KQZ: Deri në ora 09:00 votuan 11.24% e votuesve në përfaqësitë diplomatike - pamje nga votimi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e parë lidhur me procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të 7 qershorit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media bëri të ditur se sipas të dhënave gjatë këtyre orëve të para të votimit në 25 përfaqësi nga 30 përfaqësi diplomatike ku ka filluar dhe po zhvillohet votimi, deri në orën 09:00, nga 27,724 votues të regjistruar, kanë votuar 11.24% e tyre apo 3,117 votues”.
“Ju njoftoj se procesi i votimit në orën 06:00, sipas kohës lokale në Kosovë, procesi i votimit ka filluar në ambasadën dhe konsullatën e Republikës së Kosovës në Ankara dhe Stamboll, ndërkaq, në orën 07:00, gjithashtu sipas kohës lokale në Kosovë, votimi ka filluar edhe në 24 përfaqësi të tjera diplomatike që ndodhen në Evropë”, tha ai.
Elezi tutje bëri të ditur se votimi në dy përfaqësitë diplomatike në ShBA, në ambasadën në Uashington si dhe në konsullatën në Nju Jork si dhe në dy të tjera në Kanada, Otavë dhe Toronto do të fillojë në orën 07:00 sipas kohës lokale në këto shtete, përkatësisht në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë. /Telegrafi/









































