LAJMI I FUNDIT:

Priftërinjtë ortodoks pastruan kishën që gjendet në oborrin e UP-së (Video)

Priftërinjtë ortodoks pastruan kishën që gjendet në oborrin e UP-së  (Video)

Gjatë ditës së sotme është ndërmarr një aksion për pastrimin e Kishës Ortodokse në kampusin e Universitetit të Prishtinës.

Pjesë e këtij aksioni ishin klerikët ortodoksë të Dioqezës serbe Rashkë-Prizren, të cilët gjetën edhe përkrahjen e disa qytetarëve serbë dhe nga përfaqësues të Qeverisë së Kosovës nga Lista Serbe për pastrimin brenda dhe jashtë objektit në fjalë.


Zëvendës kryeministër i Qeverisë së Kosovës, Branimir Stojanoviq, i cili mori pjesë në këtë aksion theksoi se sulmet në këtë kishë dhe mos reagimi i askujt i ka shtyrë përfaqësuesit e kishës serbe që të angazhohen për pastrim.

Stojanoviq tha se në këtë aksion ka ardhur që ta mbështes këtë iniciativë plotësisht legale dhe njerëzore.

Ai tha se kisha nuk është institucion politik, pavarësisht se po mundohen ta politizojnë.

“Kjo është kishë, nuk është institucion politik, pavarësisht se dikush po mundohet ta politizojë këtu nuk ka politikë. Kjo është e drejtë elementare e besimit të njerëzve dhe nuk shoh asgjë jo legjitime që në qendër të Prishtinës të ekzistojë Kisha Ortodokse serbe ku do të jetë tempull për të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë. Nëse ekziston Katedralja Katolike dhe xhamia për myslimanë që janë plotësisht legjitime, pse të jetë jo legjitime edhe kjo kishë, e cila do të shërbejë për të gjithë ortodoksët jo vetëm serbë”, tha Stojanoviq.

Ai u shpreh se të gjithë ata që po luajnë lojëra administrative, është e qartë se nuk i duan serbët në Prishtinë. Ai duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se a kanë leje për këtë veprim, ngase lënda është në gjykatë për këtë Kishë, ai tha se kjo është pronë e Kishës Ortodokse dhe se është vërtetuar edhe nga vendimet e gjykatave.

“Kjo është parcelë e Kishës Ortodokse dhe ato çka thashë edhe më lart, njerëzit po mundohen që të krijojnë terma për diçka që nuk ekziston atëherë është punë tjetër. Njerëzit po luajnë lojëra administrative duke mbajtur qëndrim politik duke thënë se këtu nuk mund të ekzistojë kisha ortodokse atëherë ata nuk janë të vetëdijshëm. Këtu është e qartë kjo është pronë e Kishës dhe kjo është vërtetuar edhe nga vendimet e gjykatave këtë e kanë pranuar edhe të gjithë ata që kanë dashur të jenë të arsyeshëm”, tha ai.

Në aksionin e pastrimit të Kishës në kampusin e UP-së në Prishtinë, mori pjesë edhe peshkopi Teodosije, e për sigurinë e tyre është kujdesur Policia e Kosovës.