Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për veprat penale “Spiunazhi” dhe “Shantazhi”, duke pretenduar se ai ka vepruar në vazhdimësi në ndihmë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë – BIA, përkatësisht në koordinim me një zyrtar të lartë të këtij shërbimi, Bojan Dimiq.

Aktakuza e datës 24 gusht 2026 të cilën e ka siguruar Telegrafi, përmban dhjetëra prova materiale dhe personale, përfshirë përgjime telefonike, komunikime të nxjerra nga telefoni i Shehollit, video-incizime, pamje të kamerave të sigurisë, dokumente të sekuestruara, dëshmi të dëshmitarëve dhe raport financiar.


Sipas dispozitivit të aktakuzës, Prokuroria pretendon se Sheholli, nga një datë e papërcaktuar deri më 9 tetor 2025, në cilësinë e personit të rekrutuar nga BIA, kishte vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të Bojan Dimiqit, të cilin aktakuza e identifikon si drejtor të Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar në BIA.

Prokuroria pretendon se Sheholli kishte mbledhur dhe përcjellë informacione e dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Prokuroria: Mori 5 mijë euro dhe materiale në Mitrovicën e Veriut

Një nga gjërat kryesore mbi të cilat mbështetet aktakuza lidhet me 26 shtatorin 2025.

Sipas Prokurorisë, Sheholli kishte udhëtuar me një Audi në Mitrovicën e Veriut dhe, në parkingun e Shkollës Teknike, afër kafiterisë “Sindikata”, nga një person i paidentifikuar kishte pranuar një dosje me materiale audio dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

Prokuroria pretendon se materialet ishin destinuar për komprometimin e këtyre zyrtarëve dhe se bashkë me to Sheholli kishte marrë 5,000 euro.

Sipas aktakuzës, materialet më pas i janë dorëzuar gazetarit Milaim Zeka, së bashku me 1,000 euro, me qëllim publikimin e tyre në emisionin “Pa Rrotlla”.

Prokuroria e lidh kohën e publikimit me zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025 dhe pretendon se operacioni kishte për qëllim diskreditimin e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës dhe ndikimin në procesin zgjedhor.



“Turshitë” dhe “kumbullat” – kodet që përmenden në komunikime

Aktakuza pretendon se në komunikimet për materialet përdoreshin edhe fjalë të koduara.

Më 26 shtator, sipas një mesazhi të cituar në aktakuzë, Dimiqi i shkruante Shehollit në serbisht se “turshitë tuaja janë gati”. Prokuroria e interpreton këtë si njoftim se materiali ishte gati për t'u marrë.

Në një komunikim tjetër kërkohen targat dhe automjeti. Prokuroria thotë se Sheholli më pas fotografoi Audin e tij dhe ia dërgoi fotografinë Dimiqit.

Vetë aktakuza konstaton se Sheholli materialeve të siguruara nga BIA u referohej me kode si “turshi” dhe “kumbulla”.


Pamjet e kamerave dhe personi me kapele të zezë

Prokuroria pretendon se versioni i saj mbështetet edhe nga kamerat e sigurisë.

Sipas raportit të cituar në aktakuzë, më 26 shtator 2025 një person i panjohur me kapele të zezë ishte afruar te automjeti i Shehollit në Mitrovicën e Veriut dhe rreth orës 14:45–14:46 kishte dorëzuar materialin dhe paratë.

Aktakuza përmban edhe fotografi të këtij personi dhe të lëvizjeve të automjetit.

Më pas, sipas përgjimeve, Sheholli i kishte thënë bashkëshortes që materialin ta fshihte në trup, ndërsa çifti kishte shkuar në ETC për ta kontrolluar dosjen dhe paratë.

Prokuroria thotë se lokacioni i telefonit të Shehollit e vendoste atë në parkingun e ETC-së në Mitrovicë në kohën përkatëse.

1,000 euro për Milaim Zekën

Një tjetër pjesë e rëndësishme e aktakuzës lidhet me takimin e 30 shtatorit 2025 në restorantin “Garden” në Prishtinë.

Sipas Prokurorisë, Sheholli i kishte dorëzuar Zekës materialet dhe 1,000 euro.

Në transkriptin e përfshirë në aktakuzë, Sheholli citohet duke i thënë: “Qe ku i ki qetu njëmijë.”

Prokuroria pretendon se takimi është dokumentuar si përmes përgjimit audio, ashtu edhe përmes kamerave të sigurisë.

Në dëshminë e tij, të cituar në aktakuzë, Zeka ka deklaruar se marrëveshja ishte për 2,000 euro për publikimin: 1,000 euro të marra në “Garden” dhe 1,000 të tjera pas publikimit, të cilat thotë se nuk i kishte marrë.

Në anën tjetër, aktakuza citon Shehollin të ketë deklaruar se Zeka nuk kishte dijeni se ai kishte komunikuar me Bojan Dimiçin dhe se Zeka kishte kërkuar “3-4 mijë euro” për përkthim, editim dhe publikim.


