LAJMI I FUNDIT:

Putini në Beograd

Putini në Beograd

Leonidha Mërtiri

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, sot është në Beograd. Mijëra policë serbë së bashku me elitën e Forcave Speciale ruse, prej ditësh janë në gatishmëri për të garantuar sigurinë e tij. Është i treti takim ky i kreut rus me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë këtyre nëntë muajve dhe i trembëdhjeti në tërësi midis tyre.


Me sa duket, disa faktorë të rëndësishëm bënë që kjo vizitë e Vladimir Putinit në Beograd, e cila parashihej të bëhej në nëntor të vitit të kaluar, të mos shtyhej më tej. Ambicia ruse për një rol të ri në rajonin tonë është bërë edhe më e ndezur.

Së pari, në marrëdhëniet dypalëshe Rusi-Serbi, kërkohet të binden në radhë të parë serbët, duke dëshmuar se Rusia është në vazhdimësi për ta, roja më e sigurt e ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit të vendit të tyre. Nga ana tjetër, fuqizimi i aleancës ruso-serbe shihet dhe si përgjigje apo kundërpeshë për të neutralizuar çdo “qëllim agresiv” të shteteve anëtare të NATO-s, qoftë ky dhe në formë kërcënimi.

Së dyti, të bën përshtypje në përpjekjet për marrjen e këtij roli përmes prezencës ruse në rajon, dalja gjithnjë e më hapur e Rusisë në momentet më pikante, krahas marrëdhënieve të saj okulte me Serbinë. Kështu, edhe sipas “Informer”, media e Beogradit, hapja e një baze ushtarake ruse në Serbi, vazhdon të paraqitet si nevojë për këtë të fundit, pra karshillëk ndaj pranisë amerikane në Kosovë dhe bazës së saj në Bondsteel, por edhe për të justifikuar këtë prani. Kjo, dhe më tej sipas serbëve, do të ishte një mburojë për të ndalur një agresion të mundshëm të shqiptarëve.

Ndaj, në prag të vizitës në Beograd, këto ditë presidenti rus Putin, në intervistat e tij për median vendase, “Veçernji Novosti” dhe “Politika” përsëriti pa ekuivoke rolin e Rusisë në forcimin, mbrojtjen e aftësive të Serbisë, duke e furnizuar atë me armë dhe pajisje ushtarake, gjë që do të jetë e pranishme dhe në bisedimet e sotme me homologun serb, krahas investimeve në ekonominë serbe, të cilat aktualisht e kalojnë shifrën prej katër miliardë dollarësh. Mendojmë se këtë e favorizon dhe fakti që konservatorët në vend, në veçanti, ndihen më mirë me rusët se sa me evropianët, edhe pse në një anketë të mëparshme, shumica e serbëve ishin për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Së treti, Putin vjen në Beograd që të demonstrojë edhe më tutje forcën dhe siç theksuam, këtë radhë – edhe më e lexueshme kjo, – si lojtar në një rol të pazëvendësueshëm të Rusisë në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës, duke shfrytëzuar me këtë rast dhe lodhjen që është ndierë në Bashkimin Evropian. Teza e hedhur për ndryshim të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, u prit jo pa entuziazëm nga rusët, të cilët, siç duket, e panë atë në interesin e njohur të tyre, mungesës së qetësisë në Ballkan. Ndryshe nuk mund të ndodhë. Sepse vetëm disa orë para mbërritjes në Beograd, lideri rus nuk i kurseu sulmet ndaj Kosovës, duke i kujtuar asaj se vendimi për shpalljen e pavarësisë ishte i jashtëligjshëm, sikurse dhe ai i kohëve të fundit për krijimin e ushtrisë. Ato, ai vazhdon t’i shohë si burim të acarimit të klimës në Ballkan.

Madje, sipas tij, kësaj klime destabilizuese i vjen në ndihmë dhe politika e SHBA-së, që synon forcimin dhe dominimin në këtë rajon. Prandaj dhe ngulmimi nga Rusia, si dhe paralajmërimet e liderëve serbë se, nëse në dialogun Kosovë-Serbi do të marrë pjesë SHBA, Beogradi do të thërrasë Rusinë, i shërbejnë të njëjtit qëllim. Sigurisht, edhe kjo mund të ngjasë, por nëse kanë rënë dakord të dy superfuqitë. Ndërkohë, në marrëveshjen e arritur midis Rusisë dhe Serbisë, gjatë vizitës në Moskë, një vit më parë, të Aleksandar Vuçiq, thuhet shprehimisht se “Rusia do të përfaqësojë në mënyrë të vendosur pozicionet e Beogradit lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës” dhe se, “me kërkesë të Beogradit, Rusia do të angazhohet në dialogun me Prishtinën, nëse edhe SHBA përfshihet në këtë proces”.

Në bisedimet e sotme dypalëshe, kjo temë edhe më tej, në emër të një balancimi në formatimin e dialogut, do të jetë e pranishme. Serbia, si deri më sot, do të vazhdojë të qëndrojë e t’i japë garanci Rusisë se do të jetë në krahët e saj. Epilogu i kësaj çështjeje nga të dy palët do të mbetet po ai: Rusia të ketë rolin e saj dhe në rajonin e Ballkanit. Por, vështirë që mund të besohet në një rol të saj për mënjanimin e konflikteve. Po ndalemi vetëm në vitet e fundit. Është provuar tashmë ndikimi negativ që ajo ka pasur në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor. Vetëm që Mali i Zi të mos anëtarësohej në NATO, rreth dy vite e gjysmë më parë, u bënë përpjekje që çonin në destabilitetin e kësaj republike përmes likuidimit të Kryeministrit malazez. Dhe akuza për këtë ra te rusët, sikurse dhe për krizën e mëvonshme maqedonase. Pra, pavarësisht bisedimeve në Beograd, vështirë t’i besohet këtij roli të Rusisë për rajonin tonë, që më shumë i ngjan një strategjie tensionesh.