LAJMI I FUNDIT:

Regjimi komunist në Shqipëri dhe kopjimi i heronjve sovjetikë e kinezë të punës

Regjimi komunist në Shqipëri dhe kopjimi i heronjve sovjetikë e kinezë të punës

Në vitet 1932-1933, kur jugun e Bashkimit Sovjetik, sidomos Ukrainën, e kishte përfshirë uria e bukës që do të shënonte miliona të vdekur, Nikolai Ostrovsky, një bolshevik i verbuar dhe pothuaj i paralizuar, nga plagët e shumta të marra në luftime do të niste publikimin pjesë-pjesë të një romani që shpejt do të orientonte vëmendjen e propagandës komuniste.

Minatori që frymëzoi regjimet komuniste për ta shpikur “Heroin e Punës Socialiste”
Lexo po ashtu Minatori që frymëzoi regjimet komuniste për ta shpikur “Heroin e Punës Socialiste”

Personazhi kryesor, i emërtuar Pavël Korçagin paraqiste modelin më perfekt të njeriut të ri socialist. Ai ishte një lloj mbinjeriu që i kishte kushtuar të gjithë jetën e tij revolucionit, i kishte dhënë kauzës së Partisë dhe klasës punëtore, trurin, gjakun dhe të gjithë shëndetin e tij.


Mesazhi që autori vinte në gojën e personazhit kryesor ishte i qartë dhe lehtësisht i kuptueshëm: “Gjëja më e çmuar e njeriut është jeta. Ajo na jepet vetëm një herë dhe duhet jetuar në mënyrë të tillë që të mos ndiesh dhimbje torturuese për vitet e kaluara pa qëllim.”

Me titullin kuptimplotë “Si u kalit çeliku”, libri ishte një mundësi e rënë nga qielli që të rinjtë të merrnin leksionet e para për jetën, punën dhe luftën sipas konceptit komunist. Ndërsa, Pavël Korçagini ishte modeli më i shkëlqyer dhe më i kompletuar për tu ndjekur e imituar prej tyre.

Koha do të vërtetonte se personazhet e librit të Ostrovskit, do të ndihmonin së tepërmi propagandën sovjetike në strategjinë për fabrikimin e njeriut të ri komunist. Por, personazhi Pavël Korçagin deri-diku ishte pjellë e imagjinatës dhe, për më tepër, nuk jetonte, nuk ishte i prekshëm. Në epokën e kolektivizimeve dhe zhveshjes së nënshtetasve nga çdo lloj prone private – një aksion që u shoqërua edhe me uri e shumë dhimbje – propaganda komuniste kishte nevojë për një tjetër lloj heroi. Ai duhet të ishte hero i punës dhe mundësisht i gjallë. Hero që me sukseset e tij ti nxisnin masat e popullit të bënin maksimumin në punën e tyre dhe njëkohësisht ti bindnin në superioritetin e rendit shoqëror socialist.

Pothuaj në të njëjtën periudhë kohore dhe sërish në Ukrainën e gjunjëzuar nga uria e vdekjet, të parin, propaganda sovjetike do të peshkonte Alexey Stakhanovin. Punëtor miniere, ai ishte njëkohësisht një makineri e vërtetë njerëzore e nxjerrjes së qymyrit të gurit nga nëntoka. Në gusht të vitit 1935, në prani të kamerave të televizionit, bashkë më tre kolegë hyri në minierë për të zbatuar një metodë të re pune. Pas gjashtë orësh shfaqet triumfues. Së bashku ata kishin nxjerr 102 tonë qymyri, ose 14 herë më tepër se objektivi.

Kjo ishte ngjarja që do e shndërronte Stakhanovin në yllin e radhës të propagandës sovjetike. Ai ishte heroi i padiskutueshëm i punës socialiste. Nëse të gjithë do të ndiqnin shembullin e tij, duke shtuar normat ditore të punës, atëherë socializmi do të triumfonte, madje do të kthehej në ideologji sunduese në rang botëror. Pak vite më pas, duke ia llogaritur përfitimin, propaganda do të shpikte dhe edhe një lëvizje punëtore, të quajtur “Lëvizja Stahanoviste”.

