Është rrënuar sot një shtëpi në zonën e “Rrugës A” në Prishtinë, ndërsa banorët kanë kundërshtuar ndërhyrjen e Komunës së Prishtinës, duke pretenduar se çështja pronësore ende nuk është zgjidhur dhe se nuk janë krijuar kushte për largimin e tyre.

Komuna ka ndërmarrë rrënimin e objektit, duke e arsyetuar ndërhyrjen me gjendjen e tij të amortizuar dhe rrezikun që, sipas autoriteteve, paraqiste për sigurinë e qytetarëve.


Banorët, megjithatë, thonë se jetojnë aty prej vitesh dhe se nuk kanë një zgjidhje alternative për strehim.

Banorja Nora Llapashtica tha për Telegrafin se familja e saj jeton në këtë zonë që nga viti 2002 dhe se shtëpia është blerë me mjete financiare, ndërsa çështja e pronësisë së tokës ende nuk është sqaruar.

“Me ardh Komuna me na e prish pa vendim të gjykatës nuk është në rregull. Na prej vitit 2002 jemi këtu, e kemi ble me para dhe ende nuk ka dalë kush është pronari i tokës. Pas 20 e më shumë vitesh me ardh me na e prish shtëpinë nuk është në rregull. Nëse ka rrezik prej punimeve, kjo është tjetër çështje, por ne nuk kemi ku të shkojmë. Nuk kemi shtëpi tjetër dhe nuk na paguan askush qiranë e banesës”, deklaroi Llapashtica.


Edhe banori Fadil Krasniqi ngriti pretendime për çështjen e pronësisë, duke thënë se banorët nuk duhet të mbajnë përgjegjësi për moszgjidhjen e marrëdhënieve pronësore ndër vite.

“S’ka pronë komunale me gjet Komuna. Ne nuk jemi fajtorë për çështjet e pronësisë. Ka njerëz që e kanë blerë tokën para 50 vitesh dhe nuk e kanë përkthyer. Duhet të gjendet pronari i tokës, jo të fajësohemi ne”, tha Krasniqi.

telegrafi.com

Ai shtoi se banorët kanë kërkuar takim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, por sipas tij, nuk kanë marrë përgjigje.

“Na kanë thënë se çështja i është dorëzuar Përparim Ramës, por ne kemi kërkuar të takohemi dhe nuk ka ardhur. Rruga e re është bërë, por sipas nesh nuk është shembur rruga, është rrëzuar shtëpia”, deklaroi Krasniqi.


Krasniqi, ka akuzuar institucionet se nuk kanë ofruar zgjidhje për familjet që jetojnë në këtë zonë dhe ka kërkuar transparencë për pronat.

“Shkoni pyeteni kryetarin, tokën që ia ka qit atij humollit, ku e ka marrë tokën që e ka marrë. Se serbi nuk ka shku, po Kosovë ka qenë. Sa reka ka qenë e nuk ka rrëshqit toka. E tash vjen Komuna thotë është pronë e Komunës. A po paguan për këtë apo çka? A me heq prej këtu, apo ja i rrëzojmë vetë? Ku ia kanë dhënë këtë, a veç milionat me i ba? Hulumtoni me gjet ku i kanë marrë tokat njerëzit që janë tu banu këtu, e këta tu ua rrëzu shpijat”.

“Na e kemi nis me e mbrojt shpijen, jo se na kanë dhënë, se kanë pas vizualitetin e tokës. I kanë zhduk pilotat veç me u rrëzu shpija, i kanë fotografu. Një lagje me mbet pa rrugë, e ai sot ka dashtë me ardhë këtu, Përparim Rama”, ka thënë Krasniqi.

Banorët kërkojnë që institucionet të gjejnë një zgjidhje për çështjen pronësore dhe strehimin e tyre, ndërsa Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë ende një qëndrim publik lidhur me pretendimet e banorëve. /Telegrafi/