LAJMI I FUNDIT:

Gjeografia, demografia,…: Pse sulmet e Izraelit në Gaza po vrasin kaq shumë fëmijë

Gjeografia, demografia,…: Pse sulmet e Izraelit në Gaza po vrasin kaq shumë fëmijë

Luftimet gati njëmujore Izrael-Hamas kanë vrarë fëmijë me një ritëm më të shpejtë se pothuajse çdo konflikt tjetër i armatosur në dekada.

Shumica dërrmuese e fëmijëve – 3,542 të raportuar deri më 30 tetor, krahasuar me më shumë se 30 fëmijë të raportuar të vrarë nga pala izraelite – kanë qenë palestinezë në Gaza.


Të vetmet statistika gjithëpërfshirëse për viktimat civile në Gaza vijnë nga Ministria Palestineze e Shëndetësisë, një agjenci e qeverisë së Hamasit të Gazës, besueshmëria e së cilës është vënë nën dyshim pasi fajësoi forcat izraelite për një shpërthim në Spitalin Baptist Al-Ahli në Gaza – një pretendim i diskutueshëm nga shumë dhe nga vlerësimi i komunitetit të inteligjencës amerikane.

Pasi presidenti amerikan Joe Biden vuri në dyshim publikisht në saktësinë e statistikave të viktimave, Ministria e Shëndetësisë publikoi një listë që tha se përmbante emrat, numrat e identitetit dhe moshat e çdo personi të vrarë nga sulmet ajrore izraelite.

Por Business Insider thotë se nuk ishte në gjendje të verifikonte listën, përcjell Telegrafi.

Megjithatë, nga çdo 10 persona të listuar nga Ministria e Shëndetësisë si të vrarë, katër ishin fëmijë.

Kjo përqindje e vdekjeve të fëmijëve tejkalon të gjitha konfliktet e tjera të armatosura të fundit, përfshirë pushtimin e Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Ndryshe, aeroplanët luftarakë izraelitë kanë bombarduar pamëshirshëm brezin 40 kilometra të gjatë që nga sulmet terroriste të Hamasit të 7 tetorit në Izrael, të cilat vranë rreth 1,400 njerëz. Më shumë se 200 njerëz u morën peng, duke përfshirë rreth 30 fëmijë. Shumë u torturuan.

Ndërkohë të dielën, organizata ndërkombëtare humanitare “Save The Children” tha se numri i fëmijëve të vrarë në Gaza në tri javë kishte tejkaluar numrin e përgjithshëm të fëmijëve të vrarë në të gjitha zonat e konfliktit global që nga viti 2019.

Ku dhe si i rekruton Hamasi anëtarët e tij?
Lexo po ashtu Ku dhe si i rekruton Hamasi anëtarët e tij?

Për të gjetur një numër të krahasueshëm të vdekjeve, duhet të kthehemi prapa në luftën civile siriane, e cila vrau 27,126 fëmijë gjatë një periudhe prej më shumë se 10 vjetësh, ose luftën civile të vazhdueshme në Jemen, në të cilën 3,774 fëmijë kanë vdekur në shtatë vjet luftime, sipas OKB-së.

Konflikti aktual Izrael-Hamas, për krahasim, ka filluar para më pak se një muaj dhe vazhdon të intensifikohet ndërsa Izraeli fillon operacionet tokësore në Gaza.

Kështu, as Siria dhe as Jemeni nuk panë fëmijë që përbënin një pjesë kaq të madhe të vdekjeve të civilëve.

Gjeografia, demografia – dhe një sulm i pamëshirshëm ajror

Disa faktorë kontribuojnë në rritjen e numrit të vdekjeve tek fëmijët, thanë ekspertët për BI.

Demografia dhe gjeografia luajnë një rol – gati gjysma e 2.1 milionë banorëve të Gazës janë 18 vjeç ose më të rinj.

Përveçse është një nga zonat më të dendura në botë, terreni i Gazës është kryesisht i sheshtë, duke rritur gamën efektive të bombave dhe eksplozivëve.

Dhe Hamasi, i cili ndezi këtë raund më të fundit të dhunës me sulmet brutale dhe pa dallim të 7 tetorit ndaj civilëve izraelitë, vepron pranë dhe nën një mjedis urban – ku është jashtëzakonisht e vështirë, nëse jo e pamundur, për banorët të shpëtojnë.

Por strategjia izraelite për të sulmuar Gazën me valë sulmesh ajrore është gjithashtu fajtore, sipas Omar Shakir, nga Human Rights Watch, shkruan Business Insider, përcjell Telegrafi.

Strehimi në kampet, shkollat dhe spitalet e refugjatëve të operuara nga OKB-ja krijon rreziqe për më shumë viktima civile sepse njerëzit janë mbledhur në zonat e sulmuara, tha Shakir.

“Intensiteti i bombardimeve që ata kanë kryer mbart një rrezik të parashikueshëm për civilët”, vlerëson Shakir. “Ne po e shohim atë në një shkallë të ndryshme intensiteti. Numri i konsiderueshëm i vdekjeve është në përputhje me llojin intensiv të bombardimeve”.

