LAJMI I FUNDIT:

Putini është i bllokuar dhe i mjerë: A do ta shpëtojnë miqtë e tij në Perëndim?

Putini është i bllokuar dhe i mjerë: A do ta shpëtojnë miqtë e tij në Perëndim?

Nga: Simon Tisdall / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

“Turmat e njerëzve bëjnë jetë goxha të mjerë”. Kështu shkruante më 1854, autori amerikan Henry David Thoreau. Është ky fati që shpejtë po e mbërthen Vladimir Putinin, teksa lufton për t’i shpëtuar kurthit katastrofik që ia ngriti vetes në Ukrainë.


Është e kuptueshme që presidenti i Rusisë do që të mbetet i heshtur për “operacionin e tij special ushtarak”. Por, ngërçi i paqartë nuk është ajo që priste. Nuk priste as makina me bombë në Moskë dhe as sulme tjera poshtëruese në fortesën e Krimesë.

Më së paku Putini i ka parashikuar 80 mijë ushtarë rusë të vdekur ose të plagosur. Vdekja me ta është ëndrra e paarritshme e tij për Pjetrin e Madh për “Rusinë më të madhe”. Pos si vrasës dhe kopuk, tashmë ka marrë fund çdo tjetër reputacion për të.

Moçali i pafund ushtarak nuk është skenari që Putini mund ta përballojë, pasi sanksionet perëndimore po ia ndryshkin dalëngadalë ekonominë dhe fuqinë njerëzore, ndërsa materialet për ushtrinë e tij vazhdimisht janë duke u shterur. Pra, cilat janë opsionet e tij?

Ai mund ta shpallë një fitore të çuditshme, të pretendojë se “kërcënimi” i NATO-s është neutralizuar dhe do të propozojë zgjidhjen që njeh aneksimin e zonave të pushtuara nga Rusia. Por, me siguri e di se Kievi me dëshirë nuk do t’i pranojë kurrë kushtet e tilla. Ai mund të luajë kumar me një përshkallëzim të madh në fushëbetejë, për shembull duke e përdorur Bjellorusinë për ta hapur një front të dytë në veri të Kievit – rajonin të cilin nuk arriti ta kapërcejë në shkurt. Por, nuk është e sigurt nëse gjeneralët e tij kanë aftësi ose gatishmëri për të rrezikuar.

Ai ashiqare nuk guxon të tërhiqet. Pra, derisa rritet presioni ndaj tij për të shënuar ndonjë përparim, Putini mund të përcaktohet se alternativa e tij më e mirë është që të rrisë koston e luftës ndaj mbështetësve të Ukrainës – dhe në këtë mënyrë ta minojë rezistencën e Kievit.

Në fakt, tashmë ka filluar me këtë. Është domethënës fakti se liderët britanikë, francezë dhe gjermanë, që të gjithë këta, javën e kaluar e shpallën mbështetjen afatgjate për Ukrainën. Ata e dinë se Putini po luan kumar se ata do të zmbrapsen.

Problemi është te ankthi në rritje për energjinë dhe për krizat e kostos së jetesës në Evropë, të shkaktuara kryesisht nga pushtimi dhe nga shkurtimet e Kremlinit për furnizimet me gaz. Mund të jenë paralizuese pasojat e dimrit të shkaktuara nga më ftohta luftë e luftërave të ftohta.

Megjithatë, Putini mbase vetëm ka filluar. Ka shumë mjete me të cilat mund ta minojë unitetin perëndimor dhe të qëndrojë në pushtet. Evropa është e mbushur me pika potenciale lehtësisht të ndezshme, si dhe me defekte gjeopolitike të trashëguara nga koha sovjetike. Po kështu, Rusia ka një numër befasues të aleatëve dhe të simpatizantëve të shpërndarë përgjatë peizazhit të copëtuar politik evropian.

Pra, a do të ndihmojnë miqtë e Putinit në Perëndim, në shpëtimin e bishës nga Lindja? Alexander Lukashenko i Bjellorusisë tashmë gjendet në xhepin e Putinit. Moska ia siguroi mbijetesën diktatorit, pasi vjedhja që bëri gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 ka provokuar protesta mbarëkombëtare. Lukashenko do të bëjë ashtu siç i thotë.

Brenda BE-së, si Kalë i Trojës i Putinit shihet Viktor Orbáni – kryeministri i Hungarisë. Ashtu si shumica në të djathtën ekstreme të Evropës, Orbáni e admiron ideologjinë e tij intolerante nacionaliste dhe mbështet pikëpamjen e tij raciste, homofobike. Ai vazhdimisht i ka penguar sanksionet e BE-së. Muajin e kaluar në mënyrë të njëanshme e ndërpreu një marrëveshje të njëanshme të gazit, me Kremlinin. Orbanit nuk mund t’i besosh shumë.

