MASH kërkon nga prindërit deklarata për subvencionimin e teksteve shkollore

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe shkollat fillore e të mesme të ulët që të organizojnë shpërndarjen, plotësimin dhe grumbullimin e deklaratave të prindërve dhe kujdestarëve ligjorë për nxënësit e klasave 1-9, përfitues të subvencionimit të teksteve dhe materialeve shkollore për vitin 2026-2027.
Sipas MASH-it, procesi i plotësimit, grumbullimit dhe dorëzimit të deklaratave duhet të përfundojë deri më 1 tetor 2026.
“Përmes kësaj deklarate, prindi/kujdestari ligjor deklaron se mjetet e subvencionimit janë përdorur për blerjen e teksteve shkollore dhe se tekstet janë siguruar dhe nxënësi/ja i ka në dispozicion”, thuhet në njoftimin e MASH-it.
Prindërit, përmes deklaratës, gjithashtu konfirmojnë se janë të vetëdijshëm për mundësinë e verifikimit nga institucionet kompetente lidhur me përdorimin e mjeteve dhe sigurimin e teksteve shkollore.
Ata zotohen edhe se tekstet e destinuara për ripërdorim do t’ia kthejnë shkollës në përfundim të vitit shkollor dhe në gjendje të përshtatshme.
“Shkollat do t’ua shpërndajnë deklaratat nxënësve përfitues, ndërsa pas plotësimit dhe nënshkrimit nga prindërit/kujdestarët ligjorë, ato do të grumbullohen dhe evidentohen nga shkollat”, njofton MASH.
Ministria ka falënderuar DKA-të, shkollat dhe prindërit për bashkëpunimin në zbatimin me kohë të këtij procesi.




































