LAJMI I FUNDIT:

“Populli perandorak”

“Populli perandorak”

1.

Muzg përrallor qershori i vitit, tashmë të hershëm, 1979. Socialkristjanët e Bavarisë shkelnin të emocionuar pragun e Parlamentit të Europës. Ndërsa ndjenin prekjen e historisë, një nga prijësit e tyre do t’i afrohej Otto von Habsburgut, poashtu përfaqësues rishtar, për t’i thënë: ja, nga hiri i dikurshëm madhnor po ngrihet sërish perandoria romake.


Natyrisht, do pohonte ky, por si shkruan (në librin i tij: Ideja perandorake), s’mund t’mos evokonte se, pa brezninë e katërt bavareze, gjermanët e dëbuar nga Bohemia, Moravia e Shlezia, kjo ditë do vononte o, mbase, s’do vinte kurrë. Ata bëjnë nyjën përlidhëse të fajit dhe pendesës. E, që këtej, gurëvënjen shpirtërore të idesë sublime.

2.

Fiset gjermane në zemër të Europës nuk kanë kufijë natyralë. E pra, misioni i tyre është prirja drejt harmonisë ekzistenciale të etnive dhe kulturave që do i bënte, në kuptimin e bukur të fjalës, popull perandorak.

Të tillë, ata do admirojnë prorë krijesat mbinacionale. Monarkia e Danubit, Austria e hapsirshme, dhe, fundja, a nuk niste Principata e Hannoverit luftën aventuroze (1866), për tu rrënuar vetë, në emër të formimit të një federate të Europës?

I vështruar kështu, shteti i vogël i Bizmarkut, rrjedhoi krejt fatkeq. Përjashtoi Austrinë dhe, për pasojë shekujsh, Gjermania do mbetej peng copëtimi midis prusianëve nacionalistë dhe austrianëve transnacionalë…

3.

Ndaj dhe, që në rreshtat e parë do të dëshmojë: tragjedia e gjermanëve, q’e vuajnë akoma, filloi pas fundit të perandorisë së shenjtë romake (1806). Ajo, megjithë mangësitë konstruktore, do të ofronte për plot 1000 vjet strehën mbrojtëse, nën të cilin ata do kultivonin të shpenguar qenien, traditën dhe gjeografinë e vet.

Teksa hidhja këto radhë, disi vetishëm m’erdhi në kujtesë një Rend i përafërt i një kohe të dytë: perandoria osmane.

Ngjashmëritë janë pak të largëta, të zbehta e, madje, fijekëputura. Roma ishte qendërdrita e qytetnisë, ndërkohë që, më pas, Porta sulltanore, kje terri obskur i saj.

Megjithatë, në konceptin e Ottos, një paralele mes tyre duket komplementare. Të dyja, në rrethnajë e hemisferë tjetër, ishin krijesa mbinacionale. Rrjedhimisht, nuk pati etnos romak, e s’do kishte as nacion osman. Dhe programet e tyre nuk doktrinonin nacionalizëm etnik, spastrime territori, zhbërje popujsh…

4.

Po shqiptarët? A mund të cilësohen, poashtu, popull perandorak?

Gjithësesi. Posi gjermanët, sikur gravitonin sajesash të mëdha mbikombëtare. Përveç perandorisë së vet ilire, ata, po kësaj fryme destinuese, nëvojtarisht do bëheshin fuqimbajtës krijesash tjera mbikombëtare. Dhe, ashtu, njëj ironie fatale të gjeopolitikës, sendërtonin dy premisa, të ndryshme në vlerën e vet: mbrojtjen nga vetmia e racës dhe, tutje, njëlloj “deliri të zgjërimit” (I. K.), e kjo dmth. rijetimin e vezullisë së humbur.

Tani neostambollitët, mbase, do t’a mirëprisnin të ekzaltuar rezonin historik të Otto von Habsburg-ut. Teza dhe ndjesia e tragjedisë gjermane pas shthurjes së “Perandorisë së shenjtë romake”, do të justifikojë pretendimin e tyre se, poashtu, fundi i Perandorisë osmane parathoshte fillimin e tragjedisë shqiptare për 100 vjet. Një dramë që mbaronte vetëm në mijëvjetin e ri, kur do ndodhte “Translatio Imperii”, ndërkalimi në një Perandori tjetër: në perandorinë e re Euroatllantike!

5.

Një puhizë e lehtë bekonte gjestin e simbolikës së veçantë. Para se të vente në Strasbourg, dërgata katalonëse e periudhës së Jordi Pujol Soley-t, ndaloi në Aachen. Dhe u lut në Katedralen e Karlit të madh.

Nuk ishte, thjeshtë, tregu i paanë apo largimi i qenëve kufitarë, shtysa e përuljes pranë Perandorit të Europës.

Ishte më e lartë dhe e përtejme: ata, megjithë dritëhijet e tij, riktheheshin në Atdheun e tyre historik.