eksperti-banner

Kombëtarja e Belgjikës ka bërë një lëvizje interesante para nisjes së aventurës në Kupën e Botës 2026, duke angazhuar një portier shtesë për stërvitje me kërkesë të përzgjedhësit Rudi Garcia.

“Djajtë e Kuq”, të cilët po përgatiten për ndeshjen e parë të turneut ndaj Egjiptit më 15 qershor, kanë vendosur të shtojnë një lojtar në kampin e tyre stërvitor për arsye praktike.


Belgjika është akomoduar në Seattle, ku po shfrytëzon qendrën stërvitore të klubit të MLS-së, Seattle Sounders. Bashkëpunimi me klubin amerikan ka rezultuar i dobishëm, pasi belgët kanë arritur të “huazojnë” një portier nga skuadra vendase.

Një portier i katërt për stërvitje më efikase

Sipas raportimeve të Sporza, Belgjika ka afruar portierin e ri Max Anchor, i cili do të shërbejë si portier i katërt gjatë seancave stërvitore.

Rudi Garcia kishte kërkuar një portier shtesë në mënyrë që stërvitjet dhe ndeshjet kontrolluese të zhvilloheshin më lehtë dhe me numër të balancuar lojtarësh.

Një praktikë e tillë nuk është e re në futbollin ndërkombëtar. Edhe kombëtaret e Anglisë dhe Gjermanisë kanë përdorur më herët portierë shtesë vetëm për nevoja stërvitore. Madje, Gjermania përfshiu portierin rezervë Jonas Urbig edhe në fotografinë zyrtare të ekipit për Kupën e Botës, ndonëse ai nuk kishte të drejtë loje.

Fillimisht, belgët kishin planifikuar ta përdornin Maarten Vandevoordt në këtë rol, por klubi i tij, RB Leipzig, nuk dha leje për pjesëmarrjen e tij në kamp.

Një mundësi e artë për Max Anchor

Kështu, mundësia iu dha 21-vjeçarit kanadez Max Anchor, i cili aktualisht është portieri i tretë i Seattle Sounders.

Anchor ka vetëm një paraqitje në MLS gjatë karrierës së tij profesionale, të regjistruar me Vancouver Whitecaps, por tashmë ka mundësinë e rrallë të stërvitet përkrah disa prej yjeve më të mëdhenj të futbollit evropian.

Portieri i ri do të ketë rastin të përballet në stërvitje me emra si Kevin De Bruyne, Jeremy Doku dhe Romelu Lukaku, një përvojë që mund të rezultojë shumë e vlefshme për zhvillimin e tij profesional.

Raportimet bëjnë të ditur se gjatë Kupës së Botës edhe portierë të tjerë të Seattle Sounders mund t’i bashkohen përkohësisht kampit belg për të ndihmuar në procesin stërvitor. /Telegrafi/

telegrafi sport app