LAJMI I FUNDIT:

Qasja në ujë të pijshëm – a ka rrezik për mungesë të ujit në të ardhmen në Kosovë?

Qasja në ujë të pijshëm, mungesa dhe cilësia e tij janë disa nga problemet që ballafaqohen qytetarët e Kosovës.

97 për qind e ujit që ekziston në planet vjen nga oqeanet dhe detet, domethënë është i kryposur, ku 2 për qind nga ai ujë është akullnaja dhe vetëm 1 për qind është i qasshëm për ne për t’u pirë.


Sot në botë diku 90 për qind e njerëzve jetojnë brenda 10 kilometrave të një burimi të një uji të pijshëm, ndërsa 7 nga 10 njerëzit në botë kanë qasje të drejtpërdrejt në ujin e pijshëm në rubinetet e shtëpive të tyre.

Në aspektin ndërkombëtar, Kanadaja është shteti më i pasur me ujë të pijshëm ku ka 10 mijë herë më shumë sesa Kuvajti, ndërsa Kosova është prej atyre vendeve që kanë problem me ujë.

Deri në vitin 2040 shumica e vendeve të botës kanë për të pasur shkurtime të ujit dhe probleme në menaxhimin e ujit.

Sipas ekspertëve, Kosova ka mungesë të dukshme të ujit të pijshëm. Po ashtu ata thonë se ka keqpërdorime të tij.

Baton Begolli nga Këshilli Ndërministror për Ujëra në Qeverinë e Kosovës thotë se, krahasuar me rajonin vendi ynë ka më pakë ujë të pijshëm.

“Kosova është vend i vobektë për sa i përket pasurisë ujore. Në krahasim me shtetet e rajonit jemi të fundit, ku të gjitha shtetet tjera kanë më shumë ujë. Dy të hyra kemi për sa i përket ujit në Kosovë, e para është të reshurat dhe e dyta është vetëm 5 për qind e ujërave totale që vijnë nga Ibri në Mal të Zi. Ne jemi shtet që të gjitha ujërat burojnë këtu dhe dalin nga Kosova”, thotë Begolli.

Ai shpjegon se liqenet aktuale që i ka Kosova nuk i përmbushin kërkesat e qytetarëve për ujë.

“Kur e ke një shtet që ka më pak të reshura e që është 40 për qind më pak me rajonin dhe nuk ka ujë të garantuar. Ne gjendemi në 300 metër kub për kokë banori, kurse rajoni është 500 metra kub për kokë banori. Si Kosovë nuk e kemi komoditetin që të shpenzojmë ujë apo të mos kujdesemi për këtë. Ne i kemi pesë liqene artificiale dhe këto që janë nuk mjaftojnë për të përmbushur kërkesat tona, duhet të zhvillohen resurse të reja ujorë, duhet të zhvillohen liqene të reja ujore”, shpjegon ai.

Edhe Ilir Abdullahu nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” thotë se keqpërdorimet po e humbin ujin e pijshëm.

“Ne në Kosovë, këtë shkallë të humbjeve e rrisin keqpërdorimet, e rrisin dëmtimet e tubacioneve gjatë ndërtimeve të shumta. Me qindra dëmtime nga pakujdesia kanë arritur që t’i shkëpusin tubat tonë, mirëpo shkalla tjetër është e keqpërdorimeve. Ndërtime po funksionojnë në mosfurnizim të rregullt me ujë. Duhet t’i ruajmë ndërtimet sidomos në Liqenin e Badocit, ku është një liqen ku shpesh bie në nivele minimale dhe problem për shkak të pellgut të vogël që të akumulohet”, pohon Abdullahu.

Lidhur më cilësinë e ujit, Burbuqe Nushi-Latifi, koordinatore në Qendrën e Monitorimit të Ujit në Institutin e Shëndetit Publik të Kosovës, tregon se 99 për qind të ujit të pijshëm në Kosovë është brenda standardeve për konsum.

“Rreth 99 për qind është brenda standardeve të ujit të pijshëm sipas direktivave evropiane të ujit dhe është sigurt për pije. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë sëmundjen fizike që janë të ndërlidhura me ujin ndahen në gjashtë grupe. Më shumë se 200 sëmundje janë si rezultat i ujit të pijshëm. Nga raportet e epidemiologjisë së ISHKP-së, përafërsisht 40 për qind deri 45 për qind të numrit të përgjithshëm të sëmundjeve ngjitëse i referohen diarresë. Në qoftë se i mbrojmë burimet tona në mënyrë indirekte e kemi mbrojtur shëndetin”, thotë Nushi-Latifi.

Ndërsa Afrim Lajçi, nga Këshilli Ndërministror për Ujëra në Qeverinë e Kosovës thotë se cilësia e ujit garantohet dhe mbikëqyret.

“Është paraqitur mungesë e investimeve, sepse furnizimi prej sistemeve publike të ujësjellësit është mënyra më e mirë. Bëhet fjalë pasi cilësia e ujit mbikëqyret edhe gjithsesi garantohet prej institucioneve” thotë Lajçi.

Erblin Hoxha, drejtor ekzekutiv në “Debate Center” thotë se përveç mungesës së ujit të pijshëm që kanë qytetaret,  një ndër problemet tjera janë edhe keqpërdorimet e ujit që bëhen në nivel vendi nga persona të ndryshëm e qytetarët e papërgjegjshëm.

“Në Kosovë nuk ka mjaftueshëm liqene akumuluese dhe burimet e ujit janë të kufizuara dhe sistemet e ujit janë jashtëzakonisht të vjetruara dhe jo eficiente. Në shumë vende të Kosovës, e shohim që planifikimi i ndërtimeve dhe dendësia e popullatës nuk është proporcionalisht me nevojat që duhet të ketë qasje në ujë. Ndërsa, njëra prej probleme të tjera është edhe keqpërdorimet. Autolarjet dhe shumë biznese të tjera që e shfrytëzojnë ujin e pijshëm. Po t’i marrim të gjitha këto, e shohim se nuk del problem më i madh sesa shfrytëzimi i ujit në bujqësi”, thotë Hoxha.

Nga ana tjetër Muhamet Hajrullahu, kryeredaktor në Telegrafi.com, thotë se në këtë dokumentar që e kanë realizuar një aspekt tjetër që është i rëndësishëm është shëndeti dhe cilësia e ujit që ne e pimë nga sistemet publike të ujësjellësve në Kosovë.

“Kohëve të fundit është diskutuar për mungesën e ujit të pijshëm në nivel të Kosovës. Po ashtu, është diskutuar në qasjen në ujë të pijshëm nga ana e institucioneve publike, dhe për komunat dhe vendbanimet ku ka mungesë në qasje në ujë të pijshëm”, thotë Hajrullahu, duke ju referuar të dhënave të ekspertëve në dokumentar.

Ky publikim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e Debate Center dhe Telegrafi.com dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ./Telegrafi/