Telefoni, Dimiqi i regjistruar si “Gizi”, “Gazetari”, “Bojana”...

Ekzaminimi i telefonit të Shehollit zë një pjesë të konsiderueshme të aktakuzës.

Sipas Prokurorisë, numri që i atribuohet Bojan Dimiqit ishte ruajtur me emra të ndryshëm, përfshirë “Gizi”, “Gazetari” dhe “Bojana”.

Në Viber, sipas aktakuzës, numri paraqitej me emrin “BoJaN” dhe tre flamuj të Serbisë.

Prokuroria thotë se në telefon janë evidentuar dhjetëra gjurmë thirrjesh dhe komunikimesh me këtë numër.


Dokumenti “Top Secret 2”

Një nga materialet më të pazakonta të përfshira në aktakuzë është një fotografi e gjetur gjatë analizimit të 20,914 imazheve në telefonin e Shehollit.

Sipas Prokurorisë, fotografia mbante mbishkrimin “Top sekret 2” dhe përmbante tekst në gjuhën serbe me karakter konfidencial.

Dokumenti përshkruan një plan që, sipas interpretimit të Prokurorisë, synonte krijimin e perceptimit të Kosovës si vend i radikalizuar fetarisht dhe destabilizimin e saj.

Në dokument flitet për financimin dhe ndërtimin e xhamive dhe shkollave fetare, për ndikim te persona të njohur në sport, media, muzikë dhe politikë, si dhe për diasporën shqiptare.

Në një nga pjesët e dokumentit thuhet se synimi afatgjatë do të ishte që Kosova të perceptohej nga Perëndimi si e radikalizuar, në mënyrë që të ndryshonte qëndrimi ndërkombëtar ndaj saj dhe, sipas tekstit, Kosova të kthehej nën juridiksionin e Serbisë.

Aktakuza thotë se më 5 gusht 2025, Sheholli ia kishte dërguar dokumentin “Top Secret 2” një personi të identifikuar si “Viktor Makedonija”.

Prokuroria e përdor posedimin dhe shpërndarjen e këtij dokumenti, së bashku me provat e tjera, si element për të mbështetur pretendimin për lidhjet e Shehollit me strukturat e BIA-s.

“Leptiri” – plani për Albin Kurtin në burgjet e Serbisë

Aktakuza përmban edhe një dokument tjetër të quajtur “Leptiri”.

Sipas Prokurorisë, dokumenti ishte hartuar nga struktura të Sigurimit Shtetëror të Serbisë – RDB në vitin 2001 dhe përshkruante një plan operativ për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit gjatë kohës kur ai mbahej në burgjet e Serbisë.

Në dokument, sipas aktakuzës, parashihej përdorimi i një burimi operativ me nofkën “Leptiri” për sigurimin e materialeve komprometuese dhe ushtrimin e presionit ndaj Kurtit për bashkëpunim me RDB-në.

Me rëndësi, vetë Sheholli citohet në aktakuzë të ketë deklaruar: “Këtë dokument ma ka dërgu Bojan Dimiq në telefonin tim.”

Ai ka deklaruar gjithashtu se dokumentin ua kishte dërguar disa personave të tjerë.

Sheholli pranoi kontaktet, por mohoi spiunazhin

Në deklaratat e dhëna më 9 tetor 2025 dhe 14 gusht 2026, sipas aktakuzës, Sheholli ka deklaruar se nga viti 1990 deri më 5 maj 1993 kishte punuar në Sigurimin Shtetëror të Serbisë si analist.

Ai nuk i ka mohuar kontaktet me Bojan Dimiqin.

Sipas aktakuzës, Sheholli ka pranuar se materialet për Ministrinë për Komunitete dhe Kthim i kishte marrë përmes një personi të panjohur në Mitrovicën e Veriut dhe se kishte marrë edhe 5,000 euro.

Ai gjithashtu ka pranuar se gjatë publikimit kishte komunikuar me Dimiqin.

Megjithatë, Sheholli ka mohuar se ka punuar për BIA-n ose se ka vepruar kundër interesave të Republikës së Kosovës dhe është deklaruar i pafajshëm për spiunazh.


Akuza e dytë: Shantazhi ndaj Arben Jetullahut

Përveç spiunazhit, Sheholli akuzohet edhe për shantazh.

Sipas dispozitivit të aktakuzës, nga viti 2022 deri në dhjetor 2025, përfshirë periudhën kur ishte në paraburgim, ai dyshohet se ka shantazhuar biznesmenin Arben Jetullahu, duke i shkaktuar dëm që tejkalon 13,000 euro.

Prokuroria pretendon se paratë kërkoheshin kinse si huazime, ndërsa si mjet presioni përdorej kërcënimi për publikimin e video-incizimeve dhe informacioneve komprometuese.

