LAJMI I FUNDIT:

​Policia konfiskon armën me të cilën u vra i riu në Klinë

​Policia konfiskon armën me të cilën u vra i riu në Klinë
Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka konfiskuar pistoletën me të cilën u vra një person si dhe dy të tjerë mbetën të plagosur, në fshatin Volljakë të Klinës.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar edhe tre gëzhoja dhe një fishek.


Ndërkaq, siç thuhet në raport, rasti është duke u hetuar.

“Lidhur me rastin, është gjetur dhe konfiskuar pistoleta, e cila është përdorur në kryerjen e veprës në fjalë, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar 3 gëzhoja dhe 1 fishek. Rasti është duke u hetuar”, njoftoi policia.

Ndryshe, të enjten mbrëma nga të shtënat me armë zjarri në rrugën Klinë-Gjakovë, gjegjësisht në fshatin Volljakë, mbeti i vrarë një person dhe dy të tjerë të plagosur, ndërsa pesë persona janë arrestuar dhe të njëjtit janë ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit.

Telegrafi mësoi se dyshimet e para për motivet e vrasjes kanë të bëjnë me një rrahje në Itali, ku pala e dëmtuar, ua ka rrahur vëllain të dyshuarve. Po ashtu Telegrafi mëson se nga pesë të arrestuarit, katër janë vëllezër dhe tjetri është axha i tyre.

Ndërkaq, zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi në një prononcim për Telegrafin tha se prokuroria pritet që të dërgojë kërkesën për paraburgim ndaj pesë të arrestuarve, ku ndër të tjera tha se katër persona dyshohen për vrasje të rëndë e një për dhënie e ndihmës pas kryerjes së vrasjes.

Edhe Policia e Kosovës për rajonin e Pejës ka dhënë detaje shtesë në lidhje me rastin e mbrëmshëm të të shtënave me armë zjarri në rrugën Klinë-Gjakovë, gjegjësisht në fshatin Volljakë, ku mbeti i vrarë një person dhe dy të tjerë të plagosur.

Vrasja në Klinë dyshohet se erdhi pas një mosmarrëveshjeje në Itali
Lexo po ashtu Vrasja në Klinë dyshohet se erdhi pas një mosmarrëveshjeje në Itali

Sipas njoftimit të policisë, më datë 28 prill 2022, rreth orës 20:40, Policia e Kosovës është informuar për të shtëna me armë zjarri, në parkingun e një restoranti në fshatin Volljakë, komuna e Klinës.

“Policia menjëherë i është përgjigjur vendit të ngjarjes, dhe është kuptuar se tre (3) persona kanë pësuar lëndime trupore nga arma e zjarrit dhe mjete të forta. Viktimat fillimisht janë dërguar në QKMF-Klinë, e më pas në emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë, nga ekipi  mjekësor është konstatuar vdekja e njërit nga të lënduarit”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim, thuhet se në vend ngjarje kanë dalë të gjitha njësitet kompetente të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, prokurori i shtetit, pas një pune intensive operative dhe hetimore është arritur të identifikohen dhe arrestohen pesë (5) të dyshuar në rast:

A.G. lindur më             1980

N.G. lindur më             1992

A.G. lindur më             1998

B.G. lindur më             1985

B.G. lindur më             1974

Ndërkaq, pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të shtetit të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh.

Trupi i pa jetë i viktimës me urdhër të prokurorit të shtetit është dërguar në institutin e mjekësisë ligjore  (IML) për obduksion. /Telegrafi/