“6,000 bombat që Izraeli tha se hodhi në Gaza gjatë javës së parë është një numër i pabesueshëm”, theksoi Brian Finucane, një ish-këshilltar i Departamentit të Shtetit për ligjin e luftës, tani në Grupin Ndërkombëtar të Krizave. “Kjo është më shumë se sa hodhi koalicioni amerikan kundër ISIS në një muaj të tërë”.

Dhe, shtoi Finucane, ka arsye për të dyshuar nëse Izraeli ka një pasqyrë të saktë se mbi kë po bien ato bomba.

“Dështimi i Izraelit për të parashikuar mizoritë e 7 tetorit vë në pikëpyetje cilësinë e inteligjencës për çdo objektiv të planifikuar paraprakisht”, mendon ai.

Sipas shkrimit të BI, fëmijët përbëjnë 41% të 8,525 palestinezëve që Ministria e Shëndetësisë palestineze ka raportuar të vrarë në Gaza.

Si u bë Katari një lojtar kyç në bisedimet diplomatike me Hamasin?
Lexo po ashtu Si u bë Katari një lojtar kyç në bisedimet diplomatike me Hamasin?

Nga ana izraelite, Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se 30 fëmijë u vranë në sulmet e Hamasit.

Asnjë statistikë nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur. OKB-ja historikisht e ka gjetur të besueshëm raportimin e autoriteteve civile në Gaza.

Menjëherë pas komenteve të Joe Biden që hodhën dyshime mbi shifrat e viktimave palestineze, HuffPost raportoi se 20 “raporte të situatës” të Departamentit të Shtetit kishin cituar numrat e Ministrisë së Shëndetësisë brenda vendit.

Në një nga ato raporte, më 21 tetor, një zyrtar shkroi se shifrat ishin “me gjasë shumë më të larta”, duke ia atribuuar mospërputhjen OKB-së dhe organizatave joqeveritare në terren.

Lëvizjet e njerëzve

Më 13 tetor, Izraeli lëshoi një urdhër evakuimi për 1.1 milionë banorë të Gazës veriore, duke u kërkuar atyre të lëvizin në jug.

Por ata palestinezë që ndoqën udhëzimet e qeverisë izraelite dhe u zhvendosën në jug nuk i shpëtuan kërcënimit të sulmeve ajrore izraelite.

Disa aeroplanë izraelitë vazhduan të synonin pjesën jugore të Gazës pas urdhrit të evakuimit.

Midis të vrarëve ishin anëtarë të familjes së shefit të zyrës së Al Jazeera Arabic në Gaza, duke përfshirë gruan, vajzën, djalin dhe nipin e tij; një vajzë tjetër e vogël u plagos rëndë.

Gaza tashmë është e mbushur me njerëz dhe urdhrat e evakuimit të Izraelit kanë vendosur popullsinë civile në zona edhe më të vogla.

Shakir, drejtor i HRW-së për Izraelin dhe Palestinën, ia atribuon një pjesë të madhe të efekteve joproporcionale te fëmijët, shkallës në këtë hapësirë të zvogëluar dhe të mbipopulluar.

Në anën tjetër, në një deklaratë për Business Insider, një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit tha se ata po i përmbaheshin ligjit të konfliktit të armatosur, i cili kërkon që luftëtarët të balancojnë nevojën ushtarake kundër mbrojtjes së jetës civile.

IDF ka “një proces shumë të rregulluar dhe me shumë nivele për miratimin e sulmeve të para-planifikuara kundër objektivave ushtarake”, shkroi zëdhënësi, duke shtuar se avokatët ushtarakë “janë gati në të gjitha nivelet e komandës për të siguruar që sulmet të jenë në përputhje me detyrimet ligjore ndërkombëtare, duke përfshirë proporcionalitetin”.

Por referimi nga IDF-së ndaj ligjit ndërkombëtar qëndron në kontrast me deklaratat e bëra gjatë konfliktit nga liderët politikë të Izraelit, të cilët kanë premtuar “hakmarrje pa ndalim për sulmet e Hamasit”.

“Ne do t’i gjymtojmë pa mëshirë dhe do të hakmerremi për këtë ditë të zezë që ata i kanë sjellë Izraelit dhe qytetarëve të tij”, tha kryeministri Benjamin Netanyahu. “Banorët e Gazës, dilni tani. Ne do të jemi kudo dhe me të gjitha forcat tona”.

Ndërsa Yoav Gallant, ministri i mbrojtjes i Izraelit, tha se ai po hiqte “të gjitha kufizimet” nga përgjigja e Izraelit dhe i karakterizoi objektivat e tij si “kafshë njerëzore”.

“Është një komb i tërë atje ai që është përgjegjës”, deklaroi presidenti izraelit, Isaac Herzog. “Nuk është e vërtetë kjo retorikë për civilët që nuk janë të vetëdijshëm, të pa përfshirë. Nuk është absolutisht e vërtetë”.

Herzog më vonë tha se ai nuk donte të nënkuptonte se civilët palestinezë ishin objektiva legjitime.

