LAJMI I FUNDIT:

Punëtorët nuk pajtohen me privatizimin e Telekomit

Punëtorët nuk pajtohen me privatizimin e Telekomit

Punëtorët e Telekomit nuk po pajtohen me vendimin e Qeverisë se Kosovës që të fillojnë procedurat për privatizim, kurse mbështesin procedurat e ristrukturimit të kësaj kompanie.

Qeveria më 22 janar të këtij viti, ka marrë vendim që të privatizohet kjo kompani, kurse fillimisht të hyjë në fazën e ristrukturimit.


Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, procesin e privatizimit e ka vlerësuar shpëtim, pasi për shkak të humbjeve financiare, rrezikohet seriozisht likuiditeti i kompanisë. Por, Sindikata e Postës dhe Telekomit të Kosovës po kundërshton këtë proces.

Lamih Balaj, kryetar i kësaj sindikate, tha për Radion Evropa e Lirë, se pa dhënë përgjegjësi personat që kanë shkatërruar kompaninë, nuk do të ketë privatizim.

“Privatizimi nuk duhet të ndodhë për shkak se nuk mund të amnistohet krimi që iu ka bërë Telekomit të Kosovës, dëmtimi që është bërë më vetëdije dhe tashmë ta privatizojmë dhe të mbulojmë këtë krim. Për momentin për sindikatën është i mbyllur kapitulli i privatizimit dhe aq më pak nuk do të lejohet që as në një formë edhe në rast të ristrukturimit, të zvogëlohet numri i punëtorëve ose të zvogëlohen pagat, sepse punëtorët më pagat e tyre, nuk mund të paguajnë ‘haraçin’ e dikujt tjetër”, tha Balaj.

Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.

Koha është e papërshtatshme, Telekomi i Kosovës duhet të 'rimëkëmbet' para privatizimit
Lexo po ashtu Koha është e papërshtatshme, Telekomi i Kosovës duhet të 'rimëkëmbet' para privatizimit

Telekomi ka përafërsisht 2,400 punonjës, kurse paga mesatare, sipas Balajt, është 730 euro.

Qeveria e Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Vladrin Lluka në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se privatizimi nuk do të ndalet, por që siguron se në këtë fazë, do të mbrohen interesat e punëtorëve. Sipas tij, sindikata do të jetë e përfshirë në çdo proces të Telekomit.

Sindikata nuk pranon uljen e pagave për punëtorët e Telekomit (Video)
Lexo po ashtu Sindikata nuk pranon uljen e pagave për punëtorët e Telekomit (Video)

“Privatizimi nuk do të ndalet, por përfaqësimi i interesave të punëtorëve do të zë vend të veçantë. Unë jam zotuar se interesat e punëtorëve do të përfaqësohen denjësisht gjatë procedurave të privatizimit. Ne kemi dhjetë raste të suksesshme të privatizimit nëpër botë, ku interesat e punëtorëve janë përfaqësuar ashtu siç duhet, dhe probleme sociale nuk ka pasur aspak. Prandaj nuk ka hapësirë në këtë fazë për shqetësim dhe punëtorët nuk duhet të ndihen të kërcënuar sepse do të ndiqet forma dhe mënyra më e mirë e mundshme”, tha Lluka.

Ministri Lluka bën të ditur se fillimisht, në fund të këtij muaji, do të nisë procesi i ristrukturimit të Telekomit i cili do zgjatë gjashtë muaj, kurse më pas procesi i privatizimit pritet të fillojë në fund të këtij viti dhe të përfundojë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020.

Lluka: Pas dy viteve mund të fillojë privatizimi i Telekomit
Lexo po ashtu Lluka: Pas dy viteve mund të fillojë privatizimi i Telekomit

“Ristrukturimi do të vendosë rregulla në Telekom dhe aty do shihet se cilat do jenë nevojat reale për Telekomin. Më rëndësi është që t’u jepet mundësi investitorëve që parashohin zgjerimin e shërbimeve dhe jo vetëm në telefoni mobile, një shtrirje më të gjerë në Kosovë. Pra, të bëhet një kompani më konkurruese në treg. Dhe zgjerimi i shërbimeve nënkupton edhe vende pune, pra realisht ndoshta edhe lëvizje të stafit aktual nëpër shërbime të reja. Ne e dimë se Telekomi është i mbipopulluar dhe në këtë rast nuk mund të garantojmë se si do të jetë e ardhmja për të gjithë. Mirëpo, privatizimi nuk mund të ndodhë pa e konfirmuar me ristrukturim, se cila do të jetë qasja e punëtorëve dhe menaxhmentit të Telekomit”, thotë ministri Lluka.

