LAJMI I FUNDIT:

Red Bull prezantohet me ndryshime të mëdha aerodinamike

Red Bull prezantohet me ndryshime të mëdha aerodinamike

Në radhën e skuadrave pretendente është e fundit që heq mbulesën duke zbuluar disa detaje interesante të njëvendëshes së sezonit të ri.

Red Bull prezanton makinën RB13 që do të kërkojë t’i japë fund hegjmonisë mbytëse të Mercedes. Makina e re e skuadrës austriake është projektuar e gjitha nga Adrian Newey jep zgjidhje radikale në aspektin aerodinamik, transmeton Supersport.


Ndryshimet më të mëdha kanë prekur hundën e njëvendëshes duke krijuar kuriozitet për formën e pazakontë të pjesës së përparme të makinës.

Rregullat e reja kane shtyrë kryeinxhinierin Newey, një nga më inovatorët në sportin e Formula 1, të eksperimentojë zgjedhje që mund të rezultojnë vendimtare dhe në këtë aspekt, drejtuesi i skuadrës, Christian Horner ka shprehur besimin se RB13 do të jetë konkurruese.

Pikëpyetja më e madhe lidhet me njësinë e fuqisë të motorit Renault që gjithsesi gjatë pjesës së dytë të sezonit të shikuar tregoi shenja përmirësimi duke ndihmuar skuadrën e Milton Keynes t’i rezistonte Ferrarit në luftën për vendin e dytë. Pilotët Daniel Ricciardo e Max Verstappen janë shprehur me nota optimiste për njëvendëshen e re.

Australiani shpreh bindjen se këtë sezon fansat e Red Bullit do të shijojnë momente të veçanta, ndërsa holandezi thekson se makina duket shumë agresive por përgjigjet përfundimtare stafi do t’i marrë në testet e para. Me prezantimin e Red Bullit mbyllet edhe cikli i zbulimit të makinave pretendente të këtij sezoni pasi Ferrari, Mercedes por edhe Williams e kanë bërë një gjë të tillë gjatë ditëve të shkuara.