vite. Ishte si një lloj ‘avancimi profesional’ që ma bënë”!


Pamje nga hapja e ekspozitës “Persona”, me vepra të Lekë Tasit në “Art House”

E, kur është fjala për galerinë “Art House”, kjo është një nga galeritë më të bukura e më të mëdha private në trojet shqiptare, që ka për synim të afrojë njerëzit e artit – që të ndajnë me të tjerët përvojat, e ta begatojnë e fisnikërojnë së bashku jo vetëm botën shqiptare. Galeria moderne është ndërtuar me shumë shije, por edhe me kujdes që të mos e konkurrojë shtëpinë e vjetër shkodrane me të cilën ndan oborrin, e ku gjendet atelieu i artistit të respektuar, Zef Paci. Galeria e Ardianit dhe atelieu i Zefit janë shembulli më i mirë se si duhet të ndërthuret e bukura e kohëve të dikurshme dhe e kohëve të tashme.

FORCA E BESIMIT

Lekë Tasi u lind më 1929 në një familje të pasur e të ngritur përmetare. Në vitet 1939-1943 ka studiuar violonçelin nën drejtimin e pedagogut Walter Caletti. Babai i tij, Koço Tasi, jurist i diplomuar në Romë, në vitin 1941 ishte guvernatori i parë i Kosovës. Është meritë e tij hapja e shkollave shqipe në tokat e çliruara (ku përfshihen edhe ato në Maqedoni). Shkodrani Ernest Koliqi, si ministër i Arsimit të Shqipërisë, vendosi t’i dërgonte mësuesit. Por, bashkëpunëtori i Koliqit, Koço Tasi (një tosk që e donte me fanatizëm gegnishten) u kujdes për objektet, financimin dhe mbarëvajtjen e mësimit. Ai ka themeluar edhe administratën e parë lokale në Kosovë, ka administruar me ndershmëri taksat dhe ka emëruar edhe kryetarët e bashkive në Kosovë dhe në tokat tjera të çliruara, sipas standardeve më të mira, duke vënë në poste njerëz të aftë e të ndershëm – assesi jo injorantët e matrapazët!

Lekë Tasi

Lekë Tasi, i cili që në fëmijëri ka ditur anglishten, frëngjishten dhe italishten, u dënua nga komunistët me punë të detyrueshme në bujqësi. Xhaxhai i tij, intelektuali i madh Akile Tasi, i diplomuar në Bolonjë – ish-ministër i Kulturës – vdiq në Burrel. Babai i tij – deputet i Parlamentit të parë shqiptar, ish-ministër i Drejtësisë e kryetar i Gjirokastrës në momentet më të rënda të kërcënimit të grekomanëve – u dorgj për 20 vjet në Burrel (vëllezërit Koço dhe Akile flisnin nga 10 gjuhë të huaja). Burgjet i vuajti edhe vëllai Napoleoni që ka përkthyer ndër të tjera sonetet e William Shakespearit, sonetet e John Keatsit dhe George Byronin, motra këngëtare lirike, Tefta, të cilën donin ta bënin spiune… Sikur kjo të mos mjaftonte, anëtarët e kësaj familjeje intelektuale edhe u internuan, fat të keq të cilin e përjetoi për 15 vite Lekë Tasi – çelisti i parë në Orkestrën e Radios dhe të Teatrit të Operës, i cili do të detyrohet të kryejë punë të rënda fizike.

Por, Lekë Tasi është njeriu më i qetë që mund ta takosh. Një njeri që rrezaton mirësi, si pakkush. Prej nga vjen kjo forcë e urtësi, pas gjithë atyre vuajtjeve?

“Mbase se gjithë jetën isha optimist”, thotë Lekë Tasi, i cili çdo ditë lutet për të tjerët. Për të plan nuk mund të bëjë askush. Planet janë shkruar më herët, veç nga Ai.

Pamje nga ekspozita në Shkodër, me veprat e Lekë Tasit: Nga e majta: Aleksandra Tasi, Melisa Paci, Elektra Haxhia dhe Teuta Xhindi

“Duke u rritur kuptoja se mirësjellja ime vinte nga paaftësia natyrale për t’u grindur e njëherazi si një mjet për t’u liruar paqshëm nga gjërat që s`më interesonin”, thotë ai në dokumentarin që i dedikohet, të realizuar nga regjisori shkodran, Ervin Çoba, që po ashtu u promovua në “Art House”. “Ku është sekreti? Tek besimi. Unë nuk marr fort parasysh kushtet, unë kam parasysh besimin në Zot”.

