Analisti i sigurisë, Avni Islami ka vlerësuar se përpjekjet për të nxitur përçarje fetare mes shqiptarëve në Kosovë nuk janë të reja dhe se, sipas tij, ato lidhen me një strategji afatgjatë të Serbisë.

Duke komentuar pretendimet për skenarë të mundshëm të destabilizimit përmes tensioneve ndërfetare, Islami tha se Serbia ka tentuar ndër vite të shfrytëzojë dallimet fetare për të krijuar frikë, pasiguri dhe përçarje mes shqiptarëve.


Sipas tij, këto përpjekje nuk kanë arritur të krijojnë antagonizëm të qëndrueshëm mes shqiptarëve të besimeve të ndryshme.

“Tendencat e Serbisë përmes infeksioneve fetare të depërtojë dhe të ndjellë frikë dhe pasiguri, pastaj deri te hasmëria mes shqiptarëve mes vete, nuk është e ditëve të sotme. Ajo daton me qindra vjet”, tha Islami.

Ai theksoi se shqiptarët në Kosovë, pavarësisht përkatësisë fetare, kanë ruajtur lidhjet e tyre dhe se, sipas tij, nuk ka pasur raste ku dallimet fetare të kenë krijuar ndarje të thella shoqërore.

Islami vlerësoi se tendenca të tilla mund të shfaqen edhe në të ardhmen, duke argumentuar se Serbia, sipas tij, nuk është pajtuar me humbjen e Kosovës.

“Unë mendoj që Serbia jo vetëm tash, po edhe në 100 vitet e ardhshëm do të tentojë çdoherë dhe nuk do të pajtohet që Kosova nuk është më pjesë e Serbisë”, deklaroi ai.

Analisti i sigurisë tha se përpjekjet për të krijuar përçarje mes shqiptarëve myslimanë dhe katolikë nuk kanë terren të favorshëm në Kosovë.

“Asnjëherë nuk do t’ia arrijë Serbia dhe askush tjetër që të ndjellë përçarje ndërfetare dhe asnjëherë nuk do të rrezikohet siguria kombëtare për shkak se ne i takojmë si popull më shumë fesë myslimane, por ka edhe katolikë”, u shpreh Islami.

Ai përmendi edhe institucionet e sigurisë së Kosovës, duke thënë se ato janë të vëmendshme ndaj përpjekjeve të mundshme për infiltrimin e personave dhe ndikimin përmes strukturave fetare.

Sipas Islamit, në këtë drejtim rol të rëndësishëm kanë Agjencia Kosovare e Inteligjencës, Policia e Kosovës dhe Prokuroria.

Ai përmendi si shembull rastin e Hysri Selimit, për të cilin tha se ishte arrestuar nën dyshimin se kishte vepruar i infiltruar dhe i paguar nga BIA serbe.

Sipas tij, AKI e ka neutralizu dhe e ka dekonspiru dhe po i dekonspiron bashkëpunëtort e BIA-s.

Islami po ashtu tha se nuk pret që Kosova të destabilizohet si pasojë e përçarjeve ndërfetare.

“Ne jemi një popull, një dhe i pandarë dhe populli shqiptar e ka përqafuar edhe Islamin, edhe katolicizmin. Kështu që unë nuk pres destabilizim të Kosovës”, përfundoi ai.

Ndryshe Telegrafi i ka dërguar pyetje edhe Policisë së Kosovës nëse ka raportime të tilla, por deri në këto momente nuk ka ndonjë përgjigje.

Ndërkaq, departamenti amerikan i Shtetit ka përditësuar më 25 gusht këshillën për udhëtime në Kosovë, duke u bërë thirrje qytetarëve amerikanë të ushtrojnë kujdes të shtuar sidomos në pjesë veriore të Kosovës.

Kosova është në nivelin 2 – “Ushtro kujdes të shtuar”, ndërsa për pjesën veriore të vendit këshilla është ngritur në nivelin 3 të rrezikut– “Rishikoni udhëtimin”. (1 = ushtro kujdes normal, 2 = kujdes i shtuar, 3 = rishiko udhëtimin, 4 = mos udhëto).

Në këshillën e publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit thuhet se tensionet e lidhura me situatën politike mund të zhvillohen shpejtë dhe mund të shkaktojnë ndërprerje të transportit dhe shërbimeve të tjera thelbësore.

SHBA-ja paralajmëron gjithashtu për rrezikun nga dhuna, përfshirë sulmet terroriste dhe aktivitete të tjera të lidhura me terrorizmin në rajonin e Ballkanit, përfshirë Kosovën.


Po ashtu, ditë më parë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për veprat penale “Spiunazhi” dhe “Shantazhi”, duke pretenduar se ai ka vepruar në vazhdimësi në ndihmë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë – BIA, përkatësisht në koordinim me një zyrtar të lartë të këtij shërbimi, Bojan Dimiq. /Telegrafi/