Prodhim i bollshëm i kajsisë në Xibrakë pas 5 vitesh - çmimi 3 euro

Pas pesë vitesh pritjeje dhe pune të vazhdueshme, fermerët e zonës së Xibrakës në Lushnje po marrin këtë vit prodhimin e parë të bollshëm nga plantacionet me kajsi.
“Këto janë viti i pestë edhe sivjet janë tamam në prodhim. Nëse i shërben bukur, vijnë gjëra të bukura. Klima ka qenë e përshtatshme për sivjet.”
Këtë sezon, edhe çmimi ka qenë i favorshëm për fermerët.
“Fillimisht ishte më i lartë, pastaj duke ardhur ka zbritur. Sot është 300 lekë (3 euro)”.
Fermerët tregojnë se gjithçka është arritur falë punës së përditshme, ndërsa kërkojnë më shumë mbështetje përmes subvencioneve për zhvillimin e bujqësisë në zonat kodrinore të Xibrakës.
Sipas tyre, mungesa e rrugëve të parcelave, problemet me sistemin vaditës dhe copëzimi i sipërfaqeve bujqësore po pengojnë zhvillimin dhe zgjerimin e fermave në zonë.
“Jo, nuk kam aplikuar, por normalisht që ndihma do të ishte mirë. Tani zor është për vaditje. Na duhen shumë gjëra, jo mjete bujqësore.”
“Ne te ara nuk kemi rrugë. Rrugët janë, por nuk shkojmë dot me mjet. Duhet të shkosh në këmbë, nafta tani nuk e japin.”
Pavarësisht vështirësive, prodhimet bujqësore të Xibrakës vazhdojnë të gjejnë treg, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. /RTSH
- YouTube youtu.be















































