LAJMI I FUNDIT:

Pse BQK ashpërsoi raportin e dytë për Monego?

Pse BQK ashpërsoi raportin e dytë për Monego?

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), kishte marrë vendim për revokimin e licencimit për dy institucionet mikrofinanciare “IuteCredit” dhe “Monego”. Kjo ishte bërë e ditur në një konferencë për media nga krerët e BQK-së. Gazeta Express shkruan se ka parë një dokument që tregon se fillimisht rregullatori financiar, as që kishte në plan mbylljen, pasi kishte bërë vetëm vërejtje dhe sugjerime duke kërkuar që Monego të përmirësojë funksionimin bankar. Por, sipas Express, në versionin përfundimtar të raportit BQK e godet fortë biznesin letonez duke ia hequr licencën.

Dokumenti që ka siguruar gazeta tregon se departamenti i mbikëqyrjes bankare në Bankën Qendrore të Kosovës, kishte ashpërsuar raportin final të ekzaminimit për dallim nga Drafti që ishte këshillues dhe rekomandues.


Në Draft Raportin e BQK-së thuhet se Institucioni Mikrofinanciar Monego ka devijuar në planet e tij kredi-dhënëse por që duhet rregulluar brenda 120 ditëve që nga marrja e rekomandimit.

Po ashtu aty thuhet se ka pasur progres në përmbushjen e çështjeve të adresuara nga raporti paraprak i ekzaminimit, mirëpo thotë se nuk janë përmbushur në tërësi të gjitha rekomandimet.

Sido që të jetë në këtë raport u kërkohet të sigurojnë menjëherë disa çështje bazë.

“Duhet të sigurojnë aplikimin e normës efektive të interesit në linjë (konsistencë) me revidimin e planit të biznesit të prezantuar në BQK me rastin e regjistrimit si institucion financiar jo bankar”, thuhet në Draft Raportin e Bankës Qendrore.

Kështu që në raport u jepet një afat kohor gjatë të cilit duhet të respektohen dhe të përmirësohet gjendja brenda një intervali të shpejt kohor.

Por, në raportin final, të po këtij departamenti të BQK-së, ashpërsohet raporti bashkë me konkludimet ku edhe i jepet goditja me një afat të revokimit të licencës.

“Përkundër reflektimit në zvogëlimin e normës efektive të interesit, rekomandim i ekzaminimit paraprak, normat efektive të aplikuara të interesit paraqesin devijime substanciale dhe si të tilla nuk janë aspak në linjë (konsistencë) me planin e biznesit të aprovuar në BQK me rastin e regjistrimit si institucion financiar jo bankar, ku është planifikuar që norma interesit të jenë deri 26.8 për qind për kreditë me afat maturimi 30 ditë, përderisa për kreditë me afat më shumë se 30 ditë norma efektive e interesit është paraparë të jetë në 27.4 për qind”, thuhet në raportin final të BQK.

Si rrjedhojë, vazhdon raporti, IFJB Monego nuk ka zbatuar as vendimin NR. 16-07/2019 të BQK-së lidhur me adresimin e nivelit të normave efektive të interesit konform Planit të Biznesit të aprovuar nga BQK.

Para disa javësh, dy IFJB`ve – Monego dhe Iute – iu është tërhequr licenca nga Banka Qendrore e Kosovës me arsyen bazë që nuk kanë respektuar rregulloret dhe kushtet e këtij rregullatori financiar.