LAJMI I FUNDIT:

Reformat që ushtria austro-hungareze synoi në Shqipëri

Reformat që ushtria austro-hungareze synoi në Shqipëri

Më 23 janar 1916, trupat e rregullta të ushtrisë Austro-Hungareze që ndiqnin këmba-këmbës ato serbe, u futën në qytetin e Shkodrës ku u pritën me ngrohtësi nga popullata …

Të lodhur nga sulmet e pushtimet sllave, të nisura qysh pas dobësimit dhe largimit të Perandorisë Osmane, shqiptarët, bashkë me një pjesë të rëndësishme të elitës, shihnin te Ushtria Perandorake një aleat e garantues të jetës dhe aktivitetit të tyre shoqëror. Por, edhe vetë ushtarakët austriakë e ndienin ngrohtësinë dhe bashkëpunimin e shqiptarëve. Këtë do të vërtetonte edhe, shpallja e parë publike, e nxjerrë po ato ditë, në dy gjuhë, gjermanisht dhe shqip:


Shqiptarë! Ushtria e austro-hungarisë i ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë. Nuk kena ardh si armiq, jo! S’kena ardh si ata që sa e sa vjet kanë shkelun gjan e të mirat tuaja. Po vim si miq shqiptarësh!

Ushtria e jon, që me gjith qef po vjen me ju ndihmue, shpreson qi gjithsecili shqiptar, çfar do fisit kjoft, turk e krishter, ka me u çue, me përzan bashkërisht me ne anmikun me gjithë forcat që kena.

Paria e Shqipërisë, gjaku i juj, u bashkue me ne …

Nga ana tjetër, komanda e trupave austro-hungareze, në dijeni të politikave të Perandorisë me shqiptarët, do të shkruante pothuaj të njëjtat vlerësime, edhe në një urdhër të brendshëm për ushtarët e thjeshtë.

Nuk jemi në Shqipëri si armiq. Populli ka besim te ne. Besimin e tyre duhet ta shfrytëzojmë për të forcuar pozitat e Perandorisë në këtë vend. Nuk duhet të frikësojmë popullsinë me akte arbitrare, sekuestrime të pajustifikuara dhe të dhunshme … Ata që do të veprojnë ndryshe, do të ndëshkohen me ligje të rrepta. Nuk do të preken kishat, xhamitë si dhe të drejtat e muslimanëve … Respektoni zakonet e banorëve. Në çdo veprim duhet të sillemi si ushtri e një shteti të qytetëruar. Duhet të paraqitemi para shqiptarëve si miq dhe ti trajtojmë miqësisht.

Në pak kohë, pa hasur në asnjë pengesë, linja e pushtimit austro-hungarez do të shtrihej, nga Pogradeci në lindje, do të linte jashtë Korçën, për të ndjekur rrjedhën e lumit Vjosa deri në grykëderdhjen e tij. Pikërisht këtë linjë fronti, ushtria perandorake do ta ruante pothuaj të pandryshuar, deri në përfundim të Luftës së Parë Botërore, duke bërë të mundur bashkëjetesën, për gati tre vjet me radhë, me dy të tretat e popullsisë së Shqipërisë londineze.

Por, si rrodhën ngjarjet që përcaktuan këtë realitet?

Historia thotë se orientimi i Perandorisë Austro-Hungareze drejt faktorit shqiptar ka nisur herët, fillimisht me anë të një ekspansioni fetar, e më tej, duke parë rrënimin e pashmangshëm të Perandorisë Osmane, edhe si interes politik.

Duhet pranuar se Perandoria Austro-Hungareze ndiqte interesat e saj në Ballkan. Pra, përpara se të ndihmonte shqiptarët, të cilët ende nuk kishin një shtet të tyre, Perandoria bënte kalkulimet e interesave të saj.

Frika më e madhe e tyre ishte ekspansioni sllav në drejtim të ujërave të ngrohta të Adriatikut. Dhe, në këtë prizëm, ata nuk llogarisnin më tepër serbët, sesa carët rusë, të cilët gjatë shekullit të fundit  jo vetëm i kishin zgjeruar së tepërmi territoret e tyre, por edhe zotëronin një fuqi të konsiderueshme ushtarake.

Pikërisht qëllimet e Rusisë për të mbështetur zgjerimin e territoreve të sllavëve të jugut, por edhe tendencat e Italisë për zgjerim, do ta bënin që, në këtë periudhë, Perandoria Austro-Hungareze të vendosej në tryezat e bisedimeve të fuqive të Mëdha si një mbrojtëse e pa kompromis e territoreve shqiptare. Madje, politika që duhet të ndiqej me faktorin shqiptar zyrtarizohet edhe nga Ministria e Jashtme.

Historia thotë se deri në mesin e vitit 1914 Perandoria Austro-Hungareze, qoftë në tryezat e fuqive të mëdha, qoftë në marrëdhëniet dypalëshe, ia kishte dalë mbanë të menaxhonte një status pavarësie të Shqipërisë duke mbajtur larg për çdo rast fqinjët e etur për zgjerim territoresh. Porse, përfshirja në Luftën e Parë Botërore, sidomos përballjet e para të ushtrisë austro-Hungareze me ushtritë ruse dhe serbe, do krijonin një oportunitet për të prishur raportet e marrëveshjet e vjetra, sidomos për Italinë.

Kështu, pasi merr pëlqimin e fuqive kryesore të Antantës, më 25 dhjetor 1914, Italia pushton Vlorën. Italianët e justifikuan këtë veprim përpara austriakëve si një kundërmasë që Vlora të mos pushtohej nga ndonjë vend tjetër. Pushtimi i Vlorës do u hapte rrugën vendeve fqinje. Kështu, në qershor të vitit 1915, Mali  Zi dhe Serbia pushtuan Shqipërinë e veriut. Ashtu si edhe italianët, kryeministri serb, Nikolla Pashiq, do të deklaronte se pushtimi u krye për të shkatërruar çerdhet e njohura të Komitetit Xhonturk dhe të Austrisë …

Po kështu grekët shtuan forcat ushtarake duke zyrtarizuar pushtimin e jugut të Shqipërisë dhe nisën masakrat për spastrimin e popullsisë të besimit musliman. Justifikimi i tyre përpara austriakëve ishte edhe më qesharak. Ata shkruanin se pushtimin e kryen me qëllim për të shmangur sulmet eventuale të shqiptarëve të armatosur.

Kjo ishte situata deri në futjen e trupave austriake në territoret e banuara nga shqiptarët në janar të vitit 1916.

Për aktivitetet, investimet dhe reformat që solli prania e austro-hungarezëve në Shqipëri, por edhe në Kosovë, shikojeni dokumentarin e mëposhtëm. /abcnews.al/