Megjithatë, zëdhënësi i IDF, Daniel Hagari thuhet se tha se sulmet ajrore në Gaza do t’i jepnin përparësi “dëmtimit, jo saktësisë”.

Ndërkohë Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim A.A. Khan, bëri të ditur të dielën se Izraeli, duke penguar ndihmën, mund të përballet me hetime të mëtejshme për krimet e luftës.

“Është alarmante të shohësh trupat e fëmijëve të vegjël që mund të jenë fëmijët tanë të tërhequr zvarrë, të heshtur, të palëvizshëm sepse janë të vdekur – ose me lëndime dhe gjak – duke u dërguar me urgjencë në objektet mjekësore”, tha Khan në Kajro.

Izraelitët publikojnë pamjet – tregojnë momentin “e hedhjes në erë të shtëpisë së liderit të Hamasit”
Lexo po ashtu Izraelitët publikojnë pamjet – tregojnë momentin “e hedhjes në erë të shtëpisë së liderit të Hamasit”

Deklaratat e Khan dukej se sugjeronin se Hamasi dhe Izraeli mund të ndiqen penalisht nga GJNP.

Ndërsa Tahani Mustafa, analisti i lartë i Palestinës në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, vuri në pah faktin se numri i lartë i vdekjeve, lëndimet dhe mënyrat “e padinjitetshme” në të cilat familjet, miqtë dhe fqinjët e fëmijëve ishin vrarë në sulmet ajrore izraelite, do t’u shkaktonin gjithashtu fëmijëve të mbijetuar trauma të thella psikologjike dhe dhimbje fizike.

“Ata po shohin se e gjithë bota e tyre po shkatërrohet”, tha Mustafa.

Historikisht, shumë palestinezë që kanë marrë armët kundër izraelitëve “kanë qenë viktima të këtyre llojeve të dhunës”, shtoi Mustafa.

BI thekson se gjatë ofensivave të kaluara në Gaza, Izraeli ndonjëherë paralajmëroi civilët brenda ndërtesave të synuara me telefonata, fletëpalosje ose duke vendosur municione me rendiment të ulët në ndërtesa përpara një sulmi të madh, një praktikë e njohur si “trokitje e çatisë”.

Por një oficer i IDF-së i tha New York Times se Forcat Ajrore izraelite ishin “shumë të zënë” duke hedhur bomba mbi objektiva për të përdorur taktikën këtë herë.

Në vend të “goditjeve në çati”, Izraeli po lëshon urdhra për evakuim masiv dhe fletushka ku thuhet se “kushdo që ndodhet pranë luftëtarëve të Hamasit do të vërë jetën e tij në rrezik”.

Si konkluzion, vëllimi i fushatës aktuale të bombardimeve, i kombinuar me mungesën e paralajmërimeve specifike, ka vrarë shumë më tepër fëmijë dhe me një ritëm shumë më të shpejtë se ofensivat e mëparshme izraelite në Gaza.

Gjatë Operacionit në vitin 2014, 521 nga 1,483 civilë të vrarë ishin fëmijë – 35% – sipas Kombeve të Bashkuara.

Ajo fushatë vazhdoi për 50 ditë.

Dhe tashmë, duke vepruar në të njëjtin terren, ofensiva aktuale izraelite besohet të ketë vrarë më shumë se gjashtë herë më shumë fëmijë në afërsisht gjysmën e kohës së njëjtë. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Parandalohet atentati ndaj Zelenskyt, pjesëtarët e inteligjencës ukrainase arrestojnë agjentët rusë – planifikonin rrëmbimin dhe vrasjen e tij

Parandalohet atentati ndaj Zelenskyt, pjesëtarët e inteligjencës ukrainase arrestojnë agjentët rusë – planifikonin rrëmbimin dhe vrasjen e tij

Evropa
Nëna nga India hodhi të birin 6-vjeçar me aftësi të kufizuara në një lumë të mbushur me krokodil, reptilët e kafshojnë deri në vdekje

Nëna nga India hodhi të birin 6-vjeçar me aftësi të kufizuara në një lumë të mbushur me krokodil, reptilët e kafshojnë deri në vdekje

Azia
“E dua Gazën”, momenti kur tanku izraelit shkatërron mbishkrimin në Rafah

“E dua Gazën”, momenti kur tanku izraelit shkatërron mbishkrimin në Rafah

Azia
Droni ukrainas hedhë në erë anijen ruse në Krime, pamje nga aksioni

Droni ukrainas hedhë në erë anijen ruse në Krime, pamje nga aksioni

Evropa
Një grua nga India u ankua se burri i saj po e detyronte të bënte

Një grua nga India u ankua se burri i saj po e detyronte të bënte "seks të panatyrshëm", gjykatësi: Nuk është krim në martesë

Azia
Pse Izraeli e refuzoi marrëveshjen e fundit të armëpushimit me Hamasin

Pse Izraeli e refuzoi marrëveshjen e fundit të armëpushimit me Hamasin

Azia
Kalo në kategori