LAJMI I FUNDIT:

Rasputini i pashmangshëm

Rasputini i pashmangshëm

E kush e mendonte se pas lajmit të pandemisë, tri vjet të shkuara, do të vinte një zhvillim tjetër?!

Në Evropë nisi një luftë e re. Sa më shumë lexoj tabloidet e huaja mbi shkaqet e saj, aq më shumë kuptoj se arsyet e shpërthimit të saj i gjej në të kaluarën e saj historike.


Dhe, nuk habitem. Ashtu si shumë shkencëtarë dhe institucione kishin paralajmëruar se një pandemi e re gripi do të vinte shpejt, kish nga ana tjetër edhe shumë ekspertë të historisë, politikanë dhe gazetarë të lexuar, që kishin paralajmëruar me kohë se nëse NATO do të vazhdonte të zgjerohej drejt kufijve të Rusisë, pritej padyshim një luftë e re.

Vazhdimisht lexoj apo mundohem të c’kodoj paralajmërime të tilla. Ajo që mund të bëj është e thjeshtë sic mund ta bëni edhe ju; mendohem pak pastaj rutina e ditës vijon. Problemet, njerëzit me të cilët bashkëndajmë çdo gjë në punë dhe në jetë janë shumë më dominues sesa mendimi sesi do të jetë e ardhmja jonë e afërt apo dhe ajo e largët.

Pyetja që më lind gjithmonë pas ngjarjeve sakaq të mëdha është nëse bota do t’i merrte seriozisht këto paralajmërime, a do të ishin më të kufizuara pasojat e tmerrshme që ato lanë pas?

Një vit pas konfliktit, ndoshta është e panevojshme të mendosh për arsyen apo origjinën e luftës në Ukrainë. Por, unë besoj se secili nga ju është kurioz të kuptojë se përse përfunduam deri këtu?

Dhe, për këtë kush mund të na ndihmojë të kuptojmë?

Para se të fillojmë të themi emra përcaktues se kush e nxiti V. Putinin të ndërmerrte një akt të tilla barbar ndaj Ukrainës duhet të kuptojmë disa ngasje të tjera, më të thella filozofike dhe ideologjike pas këtij pushtimi. Dimensionet e shumta të luftës qindravjeçare mes Rusisë dhe Perëndimit.

Kur Cari rus Nikolla i II u rrëzua prej një komploti në parlamentin rus, Lenini ishte në Zvicër. Ishin gjermanët ata që e ndihmuan të merrte një tren për në Rusi të rrethuar me ushtarë. Qeveria gjermane ishte po ajo që u zotua gjithashtu të financojë më tej fushatën propagandistike bolshevike që do të niste shpejt.

Megjithatë, këto zhvillime nuk janë provuar me dokumente e materiale shkrimore dhe asnjëherë nuk ka pasur prova të forta se transaksionet me gjermanët shkonin përtej lidhjeve të thjeshta të biznesit.

Por, e vërteta është se Revolucioni Bolshevik, me sloganet “I gjithë pushteti sovjetëve”, arriti ta rrëzonte perandorinë cariste në vitin 1917.

Lenini besonte se revolucioni në Rusi duhej të mbështetej nga një revolucion botëror, veçanërisht në vendet e përparuara. Por, ai nuk duhej të gabonte shumë. Edhe pse disa rebelime komuniste ndodhën në disa vende evropiane, ato të gjitha dështuan.

Perëndimi nuk e donte këtë forcë të re politike si sistem për vete. Por, e mbështeti atë kur ishte fjala për Rusinë.

Si ndodhi kjo?

Një nga personazhet më të njohur të revolucionit rus është Grigori Rasputin. Ai ishte një mistik që kishte lidhje të ngushta me familjen e carit. Shpesh përshkruhet si një njeri i lig, pa vlera morale e që tradhtoi vendin e vet.

Flitet shumë për të por në fund edhe për rolin e Rasputinit në abdikimin e qeverisë së carit. Dhe, disa forca prej Perëndimit pas tij.

