Pse dhe kush e vrau Hasan Riza Pashën?

Nga: Hasan Bello
Në interes të lexuesve të ndryshëm që më shkruajnë dhe më pyesin, duke marrë shkas nga një emision televiziv lidhur figurën e Esat pashë Toptanit, rolin e tij në mbrojtjen e Shkodrës nga agresioni serbo-malazez në vitet 1912-1913 dhe mbi të gjitha për vrasjen e Hasan Riza Pashës, po sqaroj publikisht.
Për Luftën e Shkodrës ka shumë libra dhe pak studime. Për këtë arsye, ka vite që mbledh materiale arkivore dhe literaturë. Por, për shkak të mbështetjes financiare më duhet ende disa kohë për të realizuar një studim që kam nisur, duke u mbështetur në burime dokumentare.
Megjithatë, më afër të vërtetës për këtë ngjarje kanë shkruar këta autorë shqiptarë: 1) Tahir Kolgjini i cili që në 1977 ka botuar një libër në Stamboll, Esat Pashë Toptani tradhëtar apo patriot?, i ribotuar dy herë; 2) Ilir Ikonomi dhe 3) dy librat e intelektualit tironc Xhemal Kusi. Ky i fundit jep edhe emrat e oficerëve shqiptarë që organizuan vrasjen e Hasan Riza Pashës, si vendim unanim, për arsye se ai kishte planifikuar tërheqjen.
Lexo po ashtu:
- Esat pashë Toptani nuk ua shiti Shkodrën malazezëve!
- Mit’hat Frashëri për jetën, karakterin dhe veprimet e errëta të Esatit - djalit më të fortë të Toptanëve
- Në Stamboll, Preng Pasha, Gani dhe Esat Toptani, qisnin pushkë pa nda, deheshin e bënin zhurmë duke e bezdisur edhe Sulltanin
- Esat Toptani, si pjesë e historisë së padeformuar: Nuk ishte tradhtar
Kjo e fundit është pranuar edhe nga dy ndihmësit e Hasan Riza Pashës, që ishin njëkohësisht anëtarë të shtabit që drejtoi luftën. Në vitin 1933 ata botuan librin Mbrojtja e Shkodrës, të cilin unë e kam fotokopjuar qëkur isha student në këtë qytet në bibliotekën e universitetit. Për kujtim e ruaj ende dhe sot. Më pas libri në fjalë u ribotua më 2007 nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Turke në Ankara (Abdurrahman Nafiz i Kiramettin, 1912-1913, Balkan Savaşı’nda İşkodra Savunması (I-II Cilt), Ankara, Genelkurmay Başkanlığı, 2007). Pra, konsiderohet burim serioz nga dëshmitarë të dorës së parë.
Në këtë libër autorët shpjegojnë se Hasan Riza Pasha kishte marrë këtë vendim për fatin e kalasë:
“Dhjetë ditë para se të mbaronin rezervat e ushqimit, do t’u jepnim ushtarëve tri ditë leje dhe do t’i ushqenim mirë. Ditën e katërt do të dilnim nga zona midis Taraboshit dhe Bunës drejt Tivarit (Barit), do të marshonim drejt portit austriak të Spicës (Spizza), që ndodhej 60 kilometra larg Shkodrës. Duke e pasur Austrinë në krahët tanë, do të qëndronim në një vijë mbrojtjeje që do ta forconim brenda Malit të Zi, do të rezistonim derisa të mbaronin plotësisht furnizimet dhe, nëse do të detyroheshim, do të kalonim në territorin austriak”.
Hollësitë e këtij plani i kishte diskutuar me major Abdurrahman Nafiz Beun.
Në Shkodër dhe në frontet e tjera do të liheshin disa batalione rezerviste dhe vullnetarë vendas. Njësive do t’u thuhej:
“Flota osmane do të zbarkojë trupa në Tivar dhe Ulqin; ne do të shkojmë t’i presim dhe do t’u hapim rrugën. Kështu do të krijohej një entuziazëm i madh dhe me këtë vrull do të sulmoheshin forcat malazeze në frontin e Taraboshit. Mendohej se përballë Taraboshit, në male, ndodhej vazhdimisht një brigadë armike dhe, për shkak të përforcimit të vazhdueshëm të armikut në atë front, hezitohej të ndërmerrej ky operacion. Hasan Riza Pasha, në përgjithësi, e mbante shumë të fshehtë planin e veprimit që kishte menduar”.
Në fakt flota osmane nuk do të zbarkonte me të vërtetë në Tivar dhe në Ulqin. Ky ishte një truk për të motivuar forcat.
Dhe, çfarë ndodhi? Plani u mësua nga Esat Pasha dhe oficerët shqiptarë, të cilët më kot u përpoqën ta bindnin Hasan Riza Pashën se terreni i Malit të Zi ishte shumë i thepisur dhe nuk do të lejonte tërheqjen e trupave osmane.
Nga ana tjetër, largimi nga Shkodra do ta linte popullsinë në mëshirë të fatit dhe bajonetave serbo-malazeze. Nuk duhet harruar se më shumë se gjysma ose aty-aty me forcat osmane, ishin forcat vullnetare/rezerviste që kishte mbledhur Esat Pasha. Çdo të bëhej me këto forca pas largimit të trupave osmane? Prandaj, junta shqiptare (emrat i jep Xhemal Kusi) mori vendim të vriste Hasan Riza Pashën dhe të vijonte mbrojtjen e Shkodrës e cila u realizua me dinjitet edhe për gati tre muaj e gjysmë derisa Fuqitë e Mëdha morën vendim që ajo t’i ngelte shtetit të ardhshëm shqiptar.
Betejat më të përgjakshme kundër serbo-malazezve u zhvilluan mbas vrasjes së Hasan Riza Pashës. Shumë shqiptarë me siguri që nuk kanë dëgjuar për Betejën ose “Kasaphanën e Bërdicës”, ku për disa orë janë vrarë nga të dyja palët më shumë ushtarë sesa janë vrarë në vitet e Luftës së Dytë Botërore nga të gjitha formacionet politike.










































