Kurti: Nga sot hapet konkursi për pranimin e 44 kadetëve të rinj

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se janë rekrutuar mbi 2,700 ushtarë të rinj gjatë mandatit të tij të parë dhe se nga sot është hapur konkursi për pranimin e 44 kadetëve të rinj.
Kurti përmes një postimi në rrjetin social në Facevook ka shkruar se e kanë rritur numrin e ushtarëve për më shumë se dyfish.
"Për investime në armatim dallimi është i pakrahasueshëm. Nga 2018-2020 më pak se 4 milionë euro. Ndërkaq, nga 2021-2025 rreth 430 milionë euro. E nga 1 qershori hapet edhe konkursi për pranimin e 44 kadetëve të rinj, të cilëve do t’u jepet mundësia të ndjekin shkollimin ushtarak, përveçse në Qendrën për Studime Universitare në Kosovë, edhe në akademitë më prestigjioze të rajonit dhe të partnerëve tanë strategjikë: në Shqipëri, Turqi, Kroaci dhe Maqedoni të Veriut", ka shkruar Kurti.
Tutje Kurti ka shkruar se në vetëm dy muaj, janë hapur dy konkurse për t’u bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, tregues ky i qartë i besimit, motivimit dhe përkushtimit të të rinjve tanë për t’i shërbyer vendit tonë.
"Pothuajse 2 mijë të rinj i janë nënshtruar procedurave të përzgjedhjes për pranimin e 320 rekrutëve të rinj në FSK", ka shkruar Kurti. /Telegrafi/








































