Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka bërë të ditur se ka takuar sot Blanca Hereza Atienza, udhëheqësen e Sektorit të Operacioneve Aktuale në Divizionin e Operacioneve të NATO-s, së bashku me delegacionin e saj.

Maqedonci në një postim në Facebook shkruan se me Atienzan ka diskutuar për zhvillimet e sigurisë në rajon, situatën aktuale dhe rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe NATO-s.


Lexoni të plotë postimin:

Sot pata kënaqësinë të mirëpres në Ministrinë e Mbrojtjes, Blanca Hereza Atienza, udhëheqësen e Sektorit të Operacioneve Aktuale në Divizionin e Operacioneve të NATO-s, së bashku me delegacionin e saj.

Gjatë takimit diskutuam për zhvillimet e sigurisë në rajon, situatën aktuale dhe rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe NATO-s.

Vlerësova bashkëpunimin e vazhdueshëm me NATO-n dhe kontributin e Aleancës për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe stabil në Kosovë dhe rajon.

Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me NATO-n dhe për të kontribuar, me kapacitetet tona, në sigurinë dhe stabilitetin rajonal e ndërkombëtar. /Telegrafi/