LAJMI I FUNDIT:

QKSS: Gratë kosovare pjesëmarrëse në organizatat terroriste dhe rekrutuese

QKSS: Gratë kosovare pjesëmarrëse në organizatat terroriste dhe rekrutuese

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) në një raport që ka publikuar sot lidhur me pjesëmarrjen e grave në organizatat terroriste në konfliktin në Siri dhe Irak, ka bërë të ditur se në mesin e rreth 4000 luftëtarëve të huaj nga Evropa Perëndimore që u janë bashkuar organizatave ekstremiste të dhunshme në Siri dhe Irak, më shumë se 700 janë femra.

“Nga ky numër, më shumë se 40 gra që u janë bashkuar grupeve ekstremiste të dhunshme në konfliktet e Sirisë dhe Irakut janë nga Kosova. Në perspektivë krahasuese me rajonin e Ballkanit Perëndimor, ky numër renditet vetëm pas atij të Bosnjës dhe Hercegovinës, nga ku 60 gra janë raportuar të jenë përfshirë në konfliktet në Siri dhe Irak”, thuhet në raport.


QKSS thotë se “Profilet e grave që i janë bashkuar konflikteve në Siri dhe Irak nga Kosova ndryshojnë, dhe arsye të ndryshme qëndrojnë pas pjesëmarrjes së tyre në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak”.

Më tutje raporti shtjellon edhe jetën e tyre në Siri, ku gratë nga Kosova që jetojnë në territorin e mbajtur nga ISIS u përmbahen roleve dhe normave tradicionale gjinore.

“ Ato nuk shihen jashtë shtëpive të tyre dhe detyrat e tyre janë të kufizuara në jetën shtëpiake (kryesisht gatim, pastrim dhe përkujdesje për fëmijët e tyre). Ky raport nuk ka identifikuar asnjë grua kosovare të ketë qenë pjesëmarrëse në operacione thjesht luftarake”, thuhet në raport.

QKSS thotë se “Policia e Kosovës ka njoftuar për vetëm 7 gra të kthyera në Kosovë, ndërkohë që njëra prej tyre përballet me aktakuzë dhe pret dënimin”.

Autoritetet e sigurisë në Kosovë thonë se rreth 316 veta besohet se kanë marrë pjesë në konfliktet në Lindjen e Mesme, ndërsa në zonat e luftës vlerësohet se ende ndodhen 140 veta.

Besohet se 117 veta janë kthyer në Kosovë dhe deri tash 35 veta janë dënuar nga gjykatat.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar më shumë se një vit më parë ligjin që ndalon pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja dhe parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata që marrin pjesë, nxisin apo mbështesin përfshirjen në konfliktet jashtë Kosovës./Telegrafi/