Drejtori i ri sportiv i FC Prishtinës, Fisnik Kërçeli ka njoftuar se tre futbollistë tashmë janë larguar nga klubi kryeqytetas.

Ivan Jeliq, Nikson Memaj dhe Ahmed Raddaoui nuk do të jenë më pjesë e Prishtinës

Sipas Kërçelit, tre futbollistët e lartpërmendur nuk janë pjesë e planeve të trajnerit Zekirija Ramadani.

“Ajo çfarë mund të konfirmoj deri më tani është se nga klubi janë liruar portieri Ivan Jeliç, Nikson Memaj dhe Ahmed Raddaoui”.

“Gjithmonë në sinkronizim të plotë me trajnerin e klubit dhe në takime të vazhdueshëm do të shqyrtojmë edhe largime të tjera të cilat trajneri nuk i sheh si pjesë të planeve të ekipit”, deklaroi Kërçeli në faqen zyrtare të klubit.

Tutje sipas tij, klubi do të tentojë ndonjë përforcim në këtë afat kalimtar të janarit edhe pse është e vështirë.

“Gjithashtu ne do të shqyrtojmë të gjitha mundësitë që të arrijmë ndonjë përforcim. Mirëpo duke e ditur se afati i janarit është mjaft kompleks dhe shumica e lojtarëve janë nën kontrata, sigurisht se ne do të jemi të kujdesshëm në këtë aspekt. Por, për çdo përforcim eventual do të jemi të sigurt se ai përforcim do të ndikojë direkt në përmirësimin dhe avancimin e lojës që aplikon trajneri me ekipin”, ka thënë ai.

Prishtina e ka mbyllur stinorin vjeshtor në vendin e tretë me 32 pikë, nëntë më pak se lideri Drita. /Telegrafi/