Hyn në fuqi vendimi, nga sot pagesat mbi 2,000 euro lejohen vetëm përmes bankës

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se duke filluar nga sot, pagesat ndërmjet bizneseve dhe individëve në vlerë mbi 2,000 euro nuk do të lejohen të kryhen më me para të gatshme.
Sipas njoftimit, të gjitha transaksionet që e tejkalojnë këtë shumë duhet të realizohen vetëm përmes sistemit bankar ose formave të tjera elektronike të pagesës.
ATK thekson se kjo masë është në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe ka për qëllim formalizimin e pagesave, si dhe shmangien e përdorimit të parasë së gatshme në transaksione të mëdha.
“Nga 1 qershori 2026, pagesat mbi 2,000€ ndërmjet bizneseve dhe individëve nuk lejohen të kryhen me para gatshme dhe duhet të realizohen vetëm përmes sistemit bankar ose formave të tjera elektronike të pagesës. Respektoni kufizimin e përcaktuar me ligj dhe shmangni gjobat. Mos paguani cash mbi limitin e lejuar”, ka njoftuar ATK ditë më parë.
Në njoftim u bëhet thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të respektojnë kufizimin e përcaktuar ligjor, në mënyrë që të shmangin gjobat dhe ndëshkimet e mundshme. /Telegrafi/







