Në Shkodër – pas vuajtjes së dënimit – do të jetojë vëllai i tij, Napoleoni, që ka ditur rrjedhshëm pesë gjuhë të huaja. E bija e tij e madhe, Aleksandra, jeton sot në Tiranë. Fëmijëria e saj nuk ishte e lehtë.

“Shiheshim ndryshe; na përkujtonin në shkollë se po e dinë kush jemi e se cila është familja jonë”, thotë ajo, teksa shton se amaneti i gjyshes së saj dikur ishte që trashëgimtarët e tyre të krijonin martesa me shqiptarë të Kosovës. “Por, s’e di nëse do ta thoshte të njëjtën sot”, shprehet me të drejtë, meqë Kosova nuk ia dha asnjë respekt njeriut që ia hapi sytë – Koço Tasit.

TELEVIZORI SI PORTAL DREJT BOTËS SË LIRË DHE ME SHPIRT

Një tjetër njeri që e bën Shkodrën të veçantë, është Lazër Çapaliku – eksperti i agronomisë, i cili me familjen e tij ka jetuar në Gjuhadol. Ai sot është 85 vjeç, i fortë, me mendje të kthjellët e respekt të madh për njerëzit. Për të pensionimi nuk ekziston. Kështu, zgjohet çdo ditë herët në mëngjes, merr biçikletën dhe hap barnatoren e tij bujqësore, që është edhe pikëtakim i shkodranëve më të moshuar që kujtojnë të mirat e të këqijat e dikurshme të cilat pakkush nga gjeneratat e reja mund t’i kuptojnë!

Në fillim të vitit 1970, teksa u kthye nga një specializim për agronomi në Rumani, Lazër Çapaliku solli në Shkodër një televizor, “Venus”. Në qytetin me afro nëntëdhjetëmijë banorë, ky ishte dikur televizori i pestë. Antena këtij televizori iu kthye kah Italia dhe shtëpia e tij u shndërrua në “atraksion” të ri të qytetit, nga ku mësoheshin rrjedhat e botës normale.

Familja Çapaliku me Lazrin e vogël (1934)

Ky televizor i kishte shtuar miqësitë, por gjërat ndryshuan nga viti 1972, kur me pjesët që merreshin nga Nishi i Jugosllavisë, në Durrës u prodhua televizori “Rozafa”, e me pjesët rumune nisi të prodhohej televizori “Adriatik”.

“Që prej vitit 1974 kishte nisur njëfarë zbrazjeje e shtëpisë… Kjo kish ndodhë pak ngase kishin filluar të përhapeshin televizorët, e pak ngase njerëzit nuk e kishin më gjithë atë qejf për të ndenjur së bashku… Pastaj, antenat qenë vendosur në majë të malit të Taraboshit, që i rri qytetit skiç… Televizori nuk transmetonte më asgjë, përveç programeve të Tiranës… Kësaj i thonë të shohim veten. Të mos kemi më dritare me xhama, por në vend të xhamave të kemi pasqyra e të kënaqemi përditë duke parë shëmtinë tonë”! (Çapaliku, S. (2016). Secili çmendet simbas mënyrës së vet. Shkodër: Gjergj Fishta)

Shtëpia e dikurshme e Lazër Çapalikut, kati përdhes i së cilës ishte përherë i mbushur me mysafirët që donin të shihnin programet italiane në televizor. Në këtë shtëpi ka jetuar dikur edhe Hilë Mosi

Shkodran mund të lindësh, po edhe të bëhesh. Por, kjo botë e pasur me njerëz me botë, dhe e varfër gjatë historisë nga njerëzit e pushtetshëm pa tru e pa shpirt, shpjegohet më së miri në veprën “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, të Stefan Çapalikut, dhe pjesën e dytë që së shpejti pritet të dalë në shitje. Aty kupton se mirësia megjithatë është më e fuqishme se e keqja dhe se “ne mund të lëvizim vetëm prej një fjale”!

