Përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 'Prishtina 2030', kanë marrë një hov të ri pas miratimit të ligjit përkatës në Kuvendin e Kosovës, duke dhënë një sinjal të qartë se institucionet janë vënë në lëvizje.

Megjithatë, pas takimeve intensive dhe vizitave të rëndësishme jashtë vendit, një sërë sfidash mbeten të hapura dhe kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.


Së fundmi, Komisioni Koordinues i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) zhvilloi takime tre-ditore në Durrës, qytet i cili do të jetë bashkëorganizator për sportin e lundrimit. Përfaqësuesit kosovarë dhe ata ndërkombëtarë zhvilluan takime me krerët e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë si dhe me Bashkinë e Durrësit.

Këto vizita, sipas zëdhënësit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Kushtrim Krasniqi, tregojnë se punët janë duke ecur në rrugën e duhur dhe se ka edhe një intensifikim të takimeve mes palëve të përfshira në këtë organizim.

“Miratimi i ligjit për Lojërat Mesdhetare, kalimi në Kuvendin e Kosovës, është një sinjal i mirë që punët po ecin. Javën e kaluar, siç e keni parë edhe vetë, Komisioni Koordinues i Prishtina 2030, që është komision i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, bashkë me të gjitha palët e përfshira në organizimin e këtyre lojërave si OCMG, Komiteti Olimpik i Kosovës, Ministria për Rini dhe Sport, si dhe Komuna e Prishtinës, por gjithashtu edhe palët e përfshira nga Shqipëria, kanë marrë pjesë për tre ditë në takimet e zhvilluara në Durrës. Pse në Durrës? Sepse pikërisht ky qytet është një formë bashkëorganizatori i Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, duke përfshirë sportin e lundrimit që do të zhvillohet në bregdetin e Durrësit”, theksoi Krasniqi.

- YouTube www.youtube.com

Krasniqi shtoi se një tjetër vizitë e rëndësishme e delegacionit kryesor të Lojërave Mesdhetare pritet që të zhvillohet së shpejti këtu në Prishtinë.

“Vetë ardhja e tyre, e presidentit Bonello dhe sekretarit të përgjithshëm të ICMG-së Iakovos Filippousis, tregon që punët janë intensifikuar dhe synimi është që proceset të vazhdojnë më shpejt që të jemi gati në vitin 2030...Bashkëpunimi prej se i kemi marrë Lojërat Mesdhetare është vërtet i frytshëm. Thuajse çdo dy muaj e kemi këtë komision këtu për t'i parë dhe intensifikuar punët. Mbledhja e radhës do të jetë këtu në Prishtinë, presim që ndoshta pas zgjedhjeve të vijnë sërish për të parë deri ku kemi mbërritur”, bëri të ditur Krasniqi.

Por, Krasniqi frikësohet se situata jo e qëndrueshme politike në vend mund të sjellë sërish ngecje në zhvillimin e punimeve në infrastrukturën sportive.

“Sigurisht që kjo situatë nuk i shkon për shtati Lojërave Mesdhetare. Buxheti është i ndarë, ligji është miratuar, por sigurisht që mund të ketë ngecje në investime, sepse ndryshimet politike nuk i shkojnë për shtati organizimeve tona për vitin 2030. Uroj që të mos ketë ngecje të tilla, të fillojmë sa më parë me infrastrukturën, sidomos me Stadiumin Kombëtar ku mund të kemi vonesa. Dihet që një stadium i tillë me 25 mijë deri në 30 mijë ulëse nuk mund të ndërtohet për një apo dy vite. E shohim që stadiumi olimpik 'Adem Jashari' ende nuk ka përfunduar edhe pse është në rinovim. E lëre më të ndërtojmë një të ri nga fillimi. Uroj që të jemi gati me Stadiumin Kombëtar deri në vitin 2029, sepse çdo objekt duhet të testohet paraprakisht përpara zhvillimit të ngjarjes”, theksoi Krasniqi.

Ndërkohë, Krasniqi ka bërë të ditur se së shpejti do të zbulohet edhe logoja zyrtare e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

“Është një proces që ka filluar vitin e kaluar, bashkë me përzgjedhjen e uebfaqes zyrtare, që ka përfunduar, por procesi i logos ka zgjatur më shumë. Komiteti ynë ka bërë përzgjedhjen e logos, por topi tashmë ka kaluar te Bordi Ekzekutiv i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare. Ata pritet të japin verdiktin final para se ajo të bëhet publike. Jemi në pritje, kemi bërë prezantimin e logos në Durrës dhe po presim mbledhjen e Bordit Ekzekutiv të ICMG-së për të dhënë verdiktin...Fillimisht janë përzgjedhur tri logo nga komiteti organizativ, dhe tash i mbetet bordit ta miratojë, nëse nuk gjejnë ndonjë pengesë, ose mund ta refuzojnë. Të tria logot janë ende në lojë”, tha Krasniqi në fund.

Ndryshe, javë më parë, në përpjekje për të ndërtuar një infrastrukturë të qëndrueshme, një delegacion i lartë nga Kosova udhëtoi drejt Londrës. Atje, në bashkëpunim me kompaninë këshilluese 'RC Advisory', u inspektuan asetet e Lojërave Olimpike Londër 2012. Qëllimi kryesor i kësaj vizite strategjike ishte marrja e modeleve më të mira për trashëgiminë e objekteve, duke synuar që stadiumet dhe palestrat e reja në Kosovë të jenë plotësisht funksionale për gjeneratat e reja edhe pas përfundimit të vitit 2030.

telegrafi sport app