Reagim i ri ndaj vendimit të FIFA-s: A do të ankohet edhe Anglia për kartonin e kuq të Quansah?


Shoqata Angleze e Futbollit (FA) po shqyrton mundësinë e paraqitjes së një ankese ndaj kartonit të kuq të marrë nga Jarell Quansah në fitoren 3-2 të Anglisë ndaj Meksikës në Kupën e Botës.
Mbrojtësi anglez u përjashtua në minutën e 54-t për një ndërhyrje të ashpër ndaj Jesús Gallardos.
Sipas BBC-së, FA po analizon pamjet dhe raportin e gjyqtarit përpara se të marrë një vendim përfundimtar mbi një apel të mundshëm.

Precedenti pas rastit Balogun
Anglia po i shqyrton opsionet e saj pas vendimit të FIFA-s për të pezulluar dënimin me një ndeshje ndaj sulmuesit të Shteteve të Bashkuara, Folarin Balogun.
Balogun ishte përjashtuar pas një ndërhyrjeje ndaj mbrojtësit të Bosnjës dhe Hercegovinës, Tarik Muharemovic, dhe fillimisht pritej të mungonte në ndeshjen e 1/8 së finales ndaj Belgjikës. Megjithatë, FIFA e ndryshoi pezullimin automatik në një dënim me kusht prej 12 muajsh, duke e bërë sulmuesin të disponueshëm për kombëtaren amerikane.
Vendimi shkaktoi reagime të shumta në botën e futbollit. UEFA, Federata Belge e Futbollit dhe trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, kanë shprehur pakënaqësi për trajtimin e rastit.
Sipas raportimeve të The Athletic, edhe Franca po shqyrton mundësinë e kundërshtimit të kartonit të marrë nga Michael Olise në fitoren ndaj Paraguait.
Tuchel me probleme në krahun e djathtë
Pezullimi i mundshëm i Quansah do t’i shtonte problemet Thomas Tuchelit në repartin defensiv, veçanërisht në pozicionin e mbrojtësit të djathtë.
Gjatë Kupës së Botës, në atë rol janë aktivizuar Reece James, Djed Spence, Ezri Konsa, John Stones, Quansah dhe madje edhe mesfushori Declan Rice.
Reece James, i cili konsiderohej zgjedhja e parë në atë pozicion, është jashtë fushave që nga dëmtimi në kofshë i pësuar në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve ndaj Ganës. Ai mungoi në sfidat ndaj Panamasë, RD Kongos dhe Meksikës.

Quansah ishte dëmtuar në përballjen me Panamanë, por u rikuperua në kohë për të nisur nga minuta e parë kundër Meksikës. Anglia tani do të përballet me Norvegjinë në çerekfinale, të shtunën në Miami. /Telegrafi/












