JASHTË DERËS, KËTU E ATJE

Edhe Millosh Gjergj Nikolla (1911-1938) ka jetuar në Shkodër, ku komunistët ndërtuan një teatër me emrin e tij. Projekti u bë nga një rus. Në fakt, ky është i vetmi teatër në trojet shqiptare i nisur e i mbaruar tamam si objekt teatri.

Lozhat e Teatrit “Migjeni” në Shkodër

Në këtë teatër, në tetor u dha premiera e shfaqjes “Jashtë derës”, me tekst të gjermanit Wolfgang Borchert (1921-1947) – sipas përkthimit të Afrim Koçit – e regji të Stefan Çapalikut. Borchert e donte artin, lirinë dhe kombin e tij, por e pësoi në shtetin e sunduar nga çmenduria – nazistët.

Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, fëmijën e prindërve intelektualë hamburgas e gjeti me mushkëri dhe veshkë të shkatërruara. Më e keqja, idealet e tij ishin rrënuar. Kështu, fati i tij jetësor është i ngjashëm me atë të Migjenit shqiptar. Që të dy vdiqën të nëpërkëmbur nga sistemi, me zemër të plastë, pa i mbush të tridhjetat e pa mundur ta shprehin si duhet dhuntinë e tyre për art.

Pamje nga provat e shfaqjes, “Jashtë derës”

Kjo dhembje ndjehet te tragjedia “Jashtë derës”, premierën e së cilës Borchert nuk e pa. Aty ai flet për të rinjtë e përvuajtur të cilët as lumi Elba nuk i merrte kur hidheshin për t’u mbytur. Ky ishte fati i personazhit Beckmann, alter egos së tij dhe shumë të rinjve tjerë që ktheheshin për të parë se vendet e tyre i kanë zënë të tjerët. Kjo ishte koha kur njerëzit e braktisën Perëndinë, dhe Ai nuk mund të bënte gjë për ta!

Pamje nga provat e shfaqjes “Jashtë derës”, me mjeshtrin e koreografisë, profesorin Gjergj Prevazi. Ulur: aktorët Julinda Emiri dhe Rafael Hoxhaj

“Kur u rritëm ca, na flisnin për luftën… Dhe, kur pastaj ne u rritëm më tepër, ata e sajuan një luftë edhe për ne… Na nisën në front. Pa na thënë asgjë. Vetëm: ‘Ju vaftë mbarë, djema!’… Tani del se nuk na nisi askush… Tani të gjithë rrinë brenda dyerve të tyre. Dyert i kanë mbyllur paq, ndërsa ne qëndrojmë jashtë”, thotë ai në dramën e tij.

Artistë dhe njerëz të mirë – një pjesë e trupës së shfaqjes “Jashtë derës”: Në këmbë (nga e majta): Pjerin Vlashi (aktor), Enver Hyseni (aktor), Stefan Çapaliku (regjisor), Jozef Shiroka (aktor), Divni Gushta (skenograf). Poshtë (nga e majta): aktorët Nikolin Ferketa, Merita Smaja dhe Julinda Emiri

Edhe shqiptarët e kanë braktisur Perëndinë. Më 1967, prifti shkodran Pjetër Meshkalla (1901-1988), në “gjyqin popullor” të mbajtur kundër tij më 1967, ju tha troç atyre që prishnin kishat e xhamitë: “Turp”!

“Kur linda kisha vetëm nji emën; ky ishte emni Shqiptar, sepse linda prej prindve shqiptarë e mandej u pagzova e më vuen emnin Pjetër e më quejtën katolik… Pra, emni i parë që kam marrë në këtë tokë dhe e kam mbajtë me nder, ka qenë emni Shqiptar”, tha Meshkalla – shoku i klasës së Tefës, babait të Lazër Çapalikut – i cili paralajmëroi pushtetarët që e akuzonin si tradhtar e si agjent të Vatikanit: “Njerzit janë të lidhun me bukën e gojës dhe kjo rini servile që po rritni asht ajo që s’do të durojë ma, që do t’ju shporr qafe e një ditë ka për t’jua hangër kryet”!

Fjala e Meshkallës është profetike. Vlen edhe për sot, në këtë demokraci e tranzicion të çoroditur nga sundimi i matrapazëve. Njerëzit po lidhen me bukën e gojës, po bëhen servilë, por gjithçka mund të ndryshojë, papritmas, sepse ne vërtetë mund të lëvizim, “vetëm prej një fjale”! Si Shkodra, dikur… /Telegrafi/