AI, networking dhe folës global - çfarë po sjell Power to HR Summit këtë vit?

Në një intervistë për Telegrafi.com, Gili Hoxhaj, përgjegjëse për PR dhe komunikim në Power to HR Summit 2026, ka ndarë detaje mbi edicionin e këtij viti të samitit, i cili do të mbahet më 6 dhe 7 maj në AMC Hall në Prishtinë.
Samiti, tashmë në edicionin e katërt, synon të bashkojë profesionistë nga fusha e burimeve njerëzore, teknologjisë dhe biznesit, duke ofruar një platformë dy-ditore me sesione, panele dhe mundësi të avancuara për rrjetëzim
Sipas saj, eventi ka evoluar ndjeshëm nga një konferencë klasike në një platformë modern duke sjellë një qasje më interaktive dhe të orientuar tek përvoja e pjesëmarrësve.
Duke folur për risitë kryesore, Hoxhaj veçoi aplikacionin e dedikuar të PowertoHR.
“Kemi vendos me e kriju një aplikacion në të cilin e vendosim gjithë agjendën… dhe nëpërmjet aplikacionit mundesh me i ndjek në kohë kur ti don gjithë samitet, me kriju agjendën tënde paraprakisht. Pra, ndryshe prej samiteve tjera, ne nuk e bëjmë vetëm një agjendë të përgjithshme, por secili e krijon agjendën që i përshtatet, duke zgjedhë sesionet që përputhen me interesat e tij. Madje, aplikacioni të lidh edhe me profesionistë të tjerë dhe krijon takime automatike, vetëm vitin e kaluar janë realizu mbi një mijë takime përmes tij.” u shpreh ajo.
Sa i përket përmbajtjes, Hoxhaj theksoi se motoja e këtij viti do të fokusohet në temat që po formësojnë tregun global, me theks të veçantë tek inteligjenca artificiale dhe ndikimi i saj në punë dhe biznes.
“Shumica e temave lidhet me integrimin e inteligjencës artificiale… çka po na pret dhe qysh mundemi me u përshtat sa më natyrshëm. Ideja është mos me e pa si një rrezik, por si një mundësi – si një ‘koleg’ që na ndihmon në punë, që na lehtëson proceset dhe na jep hapësirë me u fokusu më shumë në kreativitet dhe në aftësitë tona. Në këtë mënyrë, samiti synon me i përgatit profesionistët që të jenë më konkurrues në një treg që po ndryshon vazhdimisht.”
Ky samit pritet të sjellë edhe folës ndërkombëtarë nga fusha e burimeve njerëzore, menaxhimit dhe lidershipit, duke e kthyer Prishtinën në një pikë takimi për ekspertë dhe profesionistë nga rajoni dhe më gjerë.
Ndiqni intervistën e plotë:


















