Rënia në qershor e qeverisë reformiste të Bullgarisë dhe bisedat pasuese për riparimin e marrëdhënieve me Moskën, po ushqejnë brengën se Putini po fiton leva për ta ndarë BE-në.

Edhe Italia ka gjithashtu shumë tifozë të Putinit. Udhëheqësit e dy partive të ekstremit të djathtë – që pritet t’i bashkohen një koalicioni qeverisës pas zgjedhjeve të muajit të ardhshëm – përgjatë viteve i kanë pëlqyer lidhjet e ngushta me Moskën. Liga e Matteo Salvinit, në viti 2017 formoi aleancë me Rusinë e Bashkuar të Putinit. Silvio Berlusconi i Forza Italia është mik personal i tij. Kryeministri i rrëzuar i Italisë, Mario Draghi, mbajti qëndrim të ashpër ndaj Ukrainës. Kjo mund të ndryshojë.

Partitë tjera revolucionare dhe populiste evropiane të ekstremit të djathtë (dhe të majtë), në shkallë të ndryshme identifikohen me ideologjinë putiniste dhe me vlerat konservatore sociale. Ato i bëjnë jehonë armiqësisë së tij ndaj BE-së. Një studim përfundimtar i vitit 2016 i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, si “proruse” renditi Alternativën e Gjermanisë për Gjermaninë, Frontin Kombëtar të Francës (tani Tubimi Kombëtar), Partinë e Lirisë së Austrisë dhe Vlams Belangun e Belgjikës. Ukipi gjithashtu nuk bën përjashtim.

“Palët … ndihmojnë në legjitimimin e politikave të Kremlinit dhe në përforcimin e dezinformatave ruse. Ndonjëherë ato mund t’i zhvendosin debatet e brendshme të Evropës në favor të Rusisë”, ka thënë studimi. Në botën e Putinit, kanale e tilla janë armë e fuqishme për ndikim.

Për dëgjueshmëri, Putini gjithashtu mund të mbështetet te politikanët e zakonshëm që nuk janë pjesë e BE-së, si Aleksandar Vuçiqi, presidenti i Serbisë. Vuçiqi nga kundërshtarët quhet “Putini i vogël”. Serbia ka lidhje të thella historike me Rusinë, sllave dhe fetare, plus një mosbesim të përbashkët ndaj NATO-s. Nuk harrohet bombardimi i Beogradit nga Aleanca më 1999.

BE-ja dhe Britania e Madhe kanë frikë se Ballkani i paqëndrueshëm Perëndimor është pikë kritike e presionit që Putini mund të përdorë për t’i nxitur konfliktet e vjetra dhe për ta larguar vëmendjen nga Ukraina.

Kosova, ku agjitacioni etnik serb sërish po ndërtohet, paraqet një rast të tillë. Javën e kaluar Vuçiqi i kërcënoi me ndërhyrje paqeruajtësit ndërkombëtarë. “Do ta shpëtojmë popullin tonë nga persekutimi dhe masakrat nëse NATO nuk dëshiron ta bëjë këtë”, tha ai. Udhëheqësit serbë të Bosnjës, që janë të lidhur me Moskën, gjithashtu kërcënojnë me përçarje të reja në Bosnje-Hercegovinë. Bosnja i ka bërë jehonë refuzimit të Serbisë të sanksioneve “histerike” perëndimore. Në mars, çiklistët boshnjakë serbë që janë pro-Putinit, “Ujqërit e natës”, kanë mirëpritur pushtimin e Ukrainës.

Moldavia dhe Gjeorgjia e ndarë, me popullsi të ndara dhe me trupat ruse në tokat e tyre, janë gjithashtu pika të mundshme të ndezjes. Tjetri është Kaliningradi, ku Putini këtë muaj vendosi raketa hipersonike për të frikësuar fqinjët e NATO-s. Sidomos Estonia – me pakicën e saj etnike ruse – duket si një objektiv.

Përpjekjet e Putinit për të përhapur frikë dhe paqëndrueshmëri, përçarje dhe dhimbje ekonomike – duke i shtyrë vendet të mendojnë dy herë për ta kundërshtuar Rusinë – shtrihen përtej Evropës. Vetot e tij e kanë ngrirë në kohë Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Tashti, në lidhje me Ukrainën, ai dhe Xi Jinpingu i Kinës duket se do ta kthejnë samitin e rëndësishëm post-pandemik të G20-shit – në nëntor në Bali – në një përballje të ashpër të Perëndimin kundër pjesës tjetër. Pa marrë parasysh se i gjithë argumenti i Rusisë bazohet në gënjeshtër.

Loja e pamatur e Putinit me zjarr, në termocentralin bërthamor të okupuar të Ukrainës në Zaporizhia, sugjeron se ai do të rrezikojë pothuajse gjithçka për të fituar. Ashtu siç është goxha në gjendje të mjerë, nga dita në ditë bëhet edhe më i rrezikshëm. /Telegrafi/