LAJMI I FUNDIT:

Qeveria miratoi Koncept-dokumentin për reformën gjyqësore në drejtësi komerciale

Qeveria miratoi Koncept-dokumentin për reformën gjyqësore në drejtësi komerciale

Në mbledhjen e 15-të të Qeverisë së Kosovës, mbajtur të hënën mbrëma janë marrë edhe disa vendime tjera përveç masave të reja që u morën në lidhje me mbrojtjen dhe parandalimin e përhapjes së coronavirusit (COVID-19).

Ndër të tjera, Qeveria e Kosovës ka shqyrtuar dhe miratuar Koncept-dokument për reformën gjyqësore në drejtësi komerciale.

Sipas njoftimin të Zyrës së Kryeministrit, Koncept-dokumenti ka rekomanduar ndryshimin e kornizës ligjore përmes hartimit të Ligjit të ri për Gjykatat Komerciale, pasi janë identifikuar problem në zbatimin e ligjeve aktuale.

“Në mbledhjen e sotme është shqyrtuar dhe miratuar Koncept Dokumenti për reformën gjyqësore në drejtësi komerciale. Koncept dokumenti ka analizuar dhe identifikuar qasjen e deritashme të komunitetit të biznesit, dhe kohëzgjatjen e trajtimit të lëndëve administrative që lidhen me çështjet ekonomike, e që vjen si rezultat i mungesës së kapaciteteve aktuale. Pas analizës së Procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit dhe pas identifikimit të problemeve në zbatimin e ligjeve aktuale, Koncept Dokumenti ka rekomanduar ndryshimin e kornizës ligjore përmes hartimit të Ligjit të ri për Gjykatat Komerciale”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu është shqyrtuar dhe miratuar Koncept Dokumenti për Evidencën Qendrore Penale të Kosovës.

“Kabineti ka shqyrtuar dhe miratuar Koncept Dokumentin për Evidencën Qendrore Penale të Kosovës, i cili konstaton se Kosova është një nga vendet e rralla që kompetencat e mbajtjes së evidencës penale i ka lënë në kompetencë të administratës gjyqësore. Koncept Dokumenti rekomandon që të hartohet Ligji për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovës i cili do ta përcaktonte Ministrinë e Drejtësisë si organ kompetent për administrimin e këtij sistemi”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/