Suksesi i tij dhe nisja e lëvizjes me emrin e tij do të detyronin vetë Stalinin të dilte para popullit për të thurur lavde: “Baza e lëvizjes Stahanoviste ka shërbyer, para së gjithash, për një përmirësim rrënjësor të situatës materiale të punëtorëve … Jeta është bërë më e mirë, shokë. Jeta është bërë më argëtuese. Dhe, kur argëtohesh, puna shkon mirë”.

Në vitet 1935-1940, në Bashkimin Sovjetik do të fabrikoheshin heronj të shumtë të punës socialiste. Ata do të përzgjidheshin në të gjitha fushat e prodhimit e shërbimeve. Heronj do të shpalleshin punëtorë të metalurgjisë dhe të tekstileve, shoferë e makinistë të dalluar, bujkesha e bujq të zhuritur nga dielli …

Edhe pse pa ndonjë lidhje të vjetër me sllavët dhe komunizmin lindor, rreth pesë mijë kilometër më në jug, komunistët shqiptarë, të ardhur në pushtet në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, nuk do të linin shumë kohë të shkonte pa e kopjuar modelin e heronjve që duheshin fabrikuar në kohë paqeje.

E para do të mbërrinte “Lëvizja Stahanoviste”. Gjithsesi në këtë periudhë të parë fokusi do të mbetej te heronjtë e një periudhë të ndërmjetme, që në njërën anë mbështetej të Lufta Antifashiste dhe në anën tjetër në përpjekjet për konsolidimin e pushtetit. Kështu, Hero do të shpallej Ndrec Ndue Gjoka, një arsimtar i vrarë në Mirditë, në janar të vitit 1946, për të cilin gati 20 vjet më pas, me regji të Dhimitër Anagnostit dhe Viktor Gjikës, dhe me aktor kryesor Rikard Ljarjen, do të prodhohej filmi artistik “Komisari i Dritës”.

Trumbetat e propagandës do flisnin gjatë për heroin që shpërndante dije mes fëmijëve, që kishte hapur disa shkolla në zona të thella të vendit dhe që shpërndante në popull mësimet e Partisë. Një vit më pas, më 1947, Hero do të shpallej edhe marinari Spiro Kote, i cili, sipas mësimeve të Partisë, ndaloi arratisjen jashtë vendit të një ushtaraku dhe dy civilëve duke i vrarë në rrethana të panjohura. Në vitin 1967 edhe për këtë ngjarje Kinostudio “Shqipëria e re” do të prodhonte një film artistik, të titulluar “Duel i heshtur”, ku gjithçka merrte përmasa heroike.

Po kështu, në vitin 1949 Hero do të shpallej një funksionar partiak i vrarë nga kundërshtarët e regjimit, i quajtur Bardhok Biba, ndërsa një vit pas, më 1950, titulli i Heroit do t’i jepej Pal Mëlyshit, një punonjësi të Sigurimit të Shtetit, të vrarë në përpjekje me të quajturat banda diversante. Edhe për këtë personazh kineastët duhet të prodhonin një film artistik përplot me heroizma.

Por, edhe pse komunistët kërkuan dhe sollën në Shqipëri disa heronj sovjetikë të punës, që u dërguan të jepnin përvojën e tyre revolucionare në ara e ndërmarrje të ndryshme, sërish ata do e kuptonin me vonesë vlerën e tyre. Duhej pritur të vinte miqësia e madhe me Kinën e Mao Zedongu, bashkë me përvojat e shumta kineze të eksportuara, që komunistët shqiptarë të kuptonin rëndësinë e heronjve të punës. Saktësisht gjithçka do të merrte udhë pas përdorimit me sukses, nga propaganda kineze, të figurës së Lej Fenit (Lei Feng) … /ABC News/