Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e tre personave të dyshuar për vjedhje, gjatë një aksioni të realizuar në dy raste të ndara në Prishtinë.

Sipas njoftimit, Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit, në kuadër të planit për parandalimin e vjedhjeve, ka arritur të arrestojë të dyshuarit gjatë tentimit për kryerjen e veprës penale.


Të arrestuarit janë identifikuar si N. A., 56 vjeç, B. K., 53 vjeç dhe A. B., 25 vjeç.

“Puna e zyrtarëve policorë ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar, të cilët janë kapur gjatë tentimit të tyre për të kryer vjedhje”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se Sektori i Hetimeve në Kryeqytet, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka vazhduar me veprime të mëtejme hetimore për zbardhjen e plotë të rasteve. /Telegrafi/