LAJMI I FUNDIT:

Raporti i Qeverisë për bisedimet me Serbinë – 38 faqe për arritjet e sfidat

Raporti i Qeverisë për bisedimet me Serbinë – 38 faqe për arritjet e sfidat

Qeveria e Kosovës ka përgatitur një raport rreth marrëveshjeve të arritura ndër vite në bisedimet me Serbinë – i pari i këtij lloji prejse kanë filluar bisedimet.

Raporti 38 faqesh, e që do u dërgohet deputetëve, ka renditur të gjitha marrëveshjet e arritura, historikun e tyre, implementimin deri tani, problemet e shfaqura dhe sfidat që paraqet secila marrëveshje veç e veç.


Në raport – në pjesë të ndara – flitet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Drejtësinë, Policinë, Doganat, Bashkëpunimin Rajonal, Urën mbi Ibër, njohjen e diplomave, Marrëveshjen për Energjinë e shumë çështje tjera.

Sa i përket Marrëveshje për Energjinë, raporti konstaton se “asnjë përparim nuk është shënuar në zbatimin” e kësaj marrëveshje dhe “marrëveshjen për Kyçje KOSTT-ENTSO-E”.

Gjithashtu sa i përket  lëvizjes së lirë mbi urën në Mitrovicë, raporti thekson se “megjithëse kanë kaluar pothuajse tri vjet pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, zbatimi i saj i plotë ende nuk ka filluar dhe ende nuk ka liri të lëvizjes në urë”.

Gjithashtu tek marrëveshje par Drejtësinë sfidë e madhe është fakti se “Serbia i vulos dokumentet me mbishkrimin: ‘Republika e Serbisë – Kosova dhe Metohija–nën administrimin e OKB-së dhe Rezolutës 1244’”.

“Kjo vulë vendoset në dokumentet origjinale të gjykatave dhe organeve të tjera të Kosovës. Qeveria ka shprehur shqetësimet e saj në lidhje me vulat, megjithatë autoritet serbe vazhdojnë të vendosin këto vula mbi dokumentet e tilla”.

Sa i përket Mbrojtjes Civile dhe inkuadrimit të serbëve në organet e Kosovës, qeveria thekson se ka ndërmarrë masa për integrimin e pjesëtarëve të mbrojtjes civile serbe në institucionet e Kosovës, si dhe ka siguruar burimet dhe trajnimet e nevojshme”.

Por, kjo është treguar e pamjaftueshme, sepse përkundër që 483 persona të integruar kanë kontrata me institucionet e Kosovës, në praktikë ata nuk i ushtrojnë funksionet e tyre në pajtim me ligjet e vendit.

Në raport përmendet edhe se “tregtia e lirë ndërmjet dy palëve është mundësuar përmes njohjes së ndërsjellë të vulave doganore në vitin 2011”.

Marrëveshja parashikonte tregtinë e lirë të ndërsjellë dhe përfundimin e embargos së Serbisë ndaj eksporteve të Kosovës.

Por, Serbia shkel marrëveshjen duke përdorur ende vulat paralele doganore (vulat doganore serbe me emërtimet e qyteteve të Kosovës).

Raporti përgjithësisht mundohet të tregojë se marrëveshjet e arritura në Bruksel në mes Kosovës e Serbisë, shteti i Kosovës i ka respektuar, por ka qenë Serbia ajo që nuk i ka respektuar marrëveshjet.

Ky raport do t’u dorëzohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës për diskutim.

Një raport i tillë që përmbledhë marrëveshjet e arritur mes Kosovës dhe Serbisë dhe një vlerësim se çfarë është arritur deri tani, e kanë kërkuar prej kohësh shumë deputetë të opozitës.

Tash një i tillë do të jetë para tyre dhe do të ketë mundësi që më konkretisht e më qartë të diskutohen marrëveshjet, arritjet, ngecjet dhe sfidat e së ardhmes, njofton Klan Kosova.