LAJMI I FUNDIT:

Prodhimi në Eurozonë, kthehet fuqishëm gjatë janarit

Prodhimi në Eurozonë, kthehet fuqishëm gjatë janarit

Prodhimi industrial në Eurozonë u rrit mprehtë duke thyer pritshmëritë gjatë Janarit, nxitur nga një rritje në makineri dhe pajisje.

Zyra e Statistikave e Bashkimit Europian tregon se prodhimi industrial në vendet e monedhës së përbashkët u rrit me 2.1 për qind në janar kundrejt dhjetorit, ndërsa me bazë vjetore u rrit me 2.8 për qind. Të dhënat thyen pritshmëritë dhe sollën optimizëm pas 2 muajsh në rënie.


Eurostati rishikoi gjithashtu të dhënat e dhjetorit, me një rënie në prodhim me vetëm 0.5 për qind, nga 1 për qind që vlerësohej më parë. Rritja e prodhimit në muajin janar është nxitur nga të mirat kapitale, një tregues i investimeve të ardhshme industriale, që u rritën me 3.9 për qind me bazë mujore. Prodhimi u rrit me 2.4 për qind edhe për energjinë dhe mallrat e konsumit afat-shkurtër.

Prodhimi për mallrat e konsumit afat-gjatë, si frigoriferë dhe automjete, u rrit me 1.3 për qind. Të gjitha ekonomitë e mëdha të Eurozonës kanë zgjeruar prodhimin gjatë muajit Janar, në krahasim me muajin e kaluar, duke përmbysur një trend negativ 2-mujor.

Në ekonominë më të madhe të bllokut, Gjermaninë, prodhimi industrial u rrit me 2.9 për qind në janar. Në Francë, prodhimi u rrit me 1.4 për qind, ndërsa në Itali me 1.9 për qind. Duke mos ndjekur tendencën, Spanja, ekonomia e katërt më e madhe e Eurozonës, tregoi një rënie me 0.2 për qind në prodhimin industrial për janarin. /Telegrafi/