Kërkimet në Google gjatë krizave botërore ofrojnë njohuri të jashtëzakonshme mbi njerëzoren tonë

Nga: Simon Rogers / New York Post
Përkthimi: Telegrafi.com
Përherë na thuhet se interneti na bëri më të izoluar, më të polarizuar dhe më egoistë. Por, si redaktor i të dhënave në Google, puna ime është të mbledh pikëpamje nga mali i të dhënave të kërkimit dhe mund t’ju them se databaza e qëllimeve tona reale dëshmon pikërisht të kundërtën.
Është ndoshta dataseti më i madh publik në ekzistencë dhe mund të pretendojë, në mënyrë të arsyeshme, se përfaqëson njerëzimin në mbarë botën. Kur ka fatkeqësitë, qeniet njerëzore ndjekin në mënyrë të besueshme një rrugë të qartë njohëse - së pari, kërkojmë të kuptojmë kërcënimin dhe, së dyti, ndërmarrim veprime për të ndihmuar të tjerët.
Gjendja jonë bazike në një krizë është dhembshuria. Për ta parë këtë në veprim, mund të shohim thjesht se si njerëzit kërkojnë përgjigje për një fatkeqësi të madhe natyrore.
Gjatë fazave fillestare të një ngjarjeje, ka një evolucion të shpejtë në kërkime. Ndërsa një kërcënim afrohet, fillimisht shohim një rritje të kërkimeve informative - njerëzit përpiqen të kuptojnë se çfarë po ndodh dhe nivelin e rrezikut.
Por, ndërsa serioziteti i situatës bëhet i qartë, diçka ndryshon. Kërkojmë për “si” - duke kaluar nga mbledhja pasive e informacionit në reagim aktiv. Këtë e pamë gjatë Uraganit Harvi në vitin 2017, kur njerëzit që merrnin masa mbrojtëse dhe grumbullonin furnizime emergjente ndaluan për të kërkuar diçka personale, të kuptueshme dhe shumë njerëzore: “Si ta qetësosh një qen gjatë një stuhie”. Në thelb, kjo është shumë e thjeshtë: së pari - informacion; së dyti - veprim. Pasi angazhohemi, supozojmë se mund të bëjmë diçka dhe duam të dimë si. Kështu kalojnë trendët e kërkimit nga “çfarë është një uragan?” në “si ta qetësosh një qen gjatë një stuhie”.
Mund ta ndjekim saktësisht se si kjo shfaqet në aspektin gjeografik, duke krahasuar ata brenda zonës së fatkeqësisë me ata jashtë epiqendrës. Për ata në rrugën e shkatërrimit, kërkimet lidhen kuptueshëm me mbijetesën dhe mbrojtjen e më të pambrojturve. Në shtator 2024, kur Uragani Helena preku tokën, shtetet e goditura kishin rritje në kërkimet për sigurinë e kafshëve shtëpiake - p. sh. “strehimore për uragane që pranojnë kafshë pranë meje” në Floridë dhe “si të qetësosh një qenush” në Xhorxhia.
Por, jashtë epiqendrës, reagimi lidhet kryesisht me gjetjen e mënyrave për të ndihmuar. Gjëra të tmerrshme ndodhin dhe ne duam të bëjmë diçka për të ndihmuar - edhe kur ngjarjet janë të shkaktuara nga njeriu. Në ditën e sulmit në klubin e natës Pulse në Orlando, në vitin 2016, dhurimet e gjakut u rritën me plus 1 550 përqind në të gjithë ShBA-në. Kjo nuk ndodhi vetëm sepse njerëzit u rreshtuan për të dhënë gjak për viktimat, por gjithashtu pasqyroi një dëshirë të dëshpëruar të publikut të gjerë për të kontribuar në çfarëdo mënyre që mundnin.
Kjo dëshirë për të ndërhyrë është tipar i përsëritur i mendjes sonë kolektive. Kërkimet për “Si të ndihmoj ...” nuk kanë qenë kurrë më të larta sesa janë tani në botë në mes të viteve ’20 të shekullit XXI. Ajo që bie në sy nga të dhënat është se shpesh kërkimet nuk lidhen me ndihmën ndaj vetes apo edhe miqve tanë, por me ndihmën ndaj të tjerëve.
Kur ka fatkeqësi natyrore, kërkojmë si të ndihmojmë ose të dhurojmë për një kauzë. Në ditët pas zjarrit shkatërrues të vitit 2023 në ishullin Maui në Havai, kërkimi më i popullarizuar për donacione në Google ishte “donacion për zjarrin në Maui”. E shohim këtë model të përsëritet sa herë që ka një ngjarje të madhe globale - nga kërkimi kryesor për donacione për tërmetin Noto në Japoni më 2024, deri te rritja masive e kërkimeve për “Dhuro për Ukrainën” në vitin 2022.
Kjo dëshirë për të ndihmuar njihet si ndihmë e ndërsjellë, dhe mendoj se e pasqyron një praktikë të hershme të mbështetjes së njëri-tjetrit. Të dhënat më tregojnë se ne duam të ndihmojmë - sepse mund të identifikohemi me dikë që po kalon në një situatë të vështirë. Kërkojmë detaje rreth një krize - sepse mund ta shohim veten duke vuajtur në të njëjtën mënyrë. Kjo është empati. Madje, e shohim këtë edhe në kërkimet tona të përditshme për njerëzit e dashur: si në ShBA ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar, kërkimi më i shpeshtë në këtë kategori - për dekadën e fundit - ka qenë “Si të ndihmosh dikë me depresion”, ndjekur nga ankthi dhe sulmet e panikut.
Gjërat për të cilat kujdesemi, për çdo ditë, vazhdimisht ndryshojnë. Minutë pas minute, sekondë pas sekonde vëmendja jonë është njëkohësisht shumë jetëshkurtër dhe shumë e përqendruar. Por, kur ka rëndësi, atëherë kërkojmë për të ndihmuar.
Mund të dukemi më të polarizuar se kurrë më parë, megjithatë kjo temë e tentimit për të ndihmuar të tjerët shfaqet vazhdimisht në të dhëna.
Gjithnjë ndodhin gjëra të tmerrshme në botë. Por, kur ndodhin, reagimi ynë shpesh është më i thjeshti: duam të ndihmojmë, të rregullojmë gjërat dhe ta përmirësojmë botën rreth nesh. Të dhënat kundërshtojnë fuqishëm idenë se qeniet njerëzore janë të interesuara vetëm për veten. /Telegrafi/
















































