Renditja e fuqive në Kupës së Botës 2026: Nga Franca te Spanja, Gjermania dhe Brazili - kush kryeson listën e favoritëve?

Fillimi i Kupës së Botës 2026 është shumë afër. Sezoni i klubeve po hyn në fazën e tij të fundit, ndërsa trajnerët e ekipeve kombëtare tashmë po formojnë skuadrat që do të shkojnë në Kampionatin Botëror në Amerikë, Kanada dhe Meksikë.
Favoritët po dalin në pah, balancat po ndryshojnë dhe një gjë është e sigurt: kjo mund të jetë një nga garat më të forta të dekadave të fundit. Nga Evropa në Amerikën e Jugut, emrat janë të mëdhenj… por vetëm një do të mbetet në fund.
Po i hedhim një vështrim në ekipet më të forta që po shkojnë drejt këtij turneu dhe renditur fuqinë e tyre për Kupën e Botës 2026.
Franca
Franca mbetet favoriti kryesor për fronin botëror. Thellësia e skuadrës dhe eksperienca në turne të mëdhenj e bëjnë një makineri të ndërtuar për sukses.
Nën drejtimin e Didier Deschamps, “Gjelat” synojnë një tjetër finale. Dhe me Kylian Mbappe në fushë, çdo skenar bëhet i rrezikshëm për kundërshtarët.

Spanja
Spanja hyn në këtë turne si skuadra më në formë dhe me identitetin më të qartë në lojë. Kampionët e Evropës kanë ndërtuar një ekip që kontrollon çdo ritëm dhe dominon çdo kundërshtar.
Brez i ri, energji e re dhe një filozofi që po funksionon në perfeksion. Kjo Spanjë nuk është thjesht pretendente, por standardi që të gjithë duhet ta arrijnë.

Argjentina
Kampionët në fuqi nuk largohen nga skena pa luftë. Edhe pse historia nuk është gjithmonë në anën e tyre, cilësia dhe përvoja mbeten armë të forta.
Me Lionel Messin drejt fundit të karrierës ndërkombëtare, çdo ndeshje mund të jetë e fundit… dhe çdo moment, vendimtar.

Anglia
Anglia vjen me një nga gjeneratat më të kompletuara të viteve të fundit. Kombinimi i talentit të ri dhe liderëve të konsoliduar krijon një skuadër të balancuar dhe ambicioze.
Me Harry Kane dhe Jude Bellingham në krye, anglezët nuk duan më vetëm premtime, por trofe.

Portugalia
Portugalia ka talent të jashtëzakonshëm, por gjithçka varet nga balanca brenda skuadrës. Potenciali është aty, por duhet të shndërrohet në rezultate.
Figura e Cristiano Ronaldos mbetet qendrore. Nëse gjithçka funksionon, kjo skuadër mund të shkojë shumë larg.

Gjermania
Gjermania është rikthyer në mesin e pretendenteve, por ende nuk bind si një kampione e plotë. Pas krizës 2018-2022, projekti i Julian Nagelsmann po sjell stabilitet dhe identitet të ri, ndërsa fitoret ndaj Zvicrës dhe Ganës, me Florian Wirtz në super formë, kanë rikthyer optimizmin.
Megjithatë, dyshimet mbeten. Mbrojtja vazhdon të jetë pika më e dobët, ndërsa ekipi ende kërkon balancën ideale. Me situatën fizike të lojtarëve si Jamal Musiala dhe Serge Gnabry në pikëpyetje, pyetja kryesore mbetet: a është kjo Gjermani gati për të sfiduar realisht për Kupën e Botës?

Norvegjia
Norvegjia është “outsideri” që askush nuk dëshiron ta përballet. Me Erling Haaland dhe Martin Odegaard në krye, kjo skuadër ka fuqi të pastër sulmuese dhe potencial për të tronditur çdo kundërshtar. Nuk kanë historinë e gjigantëve, por kanë armë që mund të vendosin ndeshje në sekonda.
Megjithatë, realiteti është më i ashpër. Norvegjia ende nuk është testuar në nivelin më të lartë dhe mungesa e eksperiencës në turne të mëdhenj është një hendek i madh. Talenti është i padiskutueshëm, por pyetja mbetet: a mjafton kjo për të bërë histori, apo do të ndalen sapo të përballen me elitën?

Holanda
Holanda është solide, e organizuar dhe e mbushur me cilësi në çdo repart. Një skuadër që rrallë gabon… por ende kërkon hapin final.
Sfida mbetet e njëjtë: a mund të kalojë pengesën e madhe dhe të sfidojë realisht për trofe? “Tulipanë” jo rrallëherë kanë treguar se përkundër skuadrës jo favorite, kanë kapur fazat finale të turneut.

Brazili
Brazili hyn më i qetë se zakonisht, por kjo mund të jetë arma e tyre më e fortë. Pa presionin klasik, rreziku rritet.
Me Vinicius Junior si lider i ri, “Seleçao” mund të shpërthejë në çdo moment dhe të rikthejë dominimin në skenën botërore.
/Telegrafi/























































