Ka nisur këtë të enjte edicioni i dytë i "Panairit të Gruas".

Hapjen e tij në sheshin "Nënë Tereza" në Prishtinë, e bëri ministrja në detyrë e Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila si mysafire, dhe Lulzim Rafuna, si kryetar i Odës Ekonimike të Kosovës, si nikoqir.


Në këtë panair u jepet mundësia grave ndërmarrëse që t'i promovojnë dhe ekspozojnë bizneset e tyre.

Në fjalën e tij, Rafuna tha se kanë kuptuar se pa mbështetjen ndaj grave nuk do të ketë zhvillim të plotë.

"Ne si Odë Ekonomike e Kosovës e vlerësojmë rolin e gruas në zhvillimin ekonomik të vendit. E kemi kuptuar që pa i dhënë hapësirë dhe pa i ndihmuar, pa i ndihmuar gratë në biznese, në prodhim, në shërbime, në tregti, nuk do të mund të kemi zhvillim të plotë. Zhvillim të plotë dhe rritje do të kemi vetëm kur t'i ndihmojmë gratë që të avancohen në zhvillimin ekonomik të vendit duke i rritur bizneset e tyre", tha Rafuna.

E ministrja Kusari Lila u shpreh se gratë ndërmarrëse kanë një rol të veqantë në politikëbërjen e saj dhe qeverisë ku bënë pjesë.

"Si ministre tash në detyrë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjatë gjithë kohës së angazhimit tim në këtë post e gjithashtu edhe më herët në Qeverinë e Republikës, gratë ndërmarrëse kanë pasur një rol të veçantë në politikëbërjen tonë. Prej se kemi lansuar skemat e granteve, gjithmonë është përparësi e dhënë edhe në vlerësim për gratë ndërmarrëse. Tashmë në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, në kuadër të agjencisë së re për ndërmarrësi dhe inovacion do të jetë edhe divizioni i veçantë për gratë ndërmarrëse. Divizion që synon ndërlidhjen e politikëbërjes me ekzekutimin dhe asistencën teknike të drejtpërdrejtë për gratë ndërmarrëse në Republikën e Kosovës, si dhe për promovimin e shpirtit të ndërmarrësisë edhe tek vajzat e reja që duan të jenë pjesë e ndërmarrësisë", tha ajo.

Sanije Hyseni, grua ndërmarrëse që merret me artizanate tha se është e lumtur me këtë mundësi por u ankua se nuk po ka shitje.

"Ka rënë, ka rënë interesimi se s'po kanë, njerëzit po blejnë vetëm gjëra ushqimore e këto që po janë elementare", tha Hyseni.

Edhe Fatmire Hyseni e vlerësoi lartë këtë mundësi për ekspozimin e punës së dorës që e bën.

"Punë dore me rruza, punë dore me qartën, me të gjitha llojet çka të ka...Edhe i bëjmë pak punët e shoqatës, edhe i shesim, edhe punë dore të mia po i blejnë, do të thotë gjithçka është e mirë", shtoi ajo.

Organizime të tilla mirëpriten gjithmonë nga gratë ndërmarrëse. /KP/