LAJMI I FUNDIT:

Prishtina fiton me rikthim trilerin e pesë golave ndaj Malishevës

Prishtina fiton me rikthim trilerin e pesë golave ndaj Malishevës

Prishtina ka fituar me rezultat 3-2 ndeshjen ndaj Malishevës në kuadër të javës së 28-të në BKT Superligën e Kosovës.

Ekipi i Abdulah Ibrakovic e ka vazhduar serinë pozitive duke marrë edhe fitoren e katërt nga pesë ndeshje në kampionat, teksa kanë edhe një fitore në Kupë.


Ata kanë mposhtur me rikthim Malisheven në një ndeshje të zhvilluar në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të vendasve, të cilët ishin më kërkues, krijuan më shumë, por vetëm mysafirët e gjeten golin.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 45-të dhe ishte Mergim Pefqeli, i cili shënoi një gol të bukur për 0-1, pas asistimit të Xhevdet Shabanit.

Në pjesën e dytë, Ibrakovic bëri disa ndryshime duke futur në lojë shumë nga titullarët dhe me këtë arriti ta rikthej lojën dhe ta fitojë në fund.

Goli i barazimit erdhi në minutën e 59-të me anë të Gauthier Mankenda, i cili shënoi gol të bukur nga distanca për 1-1, ndërsa Leutrim Kryeziu (69’) shfrytëzoi për mrekulli asistimin e Qëndrim Zybës për të shënuar me kokë për 1-2.

Megjithatë, Malisheva arriti të kthehet në lojë në minutën e 76-të duke barazuar me anë të kapitenit Dren Kryeziut, i cili shënoi me kokë për 2-2.

Por, kjo nuk i mjaftoi pasi Prishtina ishte në formë të mirë, filloi përsëri sulmet dhe pas disa rasteve e gjeti golin me Otto John (89’), i cili pas asistimit të Endrit Krasniqit vulosi fitoren me rezultat 3-2.

Pas kësaj fitore, Prishtina e sheh veten në vendin e pestë me 38 pikë, ndërsa Malisheva renditet e shtata me 34 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, kryeqytetasit udhëtojnë te Ballkani, ndërsa malishevasit e presin Ulpianën. /Telegrafi/