Në anën tjetër, sindikalisti Balaj edhe pse përkrah procesin e ristrukturimit, e quan të pakuptimtë rimëkëmbjen e kompanisë dhe më pas privatizimin e saj.

“Sepse nuk mundet të ndodh në të njëjtën kohë, një ristrukturim, një investim, dhe brenda një viti një privatizim”, shprehet Balaj.

Sipas ministrit Lluka, privatizimi është veprim i duhur dhe se Qeveria e Kosovës do të mbetet aksionare nga 25 deri në 49 për qind.

Ndryshe, ministri Lluka tregon se tashmë interesim për privatizim të kësaj kompanie kanë shprehur katër kompani nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Telekomi i Kosovës ka operuar në sistemin e Postës dhe Telekomit të Kosovës. Por, në vitin 2012 me një vendim të Qeverisë, Posta u nda nga Telekomi dhe u themeluan si Ndërmarrje Publike.

Kështu që dy herë radhazi, Posta dhe Telekomi i Kosovës i ishte nënshtruar procesit të privatizimit, ndonëse po për dy herë radhazi, Qeveria kishte dështuar ta përmbyllte me sukses këtë proces.

Për herë të parë kjo ndërmarrje i ishte nënshtruar procesit të privatizimit në vitin 2011.

Kurse më pas, në rastin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, në vitin 2013 kompania Axos Capital ishte shpallur fituese, me një vlerë prej 277 milionë eurosh.

Por, krahasuar me atë periudhë, Agron Dida, ekspert i telekomunikacionit, dikur udhëheqës i Post-Telekomit të Kosovës, ditë më parë për Radion Evropa e Lirë, tha se vlera e tanishme e Telekomit të Kosovës është shumëfish më e ulët.

Edhe Dida thotë se ka shumë arsye mbi të cilat mund të besohet se vetëm privatizimi e shpëton Telekomin në këtë kohë.

Ai shprehet se menaxhimi jo i mirë, jokoherenca me zhvillimet teknologjike, punësimi i njerëzve joprofesionistë, janë arsyet, që sipas tij, ndikojnë që Telekomi i Kosovës duhet të kalojë te ndonjë investitor privat. /REL/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Shije italiane në zemër të Prishtinës - Vapiano hapet së shpejti

Shije italiane në zemër të Prishtinës - Vapiano hapet së shpejti

Foleja
Gjithë ke lakmu me pas banesë n'deti?

Gjithë ke lakmu me pas banesë n'deti? "Holiday In 2" është vendi ideal

Edil Project
Nxitoni, vetëm edhe 4 vende të lira në kursin intensiv për kamerë “From Zero to Hero”

Nxitoni, vetëm edhe 4 vende të lira në kursin intensiv për kamerë “From Zero to Hero”

Pixels
Brendi holandez Keune mirëpret sot stilistët e flokëve në seminar - EBC

Brendi holandez Keune mirëpret sot stilistët e flokëve në seminar - EBC

EBC Cosmetics
Përfaqësuesit e BQK-së takojnë zëvendësndihmës sekretarin amerikan të Thesarit, diskutohet thellimi i bashkëpunimit dhe fushat me interes

Përfaqësuesit e BQK-së takojnë zëvendësndihmës sekretarin amerikan të Thesarit, diskutohet thellimi i bashkëpunimit dhe fushat me interes

Ekonomi
Kush përfiton nga ulja e çmimit të energjisë elektrike?

Kush përfiton nga ulja e çmimit të energjisë elektrike?

Ekonomi
Kalo në kategori