Aktakuza pretendon se edhe nga paraburgimi Sheholli u jepte familjarëve udhëzime që Jetullahut t'i kërkoheshin 700 euro në muaj.

Burimi në aktakuzë: faqet 3 dhe 70–79.


Përgjimet nga paraburgimi

Prokuroria ka përdorur edhe përgjime të vizitave familjare në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan.

Në një bisedë të dhjetorit 2025, sipas aktakuzës, Sheholli u jep udhëzime familjarëve që përmes një personi të identifikuar si Lorik të kontaktohej Jetullahu.

Në biseda të tjera përmendet një video dhe nevoja që ndaj Jetullahut të ushtrohej presion.

Prokuroria pretendon se komunikimet vazhduan edhe gjatë janarit dhe shkurtit 2026, përmes familjarëve dhe personave të tretë.


Jetullahu: Pagova rreth 13 mijë euro “për të blerë paqe”

Sipas dëshmisë së Jetullahut të përfshirë në aktakuzë, problemet kishin nisur vite më parë.

Ai pretendon se, pasi kishte refuzuar t'i jepte para Shehollit, ndaj tij ishin publikuar materiale denigruese. Për të ndalur sulmet mediatike, Jetullahu thotë se ishte detyruar të paguante rreth 13 pagesa nga 1,000 euro në muaj, formalisht si pagesë për marketing, ndonëse pretendon se Sheholli nuk kishte kryer punë.

Jetullahu ka deklaruar gjithashtu se pas arrestimit të Shehollit kishte dhënë edhe 500 euro, por kishte refuzuar pagesat e tjera pasi, sipas tij, kishte marrë porosi se ekzistonte një video që mund t'i shkaktonte dëm atij, familjes dhe biznesit.

Aktakuza përmend veçmas edhe huazime shumë më të hershme prej 60,000 eurosh në vitin 2016 dhe 20,000 eurosh në vitin 2019, të cilat Jetullahu pretendon se nuk i janë kthyer. Këto shuma paraqiten në dëshminë e tij dhe nuk janë të njëjta me shumën mbi 13 mijë euro që përbën thelbin e dispozitivit për shantazh.

Çfarë thotë Sheholli për akuzën e shantazhit?

Sheholli e ka mohuar versionin e Prokurorisë.

Sipas deklaratës së tij të cituar në aktakuzë, pagesat nga Jetullahu ishin bërë vullnetarisht për angazhimin e tij në çështje që lidheshin me sulmet mediatike ndaj kompanisë së biznesmenit.

Për shumën prej 700 eurosh, Sheholli ka deklaruar se kishte kërkuar që Jetullahu t'ia jepte bashkëshortes së tij si hua dhe se paratë do t'i ktheheshin më vonë.

Ai ka mohuar se kërkesa ishte e lidhur me kërcënim ose presion dhe ka deklaruar se nuk kishte asgjë me të cilën mund ta shantazhonte Jetullahun.

Çfarë dënimi parashikon ligji?

Sipas dispozitave të cituara në vetë aktakuzën, për veprën penale të spiunazhit sipas nenit 124 paragrafi 3 parashihet dënim me jo më pak se pesë vjet burgim.

Për formën e shantazhit që i vihet në barrë Shehollit, kur përfitimi i kundërligjshëm tejkalon 10 mijë euro, aktakuza citon dënim me gjobë dhe nga një deri në dhjetë vjet burgim.

Prokuroria kërkon vazhdimin e paraburgimit

Prokuroria Speciale ka kërkuar që Shehollit t'i vazhdohet paraburgimi deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor, duke u thirrur ndër të tjera në rrezikun e ikjes dhe përsëritjes së veprave penale.

Po ashtu, kërkohet konfiskimi i sendeve dhe pasurisë së sekuestruar, përfshirë 3,185 euro, për të cilat Prokuroria pretendon se janë rezultat i veprave penale.

Prokuroria thotë se deri në këtë fazë nuk ka gjetur rrethana lehtësuese dhe i propozon Gjykatës që, pas administrimit të provave, Sheholli të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Në përfundim të aktakuzës, Prokuroria pretendon se tërësia e provave tregon se Sheholli ka ndihmuar një shërbim të huaj informativ duke mbledhur, pranuar dhe përcjellë informacione dhe materiale, si dhe se ka zbatuar një plan operativ që synonte komprometimin e zyrtarëve të Kosovës.

Për akuzën e shantazhit, Prokuroria pretendon se provat materiale, transaksionet financiare, dëshmitë dhe përgjimet tregojnë se Jetullahu ishte detyruar të vepronte në dëm të pasurisë së tij nën kërcënimin e publikimit të materialeve komprometuese.

Këto janë pretendime të Prokurorisë Speciale të paraqitura në aktakuzë. Ato pritet t'i nënshtrohen shqyrtimit dhe kundërshtimit të provave në procesin gjyqësor, ndërsa Fatmir Sheholli prezumohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës. /Telegrafi/