LAJMI I FUNDIT:

Po përballet me një seancë gjyqësore, Navalny vjen me një video – nga stacioni policor pas kthimit në Rusi

Po përballet me një seancë gjyqësore, Navalny vjen me një video – nga stacioni policor pas kthimit në Rusi

Kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny, po përballet me një seancë gjyqësore për të zgjatur paraburgimin e tij në stacionin e policisë ku ai u mor menjëherë pas kthimit të tij të dielën në mbrëmje në Rusi.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, lideri 44-vjeçar i opozitës fluturoi përsëri në Moskë pasi kaloi disa muaj në Gjermani duke u rikuperuar nga një helmim që ai tha se ishte kryer me urdhër të presidentit Vladimir Putin.


Ndihmësit dhe avokatët e liderit të opozitës thanë se u ishte ndaluar hyrja tek ai për gati 15 orë pasi ai u ndalua.

Ndërkohë, zëdhënësi i tij tha se ata ishin njoftuar një minutë para se të fillonte seanca e së hënës në 12:30 pasdite.

Siç bëhet e ditur më tej, dhjetëra oficerë policie janë mbledhur përpara stacionit të policisë ku po mbahet seanca gjyqësore e Navalny.

Navalny kishte kërkuar t’u jepej gazetarëve akreditim dhe qasje për të mbuluar seancën gjyqësore në vazhdim.

“Ata (gazetarët) nuk janë të akredituar fizikisht, gjë që tregon një paragjykim shumë të çuditshëm. Sigurisht, unë kërkoj që ky proces të jetë sa më transparent që të jetë e mundur, në mënyrë që të gjitha mediat të kenë mundësinë të vëzhgojnë këtë absurditet të mahnitshëm që po ndodh këtu”, citohet të ketë thënë Navalny. /Telegrafi/