LAJMI I FUNDIT:

Policia e Kosovës ndërmerr aksion për rastet e lëmoshë-kërkuesve në rrugë

Policia e Kosovës ndërmerr aksion për rastet e lëmoshë-kërkuesve në rrugë

Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se ka realizuar një operacion policor, ku për qëllim ka pasur marrjen e veprimeve dhe largimin e fëmijëve lëmoshë-kërkues nga rrugët.

Në njoftim thuhet se Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ) në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale, Prishtinë, me datën 15 prill 2019 ka realizuar një operacion policor, ku për qëllim ka pasur marrjen e veprimeve proaktive dhe largimin e personave/fëmijëve lëmoshë-kërkues nga rrugët, verifikimin e situatës së tyre nëse të njëjtit janë viktima të ndonjë forme të trafikimit si dhe ofrimit të mbrojtjes dhe asistencës për ata fëmijë.


“Nga veprimet operative në terren janë identifikuar gjithsej 23 persona duke kërkuar lëmoshë, prej tyre 9 kanë qenë fëmijë ndërsa 14 kanë qenë të rritur. Pas hetimeve dhe verifikimit të situatës të personave të identifikuar nga DHTQNJ dhe në konsultim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë janë inicuar 4 raste për veprën penale ‘keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’ dhe është ngritur kallëzim penal ndaj 5 të dyshuarve, prindër të këtyre fëmijëve”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, të gjithë fëmijët e identifikuar janë trajtuar sipas procedurave standarde dhe janë referuar në QPS-së për trajtim të mëtutjeshëm.

“Apelojmë tek të gjithë qytetarët që mos t’u japin lëmoshë këtyre fëmijëve që janë në rrugë, sepse me atë veprim vetëm të njëjtit stimulohen për të kërkuar lëmoshë dhe kjo i dëmton ata fëmijë. Humaniteti qytetar mund të shprehet në shumë forma tjera”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/