Të rriturit nuk duhet të flejnë më pak se 7-9 orë çdo natë, sipas ekspertëve.

Por, është një problem i vogël për të cilin duket se është e pamundur të gjendet zgjidhja, transmeton Telegrafi.

Të porsalindurit nuk u kushtojnë shumë rëndësi këtyre rekomandimeve, andaj edhe i mbajnë zgjuar prindërit e tyre pas kohës kur duhet të jenë duke fjetur.

Dhe, siç duket, pagjumësia e prindërve zgjat më shumë sesa që e kemi pritur.

Sipas ekspertëve, prindërit nuk bëjnë mjaftueshëm gjumë gjatë 6 viteve të para pas lindjes së fëmijës.

Hulumtuesit kanë analizuar të dhënat e 4,659 prindërve dhe rezultatet kanë treguar se gjatë 3 muajve të parë pas lindjes së fëmijës, nënat flejnë mesatarisht një orë më pak sesa para lindjes.

Baballarët në anën tjetër flejnë më shumë se grat, por prapëseprapë i humbin 15 minuta gjumë.

6 vite pas lindjes, nënat flejnë 20 minuta më pak, ndërkaq baballarët nuk arrijnë t’i rikthejnë 15 minutat e humbur.

Të dy gjinitë gjithashtu konfirmojnë se kualiteti i gjumit iu dobësohet.

Ky informacion konsiderohet të jetë i rëndësishëm sepse mungesa e gjumit mund të shpie në shumë probleme kritike. P.sh., mungesa e gjumit ndërlidhet me probleme të përqendrimit, me aksidente, me shtim të peshës dhe me probleme tjera shëndetësore.

Normalisht se kjo nuk nënkupton se nuk duhet të bëni fëmijë vetëm për shkak se do të bëni më pak gjumë, por qëllimi i hulumtimit është t’i vetëdijësojë prindërit dhe t’iu sugjerojë t’i bëjnë ndryshimet e duhura për të bërë gjumë kualitativ.  /Telegrafi/