LAJMI I FUNDIT:

Reçica: Bizneset të respektojnë të drejtat e punëtorëve

Reçica: Bizneset të respektojnë të drejtat e punëtorëve

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, deklaroi sot në hapje të Panairit të Punës në Prizren, se me ndryshimet ligjore synohet jo vetëm rritjen e punësimit, por edhe garantimi i të drejtave të punëtorëve.

Gjatë fjalës së tij, ministri Reçica, tha se ky panair synon të krijojë dhe ofrojë vende të reja të punës dhe të sjellë më afër punëdhënësit dhe punëmarrësit, për të mundësuar krijimin e kontakteve të ndërsjella.


“MPMS ka mision përkrahjen e krijimit të vendeve të reja të punës, uljen e papunësisë, aftësimin profesional dhe orientimin në karrierë të të rinjve, të garantojë të drejtat dhe obligimet e punëdhënësve dhe punëmarrësve, për çka ne tashmë kemi ndërmarrë disa veprime, posaçërisht nëpërmjet reformave për përmirësim dhe avancim të infrastrukturës ligjore”, tha ai.

Reçica është zotuar se MPMS do të jetë gardian i mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të punëtorëve, ndërsa u bëri thirrje punëdhënësve dhe bizneseve të respektojnë të drejtat e punëtorëve, të garantuara me legjislacionin në fuqi.

Ndryshe, Panairi i Punës në Prizren është ngjarje e përbashkët i MPMS-së me Komunën e Prizrenit dhe GIZ-in gjerman. /Telegrafi/