Historia e Rasputinit tregon se në çfarë katastrofe, të tillë aventurierë, pjella tipike në errësirat sllave e ballkanike mund ta çojnë një vend në rastet kur ata arrijnë të marrin në dorë busullën e shtetit.

Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, ai u pa si një rrezik për Rusinë, po aq dhe carina me origjinë gjermane. Ai u akuzua se përdorej nga shoqëritë sekrete që punonin me komplotistët gjermanë.

Shumë studiues kanë qenë të mendimit se anijen e perandorisë më të madhe të njerëzimit e mbyti Rasputini. Por, e vërteta është ndryshe. Në fakt bashkë me të e mbytën edhe vetë Romanovët. Ata ishin autokratë. Duke mos pranuar asnjë reformë ndezën një vullkan me aventurat e tyre politike i cili fatkeqësisht përmbysi një sistem arkaik dhe solli një tjetër, akoma dhe më arkaik; atë të bolshevikëve që orientoi më shumë se gjysmën e botës për dekada drejt cfilitjeve të papërshkueshme. Mes tyre do të ishte edhe Shqipëria.

Figura e Rasputinit është trajtuar në kohëra të caktuara në forma të ndryshme, por ai është padyshim një nga figurat më të njohura në historinë ruse, duke u renditur ndoshta pas Pjetrit të Madh, Leninit dhe Stalinit për nga fama dhe pas Ivanit të Tmerrshëm për nga magjepsja që ngjall kujtesa e tij.

Pothuajse të gjithë e njohim fatin melodramatik të tij; fillimet si fshatar endacak nga Siberia; ngjalljet e tij seksuale pothuajse mbinjerëzore; afrimi në oborrin e Carit të fundit për shkak të aftësisë së tij për të kuruar trashëgimtarin e fronit nga goditjet e hemofilisë; apo dhe ndikimi që gëzonte tek carina për të ndërhyrë në punët e shtetit gjatë Luftës së Parë Botërore.

Ne e dimë se suksesi i madh në një rrugë si ajo e Rasputinit, por edhe e çdo personazhi si ai, nuk mund të vijë pa një mbështetje nga jashtë. Rasputini e kishte këtë mbështetje nga Gjermania e Vilhelmit II. Ai sikurse dhe caresha Aleksandra Feodorovna ishin agjentë të Prusisë. Kuptohet që kjo lidhje ishte një kundër-rrymë me politikën ruse të asaj kohe e cila synonte të ruante traktatin me Francën, traktat që e detyronte Rusinë të hynte në luftë në krah të Antantës në vitet 1914- 1918.

Prishja e aleancës me Francën dhe lidhja me Gjermaninë ishte synimi politik i Rasputinit dhe careshës në vitet para fillimit të luftës. Por, këtu Rasputini dështoi. Për të vetmen herë në jetën e tij – dhe të fundit. Princërit rusë u përpoqën të ruajnë nderin e tyre duke mos u tërhequr nga lufta.

Pikërisht këtu në interpretimin e këtij fakti, ne na lidh një fat jo i mbarë si dhe i tij. Nëse Rasputini do të kish pasur dhe një fitore të fundit në vend të tragjedisë personale të tij në vitin 1916, atëherë njerëzimi nuk do të kish hyrë në komunizëm. Dhe, bashkë me të edhe Shqipëria.

Ekuilibrat e Rusisë dhe të botës do të ishin vendosur ndryshe dhe shumë popujve ndoshta nuk do t’u ishte bërë aq e gjatë udha drejt përparimit.

Në kohëra të ndryshme e nga këndvështrime të ndryshme, Rasputini është parë në mënyra të ndryshme.

Por, duhet thënë se ai asnjëherë nuk është harruar.

Në Pallatin e Dimrit hija e tij lëviz ende. Sot ka një emër tjetër. Me një alternativë tjetër ndaj liberalizmit dekadent perëndimor.

A është kjo një arsye për të besuar se historia vazhdon?