Pse po ikin nga PDK!?

Është shumë e logjikshme kur politikanë, aktivistë e simpatizantë të partive të ndryshme që pas zgjedhjeve të humbura nga partia e tyre, apo në kohen kur janë në opozitë të braktisin partinë e tyre të preferuar. Kryesisht kjo bëhet për arsye të zhgënjimit të mos fitores që si rezultat pason mos avancimi i tyre dhe pakënaqësia manifestohet në forma të ndryshme, e njëra prej tyre pa dyshim është edhe dorëheqja apo largimi nga subjekti përkatës. Por pse dhe cilat janë arsyet që këta të fundit dorëhiqen kur partia apo partitë e tyre janë në pushtet dhe qeverisin si në pushtetet lokale ashtu edhe atë qendror. Së fundmi kemi parë mjaft lëvizje nga partia më e madhe në pushtet, PDK-ja, dhe me gjasë sipas indikacioneve dhe pasqyrës në teren këto janë vetëm lëvizjet e para në këtë drejtim ngase priten edhe lëvizje tjera në vazhdim, kryesisht në Lëvizjen Vetëvendosje.
Rrugën e hapi deputeti Naim Rrustemi që u largua nga PDK, ndoshta edhe për arsye private apo shpjegimi i tij ka qenë paksa i komplikuar, mirëpo ishte një thyerje e një heshtje të largimeve të papritura nga subjektet që qeverisin vendin dhe që nga ajo kohë vërehet qartë se z.Rrustemi është njëri nga dy deputetët më të zëshëm në parlamentin e Kosovës. Së voni pasuan largimi i nënkryetarit te PDK-së, dega në Ferizaj, pastaj deputeti Ismail Kurteshi dhe disa lëvizje ende të pakonfirmuara në disa qytete tjera. Por cila është arsyeja e vërtetë e largimit të tyre? Ekzistojnë tri arsye pse këta individ kanë ndërmarrë këto veprime.
E para është padyshim pasqyra reale që këta të fundit e kane parë tek vetja e tyre karshi proceseve dhe kualitetit brenda strukturave të PDK-së. Duke parë që janë konsumuar politikisht dhe nuk mund të gjejnë vetën më në garë për të përfituar dhe avancuar brenda strukturave dhe hierarkisë së partisë, këta më të dobishme e shohin një transferim në ndonjë parti më të vogël, më pak kualitative apo në ndonjë lëvizje siç është Vetëvendosja, që ka paralajmëruar se do përfshihet në zgjedhjet parlamentare në vitin e ardhshëm, e gjasë varësisht prej suksesit edhe në ato lokale që do të pasojnë. Kjo edhe mund të jetë një zgjidhje adekuate për ta, duke parë bagazhin dhe përvojën politike që do t’iu shërbente për të zënë një vend të rëndësishëm në aderimet e tyre.
Arsyeja e dyte, që po ashtu mund të jetë shumë reale dhe e mundshme t’i jap këto rezultate, është edhe zhgënjimi i tyre me procesin e marrjes së pushtetit, ky i fundit përveç gëzimit, të disa politikanë sjell edhe hidhërim sepse pritjet e tyre ndoshta nuk do të përmbushen karshi aspiratave nganjëherë jo reale të tyre për të marrë poste të rëndësishme në qeverisjet lokale apo qeverinë qendrore. Po ashtu duke parë që njerëz që se fundmi iu kanë bashkangjitur PDK-së janë shpërblyer, jo me meritë, ngritin edhe më tepër shkallen e hidhërimit të tyre dhe kështu në pamundësi për të bërë më shumë, zgjidhjen më te mirë e shohin largimin.
Arsyeja e fundit dhe për mendimin tim më realja mund të jetë ajo për të cilën po deklarohen personat përkatës se pse po dorëhiqen, duke mos pasur më dëshirë dhe vullnet për të ndenjur në një vend ku konceptet, politikat dhe ndershmëria e tyre nuk përputhen me ato çfarë është duke i bërë PDK-ja. Duke parë që si në qeveritë lokale ashtu edhe atë qendrore në pozita kyçe (aty ku i takojnë anëtarëve te PDK-së), janë vendosur njerëz që kurrë më parë nuk kanë qenë anëtarë të kësaj partie (e ndoshta për shumë prej tyre, sidomos në qeveritë lokale PDK, ka qenë një armik i përbetuar i tyre), anëtarët e devotshëm dhe themeluesit e strukturave të PDK-së kanë bërë që durimit të tyre t’i thonë mjaft, dhe shtëpisë së tyre të kamotshme t’i thonë lamtumirë.
Lamtumira e këtyre individëve bëhet për të mos qenë pjesë e vendimeve që avancojnë njerëz të tillë, edhe pse vendimet me nuk merren nga organet e partisë, sepse ato janë vetëm emër, pasi tani vendimet nga shumica e partive për çështje të tilla kryesisht merren nëpër vende ku ata janë larg syve të shumicës, duke harruar anëtarët dhe shpesh herë vendndodhjen e selisë së partisë që i përkasin. Dhe e tërë kjo më së tepërmi është duke iu konvenuar “parashutistëve” që në portofolat e tyre kanë librezat e të gjitha partive e lëvizjeve politiko-sociale që janë të regjistruara e paregjistruara në Kosovë, ngase kështu e shohin ata mbijetesën “intelektuale” të tyre.
Largimi i anëtarëve me të cilët PDK-ja e ka filluar ekzistencën e saj, do të jetë një plus, mësim për Partinë Demokratike të Kosovës, apo edhe një lëshim që do t’i kushtojë më vonë. Kjo pritet të vlerësohet në zgjedhjet e radhës, ku do të shihet se sa do të jetë PDK-ja e konsoliduar dhe e fuqishme për ta mbajtur pushtetin.





































