Mësohen prapaskenat: Ylli i Man Unitedit refuzoi kalimin 40-milionësh te Chelsea

Manchester United ka marrë një vendim që ka qetësuar ndjeshëm situatën rreth të ardhmes së Kobbie Mainoo në “Old Trafford”.
Sipas raportimit të The Athletic, emërimi i Michael Carrick si trajner i përkohshëm ka ndihmuar që mesfushori i ri të ndihet më i sigurt për rolin e tij në skuadër dhe për projektin afatgjatë të klubit.
Mainoo kishte shtyrë për një lëvizje gjatë kohës së Ruben Amorim, duke kërkuar huazim si në afatin kalimtar të verës ashtu edhe në atë të dimrit, me synimin për të siguruar më shumë minuta dhe futboll të rregullt në ekipin e parë. Megjithatë, ai nuk kishte dëshirë për largim të përhershëm.
Interesimi për të nuk mungoi. Napoli kishte shfaqur seriozitet për transferimin e tij në të dyja afatet, ndërsa Chelsea kishte pyetur në fund të sezonit të kaluar për një marrëveshje të mundshme të përhershme, me vlerësim rreth 40 milionë funte. Por, sipas burimit, një skenar i tillë nuk e tërhiqte Mainoo.

Situata nisi të bëhej më e ndërlikuar kur roli i tij u zbeh nën drejtimin e Amorim, teksa aktivizimet më të shpeshta nga stoli nisën të ndikojnë në mënyrën se si ai e shihte të ardhmen e tij te United.
Në prapaskenë, drejtori i futbollit Jason Wilcox kishte bllokuar një huazim të mundshëm, duke besuar se do të ishte shumë e vështirë të gjendej në kohë të shkurtër një zëvendësues me cilësi të ngjashme.
Tani, me ardhjen e Carrick, gjërat janë stabilizuar. Mainoo shihet sërish si pjesë e planeve afatgjata të klubit, ndërsa raporti shton se ai ka nënshkruar edhe një kontratë të re afatgjatë me Manchester United./Telegrafi/











































