Përsëritja e urdhrave dhe ngritja e zërit shpesh nuk funksionojnë – ekspertët tregojnë çfarë ndihmon vërtet në komunikimin me fëmijët

Nëse keni përshtypjen se fjalët tuaja i hyjnë fëmijës nga njëri vesh dhe i dalin nga tjetri, nuk jeni të vetmit. Mes shkollës, kopshtit dhe lojës, truri i fëmijëve mund të lodhet shpejt nga udhëzimet dhe ndalesat e vazhdueshme, ndaj ndonjëherë ata thjesht “shkëputen” kur prindi fillon të flasë.


Megjithatë, përsëritja e së njëjtës fjali pesë herë ose ngritja e zërit rrallë japin rezultat. Psikologët e fëmijëve dhe edukatorët shpjegojnë se problemi shpesh nuk qëndron te kokëfortësia e fëmijës, por te mënyra se si i drejtohemi.

Ekspertët veçojnë gjashtë strategji praktike që mund t’ju ndihmojnë ta përfshini fëmijën në bisedë dhe ta nxisni t’ju dëgjojë me më shumë vëmendje.

Mos jepni shumë informacione menjëherë

Truri i fëmijës mund të përpunojë vetëm një sasi të caktuar informacioni. Nëse i thoni njëherësh: “Fike televizorin”, “Ngjitu lart”, “Ndërrohu”, “Laji dhëmbët” dhe “Krihu”, ka shumë gjasa që të mbajë mend vetëm një ose dy udhëzimet e para.

Nga ana tjetër, nëse thoni vetëm: “Bëhu gati për gjumë”, kërkesa mund të jetë tepër e përgjithshme dhe fëmija mund të anashkalojë disa hapa.

Prandaj, kërkesën ndajeni në pjesë. Filloni me një udhëzim të thjeshtë dhe, pasi ta ketë përfunduar, kaloni te hapi tjetër.

Jini të drejtpërdrejtë

Nëse flisni shumë gjatë para se të arrini te kërkesa kryesore, fëmija mund ta humbasë vëmendjen.

Në vend që të shpjegoni gjatë pse duhet të ndërrojë këpucët para se të dilni, është më efektive të thoni shkurt: “Vishi atletet, sepse po shkojmë në këndin e lojërave.”

Sa më e qartë dhe e shkurtër të jetë kërkesa, aq më lehtë kuptohet, transmeton Telegrafi.

Kushtojini rëndësi mënyrës si flisni

Fëmija ka më shumë gjasa t’ju dëgjojë kur komunikimi nuk mbështetet vetëm te fjalët.

Kontakti me sy dhe afrimi fizik mund ta ndihmojnë të përqendrohet më mirë. Uluni në nivelin e tij, shikojeni në sy dhe flisni qetë e qartë. Në disa raste, një prekje e lehtë në shpatull mund të ndihmojë gjithashtu për t’i tërhequr vëmendjen.

Mos e përsëritni të njëjtën gjë pafundësisht

Nëse e përsëritni të njëjtën kërkesë shumë herë, fëmija mund të mësohet të reagojë vetëm pasi ta ketë dëgjuar për herë të pestë.

Në këtë mënyrë, fjalët e prindit rrezikojnë të shndërrohen në një lloj “zhurme në sfond”.

Ekspertët këshillojnë që udhëzimi të jepet qartë dhe jo vazhdimisht. Nëse fëmija nuk reagon, duhet të ketë pasoja të qarta dhe të qëndrueshme, të përshtatshme me situatën.

Për shembull, nëse i kërkoni të mbledhë lodrat dhe ai nuk e bën, mund t’i shpjegoni se nuk do të mund të luajë me to për një periudhë të caktuar nëse nuk i vendos në vend.

Po aq e rëndësishme është ta lavdëroni kur ju dëgjon menjëherë. Një fjali e thjeshtë si: “Faleminderit që më dëgjove me vëmendje” mund ta përforcojë këtë sjellje.

Kthejeni dëgjimin në lojë

Fëmijët kalojnë një pjesë të madhe të ditës duke dëgjuar udhëzime nga të rriturit, prandaj kjo mund të bëhet e lodhshme.

Për ta ushtruar vëmendjen në një mënyrë më argëtuese, përdorni lojëra me tinguj. Gjatë një shëtitjeje, për shembull, dëgjoni së bashku cicërimat e zogjve, zhurmën e erës ose fëshfërimën e barit.

Mund të dëgjoni edhe këngë për fëmijë dhe të bisedoni për atë që dëgjojnë apo kuptojnë.

Kushtojini vëmendje të plotë

Nëse ju vetë e dëgjoni fëmijën vetëm pjesërisht ndërsa shikoni televizorin, telefonin ose shkruani mesazhe, ai e vëren.

Fëmijët e kuptojnë shumë herët kur një i rritur nuk është plotësisht i përfshirë në bisedë.

Natyrisht, jo çdo gjë që fëmija thotë kërkon të njëjtin nivel vëmendjeje. Megjithatë, kur ai po ju tregon diçka që për të është e rëndësishme, përpiquni ta dëgjoni pa shpërqendrime.

Vendosni kontakt me sy, tregoni se po e ndiqni dhe bëni pyetje. Në këtë mënyrë, fëmija ndihet i vlerësuar dhe, njëkohësisht, mëson nga shembulli juaj se si të dëgjojë edhe të tjerët. /Telegrafi/