Po i kushton lufta me Iranin - bie në nivel rekord mbështetja për Trumpin

Vlerësimi ndaj presidentit amerikan, Donald Trump ka rënë në nivelin më të ulët të mandatit të tij aktual, pasi amerikanët po bëhen gjithnjë e më të pakënaqur me mënyrën si ai po e menaxhon koston e jetesës dhe një luftë të papëlqyer me Iranin, sipas një sondazhi të ri të Reuters/Ipsos.
Sondazhi katër-ditor, i përfunduar të hënën, tregon se 34 për qind e amerikanëve e miratojnë punën e Trump në Shtëpinë e Bardhë, nga 36 për qind në një sondazh të mëparshëm, shkruan reuters.
Pjesa më e madhe e përgjigjeve u mblodh para një incidenti të shtunën në mbrëmje në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, ku Trump ishte planifikuar të mbante fjalim. Prokurorët federalë kanë ngritur akuza ndaj të dyshuarit për tentativë vrasjeje të presidentit.
Popullariteti i Trump ka qenë në rënie që nga fillimi i mandatit në janar 2025, kur 47 për qind e amerikanëve e vlerësonin pozitivisht.
Mbështetja e tij është goditur sidomos pas luftës së nisur nga SHBA dhe Izraeli kundër Iranit më 28 shkurt, e cila ka rritur ndjeshëm çmimet e benzinës.
Vetëm 22 për qind e të anketuarve e miratojnë performancën e tij në lidhje me koston e jetesës. /Telegrafi/




















































