Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviç, ka marrë pjesë në konferencën “Ballkani Perëndimor: Avancimi i Punësimit dhe Politikave Sociale së Bashku”, e mbajtur në Berlin në kuadër të Procesi i Berlinit.

Konferenca u organizua nga Ministria Federale e Punës dhe Çështjeve Sociale e Gjermanisë dhe kishte në fokus forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e punësimit dhe politikave sociale në Ballkanin Perëndimor.


Në fjalën e tij gjatë panelit “Promovimi i Punësimit: Strategji Efektive për Tregje Pune të Qëndrueshme dhe Gjithëpërfshirëse”, Kapetanoviç theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me sfida të përbashkëta në tregun e punës, si mungesa e aftësive, informaliteti, papunësia e të rinjve dhe presionet demografike.

“Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, tregjet e punës përballen me rrethana të ndryshme, por shumë nga sfidat strukturore janë të përbashkëta. Mesatarisht, normat e punësimit dhe aktivitetit mbeten dukshëm nën nivelet e Bashkimit Evropian, papunësia e të rinjve dhe normat NEET vazhdojnë të jenë të larta, pjesëmarrja në mësimin gjatë gjithë jetës mbetet e kufizuar, ndërsa informaliteti vazhdon të dobësojë produktivitetin, të ardhurat publike dhe qasjen në mbrojtje sociale. Për këtë arsye, bashkëpunimi rajonal nuk është një punë shtesë, por një domosdoshmëri praktike. Procesi i Berlinit jep drejtimin politik, Plani i Punës përcakton prioritetet konkrete, ndërsa roli i RCC-së është të ndihmojë në zbatimin e tyre përmes analizave, shkëmbimit të përvojave, monitorimit dhe mjeteve praktike që forcojnë institucionet dhe sjellin rezultate për qytetarët,” tha Kapetanoviç.

Kapetanoviç shtoi se bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm për adresimin e këtyre problemeve dhe se Procesi i Berlinit ofron drejtimin politik, ndërsa RCC ndihmon në zbatimin praktik të prioriteteve përmes analizave dhe shkëmbimit të përvojave.

Ai foli edhe për rolin e Platformës për Punësim dhe Çështje Sociale (ESAP), e cila mbështet vendet e rajonit në harmonizimin me standardet e Bashkimit Evropian dhe në luftimin e punës së padeklaruar.

Konferenca shënoi gjithashtu prezantimin zyrtar të Planit të Punës të Procesit të Berlinit për Punësim dhe Politikë Sociale, i cili synon forcimin e bashkëpunimit rajonal në fusha si mobiliteti i fuqisë punëtore, zhvillimi i aftësive dhe modernizimi i shërbimeve të punësimit.

“Askush tjetër nuk do të ndërtojë tregje pune të qëndrueshëm për Ballkanin Perëndimor përveç autoriteteve të rajonit, duke punuar së bashku dhe për të mirën e qytetarëve të tyre”, përfundoi Kapetanoviç. /Telegrafi/