Dikush të veshur me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), disa të tjerë me bluza me mbishkrimin “Liria ka emër”, e me muzikë patriotike të gjithë kishin një qëllim rrugën drejtë Tiranës për të kërkuar drejtësi për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin.

Ideali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) i bashkoi edhe mëngjesin e sotëm qytetarë të shumtë në qendër të Prishtinës. Të shumtë në numër bashkëluftëtarë e qytetarët nga Kosova u nisën drejtë Tiranës për të marrë pjesë në protestën madhështore në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.


Katër autobusë u nisen nga qendra e Prishtinës drejt kryeqytetit shqiptar me qytetarët të cilët bënin thirrje për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së. Për këtë protestë, po ashtu edhe disa autobusë të tjerë u nisën nga fshati Trudë i Prishtinës.

Sot sheshi “Skënderbej” në Tiranë do të jehojë nga thirrjet për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët mbahen në paraburgimin e Hagës.

Sekretari i degës së OVL-UÇK-së në Prishtinë, Vehbi Hajzeri deklaroi për KosovaPress se interesimi i qytetarëve për të shkuar në Tiranë është mjaft i madh.

“Ka të interesuar shumë mundësitë janë të vogla edhe një pjesë e madhe kanë shkuar edhe me vetura këtu përmes organizatës duke falënderuar Përparim Ramën me këta autobusë ne po e bëjmë të mundshme pak a shumë, por po e shohim se të gjithë mundësitë nuk mundemi me i realizua...3 janë këtu dhe 2 nisën nga Truda... Po duhet me ia hapur sytë këtij populli e botës që ata njerëz po mbahen padrejtësisht se krimineli dihet kush është këta çlirimtarë, këta janë ata që i kanë vënë gurthemelin këtij shteti”, theksoi ai.

Qytetari nga Prishtina, Asllan Bajrami i cili mbante veshur një bluzë me mbishkrimin “UÇK” thotë për KosovaPress përmes kësaj proteste synohet të përçohet mesazhi që çlirimtarët në Hagë po mbahen padrejtësisht.

“Kjo ditë na sjell në vëmendje vlerat më të çmuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila sublimon të gjithë përpjekjet e brezave për pavarësinë e Kosovës. Normalisht protesta jonë ka për qëllim që të përçoi mesazhin se çlirimtarët që po mbahen në Hagë po mbahen padrejtësisht. Ne mendojmë se kjo gjykatë ka devijuar nga akuza që pretendonte se ish një akuzë e drejtë në thonjëza ajo gjykatë duhet të mbyllet sa më përpara dhe të shpallet null sa i përket pasojave juridike. Duam që përçojmë këtë mesazh që çlirimtarët, udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës atje po mbahen padrejtësisht, ky është mesazhi ynë jo që jemi kundër drejtësisë, po jemi kundër padrejtësisë që bëhet në emër të drejtësisë“, theksoi ai.

Mëngjesin e sotëm nga Drenasi drejt Tiranës po nisej edhe Ismail Rukiqi i cili thotë se kjo protestë ka mesazh thirrjen për padrejtësinë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Për padrejtësinë që është duke ua bërë udhëheqësve tanë dhe po shkojmë në mënyrë paqësore me protestua në mënyrën më të mirë në Tiranë....Jam veteranë ushtar i UÇK prej fillimit”, theksoi ai.

Mehmet Bllaca nga Prishtina bëri thirrje që sa më shumë qytetarët t’i marrin pjesë në këtë protestë.

“Na e kanë marr presidentin, kryeparlamentarin, na i kanë marr njerëzit më të shenjt që janë pa pikë faji dhe ne rrimë me duar në xhepa, kjo më padrejtësi nuk e di si ka me shkua...krejt qytetarët të rinj e të vjetër, posaçërisht rinin”, tha ai.

Uniformën e UÇK-së e mbante veshur, e thirrje për drejtësi bënte edhe bashkëluftëtari i Brigadës 153, Rrahman Ramadani i cili për KosovaPress tha se UÇK nuk ka bërë krime.

“Emocionet janë të mëdha sepse ata çlirimtarët tanë po mbahen padrejtësisht dhe krejt populli shqiptar dhe mbarë bota e dinë se UÇK nuk ka bërë krime as nuk është kriminale. Kriminale është Serbia dhe bashkëpunëtorët e saj...shumë e madhe do të jetë dhe janë të mobilizuar si çdo herë shqiptarët”, deklaroi Ramadani.

Rrugën drejtë Tiranës për t’iu bashkuar protestës së sotme mori edhe Ajshe Gashi e cila thotë se kjo protestë përçon alarmin për lirimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së.

“Unë e shoh shumë të rëndësishme se ata njerëz nuk e meritojnë që vuajnë dënimin, besoj që kjo protestë do ta çoj alarmin për lirimin e tyre të jenë të pafajshëm”, theksoi ajo.

Përkrahje për protestë kanë deklaruar politikanë të ndryshëm shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria, teksa nga Kosova pritet të nisen mbi 60 autobusë me qytetarë që do t'i bashkohen protestës në Tiranë.

Autoritetet në Shqipëri dje kanë deklaruar se 'Rruga e Kombit' do të jetë pa pagesë për qarkullim sot me 17 tetor për të gjithë qytetarët në shenjë solidarizimi me protestën.

Kujtojmë se protestë në përkrahje të ish krerëve të UÇK-së u organizua edhe në Prishtinë dhe në Hagë 14 shtator. /kp/