Zëdhënësja e qeverisë iraniane, Fatemeh Mohajerani njoftoi se ekipi kombëtar i futbollit po përgatitet për një "pjesëmarrje krenare dhe të suksesshme" në ndeshjet e Kupës së Botës në ShBA, Meksikë dhe Kanada.

Mundësia dhe gatishmëria e Iranit për të udhëtuar në Kupën e Botës 2026, e cila do të luhet në të gjithë Amerikën e Veriut që nga 11 qershori, ka qenë e paqartë që kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet ushtarake më 28 shkurt.


"Ministria e Rinisë dhe Sporteve, me urdhër të ministrit, publikoi një deklaratë mbi gatishmërinë e plotë të ekipit tonë të futbollit për të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës", tha dje zëdhënësja e qeverisë Fatemeh Mohajerani në televizionin shtetëror iranian.

FIFA ka pohuar vazhdimisht se Irani do t'i përmbahet orarit të Kupës së Botës të miratuar dhjetorin e kaluar dhe ka refuzuar të shqyrtojë propozimet për të zhvendosur ndeshjet e Iranit në Meksikë.

Përparim u bë më 31 mars, kur presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, shkoi në Turqi për t'u takuar me udhëheqësit iranianë të futbollit dhe lojtarët e ekipit kombëtar, ku ekipi luajti dy ndeshje miqësore.

Edhe pse liga iraniane e futbollit u pezullua gjatë luftës, profili zyrtar i ekipit kombëtar në Instagram këtë javë postoi foto të një seance stërvitore të mbajtur në Teheran.

Mohejerani shtoi dje se "janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që u nevojiten këtyre djemve të dashur për pjesëmarrjen krenare dhe të suksesshme të ekipit kombëtar".

Tre javë më parë, Infantino i premtoi ekipit kombëtar iranian se do të ndihmonte në gjetjen e një kampi stërvitor jashtë vendit, në mënyrë që ekipi të përgatitet për Kupën e Botës. Kampi mund të jetë gjithashtu në Turqi, ku Irani luajti ndeshje miqësore kundër Nigerisë dhe Kosta Rikës në Antalia muajin e kaluar.

Dje, FIFA nuk konfirmoi menjëherë detajet rreth organizimit të mundshëm të këtij kampi.

Irani është planifikuar të luajë dy ndeshje të fazës së grupeve në stadiumin e Los Angeles Rams në Ingleëood, kundër Zelandës së Re dhe Belgjikës, përpara se të luajë kundër Egjiptit në Seattle.

Ekipi duhet të mbërrijë në kampin stërvitor në Tucson të Arizonës jo më vonë se 10 qershori, që është të paktën pesë ditë para ndeshjes së parë, siç përcaktohet nga rregullat e Kupës së Botës nga FIFA.

Një çështje kyçe që ende duhet zgjidhur është viza hyrëse e qeverisë amerikane për delegacionin iranian, përfshirë presidentin e Federatës së Futbollit të Iranit, Mehdi Taj. Ai është nënkryetar i Konfederatës Aziatike të Futbollit dhe nuk u lejua të merrte pjesë në shortin e Kupës së Botës në Uashington në dhjetor, ku Infantino i dorëzoi Presidentit të SHBA-së Donald Trump një Çmim për Paqen të krijuar posaçërisht nga FIFA.

Meksika dhe Kanadaja janë bashkëorganizatore të turneut me 48 ekipe, i cili do të zhvillohet deri më 19 korrik. /Telegrafi/

telegrafi sport app